Nga Elona CASLLI

E lindur dhe e rritur në këtë qytet, e kam dëgjuar shpesh formulimin e mërzitshëm “ Jam lindur dhe jam rritur në Tiranë”. Ky pohim nënvizohet zakonisht midis kundërshtive që mund të lindin në një debat, apo në një marrëdhënie mes një individi që ka lindur dhe është rritur në Tiranë dhe mes një individi tjetër që ka lindur në një qytet tjetër të Shqipërisë.
Askujt nuk i jepet e drejta, para se të vijë në këtë botë, të zgjedhë qytetin e lindjes apo mbiemrin e tij. Për sa kohë këto dy elemente janë një zgjedhje arbitrare e jetës , besoj se është mirë, të mos serviren si arritje personale dhe shoqërore, apo të përdoren si pashaportë për të përforcuar argumentin e së drejtës.
Është i pamohueshëm fakti se shpesh herë, vihet re një ndryshim thelbësor midis mentalitetit të një individi që ka lindur dhe është rritur në Tiranë dhe mentalitetit të një individi që ka lindur në një qytet të Shqipërisë, sikundër është krejt e pamohueshme përmbysja e pohimit të mësipërm.
Personalisht, kam njohur njerëz të mrekullueshëm në qytete të ndryshme të Shqipërisë, të cilët jo vetëm nuk kanë të krahasuar me individë që kanë lindur dhe janë rritur në Tiranë, por mënyra se si i hapen jetës në gjykim, mendim dhe veprim, të bën të mendosh se vijnë nga një jetesë e gjatë në Perëndim.
Raporti që gjithkush vendos me jetën dhe të vërtetat e saj është raport individual. Për sa kohë është raport individual, do të thotë se, një individ i shtrënguar nga shkaqe të ndryshme, mund t’i përkasë veçse fizikisht pozitës gjeografike në të cilën ngre të përditshmen e tij, pasi mendërisht është diku gjetkë, në një kryeqytet apo në një tjetër.
Dhe sa herë të josheni nga dëshira e zjarrtë për të nënvizuar prejardhjen tuaj dhe ta përdorni atë si pashaportë për të Drejtën, risillni ndërmend Sokratin i cili thotë:
“Nuk jam qytetar as i Athinës dhe as i Greqisë. Jam qytetar i botës.”
Pesha e një argumenti nuk matet me prejardhjen e individit që e artikulon atë, por me prejardhjen e logjikës mbi të cilën mbështetet ky argument.

Facebook Comments