Nga Adela RADOVANI

Ata flasin për terrorin dhe ata flasin për përdhunimin.
Unë i shoh dhe i njoh.
Dhe brenda sekondës më vjen një goditje nga brenda, një shpërthim kozmik në brendësi të vetes tek sheh dhe NJEH dhunuesin tënd.
Aty e kuptoj kush jam unë dhe kush është ai, kush janë ata dhe kush jemi ne, dhe cili “ne” është ai “ne” ku unë jam.
Ne jemi të dhunuarit, të përdhënuarit, të zhvaturit dhe të gënjyerit.

Ata janë shumë. Janë ish komunistë, ose më mirë me thënë kurrë komunistë, janë ish demokratë e sidomos aspak demokratikë, ata janë artistë, shkrimtarë, ideologë, profesorë dhe drejtorë. Dekanë janë ata.
Ata janë lart dhe ata na shohin me skërmitje dhëmbësh sesi pushteti i tyre absolut nuk preket.
Ata luftojnë me njëri-tjetrin, kinse për të na shpëtuar por ata janë njëlloj përdhunues.
Njëlloj ndofta jo e sërish secili prej tyer pretendon se na shkërdhen më mirë se tjetri, më bukur, më me stil.

Por unë sytë i kam te njëri prej tyre.
Atë e njoh, ai ende më tremb.
Kur e ha njëherë, nuk është se mundesh ta tejkalosh më atë dhimbje.
Askush nuk i thotë kosovareve të përdhunuara t’i falin ata, vetëm ne na kërkohet t’i respektojmë dhe kur t’i shohim, të ndërrojmë rrugë.
Ne na kërkohet të kemi turp, sepse ishim ne që e pranuam dhunën.
Ishim ne që e pranuam DHIMBJEN dhe bëmë sikur na pëlqente, sikur ishim në rregull fare e madje, të lumtur që ia dolëm t’i iknim, ashtu me brekë nëpërkëmbë dhe me trupin me shenja që ikin.
Unë e njoh atë, ai nuk më njeh mua.

Do doja që ai të më njihte.

Facebook Comments