Nga Anila MEMA

Përherë jam ndier si në shtëpi. Që herën e parë, kur kapërceva pragun e asaj banese në bulevardin “Zogu i Parë”, që mban që në hyrje pllakatin me emrin e shkrimtarit Petro Marko. Po bëhen gati dy dekada që kur njoha nga afër Safon, Madun, Arianitën e aq më shumë Petron, njeriun – shkrimtar mes rrëfimeve emocionuese të familjarëve. Shpesh, gjatë viteve të mia në gazetari, jam përpjekur të shoh pak më përtej profesionit (artist, shkrimtar, piktor… etj) aty ku bashkohet profesioni me njeriun dhe kjo më ka bërë të dua më shumë njerinë.
Petro Markon më shumë se mes librave e kam njohur nga dorëshkrimet, mes sendeve personale e mes kujtimeve të të dashurve. Sa herë ndodh të jem në atë shtëpi, jehona e tiktakut të tasteve të makinës së shkrimit dëgjohet ende. Shfletimi i dorëshkrimeve, i blloqeve të shënimeve, i fletëve të shkëputura, i letrave, bën të mundur frymëmarrjen që nuk mund të ndalojë. Fjalët që mbetën të shkruara në letër dhe ato që do të kishte dashur të thoshte akoma për të komunikuar me njerëzit, me ditët, me kohën që ecën, me jetën, tingëllojnë e nuk shuhen. E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja janë të pandashme aty, sepse ai jo vetëm që ishte, por është dhe do të jetë.
“Nuk mund të ketë ish-shkrimtar”, ka shkruar Petro Marko, frazë të cilën Arianita, e bija, e ka shumë përzemër. Dhe ka të drejtë. Të gjithë janë të zëvendësueshëm, përveç shkrimtarit. Mund të harrohet datëlindja, datëvdekja, por jo veprat. Veprat mbeten pikëtakimi me njerëzit. E pikërisht, në 105-vjetorin e lindjes së shkrimtarit, Petro Marko, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, do të mbahet një përkujtimore për shkrimtarin, e gjithashtu nesër në bar “Heminguej”, miqtë e tij kanë përgatitur një tjetër event me rastin e ditëlindjes. Por, si kanë qenë ditëlindjet e një shkrimtari, a festoheshin, ç’kuptim merrnin në familjen e tyre, na i rrëfen e Arianita Marko, në këtë intervistë.

Ç’rëndësi kishin datëlindjet në familjen tuaj? Ç’kuptim e ç’formë merrnin?

Në familjen tonë, festimin e datëlindjeve e kemi pasur si një lloj riti. I kemi kujtuar të gjitha datëlindjet, e gjithsecilit prej nesh. Nuk është se bënim ndonjë gjë të madhe, nuk ftonim njerëz, por e festonim të katërt. Përgatisnim gatime më të zgjedhura se në ditët e zakonshme, merrej torta dhe të katërt mblidheshim në tavolinë e babi na tregonte kujtime nga fëmijëria e tij, fliste për mamanë, për shtëpinë, për të atin… Përgjithësisht nuk fliste vetë, por unë e nxisja të na tregonte. Petro është rritur jetim që në moshën 6- vjeçare dhe ditëlindjet nuk ka pasur kush t’ia festonte. Më pas shkoi në shkollë e më tej nëpër burgje, nëpër internime. Është kujtuar si datë, por nuk është bërë asnjëherë asgjë, ndaj dhe tradita për t’i kujtuar datëlindjet na ka mbetur nga gjyshja, mamaja e mamit, e cila Petron gjithmonë e ka trajtuar me shumë ngrohtësi. Datëlindjet tona i organizonte ai. Madu dhe Safo e kanë pasur ditëlindjen në mars, unë në prill dhe babi në nëntor. Babi më thoshte shpesh; të kemi llogaritur të lindësh në muaj shkolle, ta festosh ditëlindjen me shokët e klasës. Kishte dëshirë që unë të ftoja shok e shoqe.

Cila nga festimet e datëlindjeve të tij ju ka mbetur në kujtesë?

E vetmja datëlindje, që është organizuar e madhe dhe ka qenë më e veçantë është në vitin 1973, për 60-vjetorin e Petros. Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve e organizonte këtë event. Sigurisht, ishim të entuziazmuar se ishim të ftuar të gjithë si familje në atë aktivitet ku merrnin pjesë shumë artistë nga zhanre të ndryshme. Më bëri përshtypje se atë ditë aktiviteti u shty pak kohë se pritej të vinte ndonjë zyrtar i lartë i shtetit, siç ishte zakoni, të merrnin pjesë në aktivitete të tilla. Por askush nuk erdhi. Gjithçka shkoi shumë mirë, atë natë u fol shumë bukur dhe shumë ngrohtë për Petron dhe veprën e tij, më pas babi i ftoi të gjithë në shtëpi për darkë. Mami dhe një shoqe kishin përgatitur gatime të ndryshme. Por, përveç familjes, të gjithë që ishin atë natë në shtëpi e dinin që për babin ishte marrë vendimi që do të përjashtohej nga Lidhja e Shkrimtarëve, do t’i hiqej e drejta e botimit dhe librat do t’i bëheshin karton. Ndaj, të gjithë ishin aq të dashur se e dinin që të nesërmen fillonte ndryshimi për Petron. Të nesërmen u morën masa kundër tij. Kjo është e vetmja ditëlindja e vërtetë që është organizuar për babin, sigurisht që kishte diçka të zezë që e pasonte mbrapa.

Thatë se për datëlindjet tuaja kujdesej ai. Sa i përkushtuar ishte ndaj detajeve, dhuratave, veçanërisht për Safon?

Nuk është se ishte tip që blinte lule, ama mamit i blinte dhurata përherë, gjërat që asaj i duheshin dhe ishte e vështirë t’i gjeje në ato kohë, si fustane, këpucë apo bizhuteri, të cilat Safo i pëlqente shumë. Pa harruar këtu ëmbëlsirat që mami i kishte shumë qejf dhe këto të fundit babi i sillte shpesh edhe pa pasur asnjë rast feste. Më vonë, pas ikjes së babit, organizimet e ditëlindjes më mbetën mua. Edhe shumë vite më pas, bashkë me Safon dhe Madun uleshim në tavolinë dhe kujtonim ditëlindjen e tij. Ai ishte shumë familjar, i dashur, I afërt, mbrojtës, aq sa kur iku nga kjo jetë edhe mami thoshte: ngelëm pa babin. Dua të kujtoj një episod, kur mes shumë dorëshkrimesh gjeta dhe një rekomandim në një copë letër, që i përkiste vitit 1945. Atë kohë babi punonte si kryeredaktor i revistës “Bashkimi”. Ky rekomandim i kishte ardhur për mamin, e cila ishte pa punë dhe duhej të punonte aty. Atë rekomandim, i cili u bë sebep për të njohur mamin, Petro e ka ruajtur gjithë jetës. Janë detaje që të bëjnë të kuptosh se sa shumë e ka dashur ai njeri Safon.

Kur është përkujtuar për herë të fundit datëlindja e shkrimtarit?

Është organizuar një tjetër aktivitet me rastin e 100-vjetorit në një ceremoni në Bibliotekën Kombëtare. Dhe çdo vit nga unë, por është ndryshe ta kujtoj unë, e cila jam bija e tij, dhe ndryshe kur e kujtojnë vetë institucionet. Më vjen shumë mirë që në këtë rast Himara po organizon diçka në kujtim të Petros në Muzeun Historik Kombëtar, pasi Himara është vendi ku ai lindi, shkroi e punoi shumë dhe deshi të prehet aty deri në fund. Më vjen gjithashtu mirë, që do të organizohet edhe aktiviteti përkujtimor te “Heminguej” ditën e hënë.

105-vjetori i tij është shumë afër, çfarë ndien, si e pret?

Petro më thoshte shpesh, kur je shumë e mërzitur, mundohu të kujtosh gjëra të bukura, por, për fat të keq, kur kujton gjërat e bukura, nuk ka se si të mos mendosh edhe vazhdimësinë, implikimin që kanë ndodhur pas gjërave të bukura. Ndaj, ditën e lindjes dhe ditën e vdekjes nuk kam se si të mos i lidh me njëra-tjetrën. Kam shumë hidhërim për jetën e tij. Kam hidhërim për ato dorëshkrime që kam në shtëpi, për fotografitë. Kam hidhërim për ato që ai nuk mundi të shkruante, sepse gjithë jetës këtë merak kishte: “Kam shkruar shumë pak nga ato që kam dashur të shkruaja”, më thoshte. Ishte pamundësia e tij për të shkruar në shumë vite e më pas në kohën që pati mundësinë të shkruante, ishte aq i sëmurë sa sërish nuk mundi dot. Më kap hidhërimi se sa kohë jam gjallë unë, që jam e fundit, ata do të jetojnë brenda meje, por çfarë do të bëhet pas kësaj? Prandaj do desha që Petro të kujtohej. Ai vendin e ka dhe nuk ka nevojë që t’ia japin pushtetarët, a qeveritë që vijnë e ikin, vendin Petro Markos ia kanë dhënë lexuesit. Dhe këtu dua të citoj vargjet e tij: “Mund të ketë një ish-ministër, një ish-president, një ish-udhëheqës, por kurrë nuk mund të ketë një ish-shkrimtar”.

Facebook Comments