Nga Adela RADOVANI

Pështyj me inatin e tre zotërave grekë. Grekë, jo romakë. Romakët i kopjuan dhe i dhanë emra të butë, hedonikë, qëllimisht për ta zbutur frikën ndaj tyre e për të nxitur dhunën dhe seksin. Këto janë dy gjërat që mbeten kur nuk ka më frikë nga zotat, dhunë dhe seks. Kollitem pastaj dhe shoh në bisht të syrit një autobus që me shumë dredhëri ka ardhur më herët se zakonisht në stacion.

Nuk më shqetëson më asgjë. Kam arritur në pikën që nuk më prek më asgjë, jo si dikur, është sikur kam kore mbi kore që presin të hapen sërish e madje pothuaj kruhen në qejf sa herë që ndihet se masakra është afër. Kur autobusat vijnë herët, unë mund të vrapoj dhe i kap, jam e trajnuar tashmë me këtë pjesë. Kur vijnë vonë është problemi i vërtetë. Aty po lufton me veten, me dilemat e “a ka ardhur më herët e po pret kot” apo “po vjen”, dhe kurrë nuk del i fituar me këto lojëra. Siç thotë Vasco Rossi, La fortuna aiuta sempre e comunque gli audaci, mica me.

Ashtu si dje, edhe sot rruga është e bllokuar. Studentët kanë dy ditë në protestë. Dikur, vjet ose parvjet më saktë, do isha patjetër aty, me ta, me dikë, me disa, por këtë vit nuk mundem. Këtë vit edhe të shpreh se jam në krah të tyre, qoftë dhe moralisht ose mendërisht, është faj. Dhe aty më bie në kokë që jam vërtet idiote. Vërtet, vërtet idiote. Ja të tregoj një histori, në vitin 2015 ose 2014, kur qaja ende për një dashuri që e kisha shpikur në mendjen time – ata zota e dinë që unë të gjitha gjërat në jetë i kam të shpikura – ndërsa kaloja me time më në sheshin Nënë Tereza, pashë një protestë të vogël, modeste, për ligjin e arsimit të lartë që po diskutohej e që eventualisht u miratua. Një profesor e njihja, më kishte dhënë mësim. Të tjerët nuk i kisha parë kurrë, dukeshin grup, u afrova edhe pse nën vijën blu të rendit ishte një presion i çuditshëm e tension i kotë të cilin edhe nëna ime e nuhati dhe ma bëri me shenjë për t’u larguar. Por unë doja të isha aty, t’i dëgjoja. Mendova në atë kohë që e urreja veten që kisha aq shumë frikë për kokën time. Prindërit ma kishin mbushur mendjen, po dole nëpër protesta, do të shënojnë dhe nuk do të të marri kush në punë, kurrë. Sot e di që protestat të shënojnë, për mirë a për keq, e kjo nuk ka ndonjë rëndësi të madhe.

Fast forward, një ose dy vite më vonë, dhe tashmë ishte turp që unë të mos isha në një organizim të tillë. Turp dhe fatkeqësi, një njeri i pavlerë, një lumpenproletariat. Nuk kam qenë kurrë ndonjë fanse e madhe e Marksit por ndodh që njeriu ca gjëra i mëson në shtrat, nga halli. E mund të biesh dakord, mund të mos biesh, mund të flasësh për të majtën e për ideologjinë ditë e natë e pastaj të dalësh si Kasëm Trebeshina e të bërtasësh, “Nuk e ndjeja me shpirt komunizmin!” e të dukesh hipokrit, palaço, idiot. Por hej, as këtë nuk e kam problem – njeriu mëson të pranojë veten edhe si gjysëmqen dhe të shohë punën e vet. Nëse ti nuk do një herë, unë nuk dua njëqind, ishte përfundimi i gjithë aventurës ideologjike. Por unë doja, doja vërtet, por disa gjëra thjesht ndodhin. As Marksi nuk do dinte si ta zgjidhte atë punë. (Por do shkruante një libër të mirë kritik mbi çështjen.)

Ndërsa zbres autobusin e Laprakës, dhe dikush, një burrë sigurisht (çudi huh!), më shfryn aromë alkooli izopropilik dhe metanol mu në rrëzë të veshit, më bie në mend diçka. Nuk ka dashuri pa kushte, dhe për më tepër, nuk ka dashuri për njeriun pa përfshirë besimet e tij. Values i thonë në anglisht, janë më të rëndësishme sesa dashuria, sesa lumturia e madje edhe sesa seksi. Nuk të shijon seksi me një marksiste, edhe nëse ajo nuk është vërtet e tillë, sepse në mendjen tënde ti nuk ia fut një gruaje, një trupi prej mishi dhe gjaku por një vorbulle energjish, mendimesh, ndjenjash; një grumbull i madh abstraksionesh, besimesh, nënvleftësimesh dhe paragjykimesh. Dhe ti nuk dashuron kurrë fytyrën e dikujt por metaforën e asaj fytyre. Dhe ti nuk i je mirënjohës veprës që tjetri bën për ty, por atë që thotë për ty ose për besimet e tua.

Unë jam një idiote, vërtet. Por më shumë se kaq, unë jam një njeri i keq, që nuk i shërbej asnjë bote e asnjë ideologjie. As e majtë, as e djathtë, një unioniste e pavlerë për botën kapitaliste, një reaksionare e fëlliqur që duhet varur, një njeri i cili nuk mund dhe nuk duhet të jetojë. Kështu që hajde, dënomë me vdekje dhe t’i japim fund kësaj bufonate.

Facebook Comments