Nga Neritan SEJAMINI

Nëse të protestosh kundër qeverisë për të ndryshuar përdorimin e taksave publike nuk është akt politik, atëhere, çfarë është?
Akt seksual? Akt kulturor? Akt sportiv?

Injoranca politike e mbjellë nga regjimi diktatorial komunist vazhdon t’i mbajë shqiptarët në injorancë politike dhe lëngim shoqëror. Po i mban ata larg veprimeve dhe ndikimit politik jashtëpartiak. Çdo akt, i çdo kujt, për të ndryshuar apo ruajtur vendim-marrjen e qeverisë është akt politik. Edhe akti i një personi të vetëm që del para Kryeministrisë duke mbajtur në dorë një copë letër me shënimin “Më shumë të drejta për djemtë bjondë” është akt politik. Edhe të vizitosh shfaqjet që jep Kryeministri në COD është akt politik. Edhe të marrësh pjesë në koncertet që organizon Erion Veliaj është akt politik.

Politika është mënyra e përcaktimit se “kush merr çfarë, kur dhe si.” Duke kërkuar që qeveria të rishpërndajë paratë e taksave, studentët po bëjnë një kërkesë politike dhe protesta për të detyruar qeverinë ta bëjë këtë gjë është një akt fund e krye dhe vetëm politik.

Edhe vetë thirrjet për të mos e bërë politike protestën janë, përveç se politikisht injorante, edhe thirrje thellësisht politike (sikurse edhe ky status).

Ndaj, të dashur studentë, vetëdijësohuni për veprimet tuaja politike. Doni apo nuk doni, jeni apo nuk jeni të vetëdijshëm, ju jeni duke bërë politikë.

Ndaj bëhuni të sinqertë dhe të ndershëm dhe hiqeni maskën e apolitikes: përqafoheni politiken, bëni politikë. Politika nuk është shfaqje e huaj, politika nuk është turp, politika nuk është kolerë. Ajo bëhet turp, bëhet kolerë, kur ju ia lini gjithë politikën në dorë politikanëve profesionistë partiakë.

Fuqizojeni aktin tuaj politik duke ftuar të protestojnë këdo tjetër që është dakord me politikën tuaj apo ka interes tek politika juaj. Në demokraci numrat janë thelbësore, sepse jo çdo kush mund të marrë çdo gjë, ndaj edhe aleancat dhe rreshtiemt e përbashkëta janë thelbësore.

Po të ishit 100 apo 200, Rama do ishte duke u tallur me ju, sepse politika e tij ka për qëllim pushtetin e tij dhe çështjen thelbësore të politikës “kush merr çfarë, kur dhe si” ai e ka zgjidhur duke ju lënë ju jashtë: ai dhe klientët e tij marrin gjithçka, e marrin tani dhe e marrin drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit. Vetëm se ju u bëtë mijëra, Rama ka filluar t’u konsiderojë sepse ju mund t’i prishni ndarjen “kush merr çfarë, kur dhe si.” Se u bëtë mijëra, ai kërkon t’ju përçajë. Se u bëtë mijëra, ai dhe shumë të tjerë ju duan apolitikë, asocialë, ashqiptarë, anjerëzorë.

Mos harroni thënien e filozofit të famshëm Johannes Estrada:

“Make a little love and a lot of politics, but never no children and never no politics.”

Facebook Comments