Nga Erl KODRA

Duket se asgjë nuk është më siç ka qenë.
Ndërkohë kanë ndryshuar raportet; ekonomia dhe financat, teknologjia dhe transporti, demokracia dhe demografia, migracioni dhe kulturat, klima dhe mjedisi; të gjitha së bashku e kanë bërë botën diçka tjetër.
Ritmet e ndryshimit nuk janë të njëjtat,domethënë, ato ritme me të cilat njerëzimi ishte mësuar prej shekujsh.
Merreni me mend; në harkun kohorë të njëqind e ca viteve, shpikjet teknologjike e kanë ndryshuar përfundimisht njerëzimin dhe natyrën.
Progresioni është gjeometrik.
Qartësisht, kompleksiteti i jashtëzakonshëm i këtyre zhvillimeve e ka bërë të ardhmen e njerëzimit të paparashikueshme.
Kjo nuk është një teori por një fakt, për të cilin janë shkruar dhe do të shkruhen libra pafund.
Nuk është ky qëllimi i këtij teksti, por vetëm konfirmimi i rrethanave globale në të cilën shqiptarët e ndarë në gjashtë shtete të rajonit, akoma gjenden të parealizuar në të gjitha aspektet, por edhe nën një agresion permanent të fqinjëve tanë “të dashur”.
Përcaktimi i saktë i “termave dhe kushteve” ku ndodhen shqiptarët përbën kushtin themelorë për të kuptuar situatën komplekse.
“Termat dhe kushtet” në kontekstin shqiptar janë të përcaktuara në Preambulën e Kushtetutës së Shqipërisë.
“Ne,Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti dhe/ose te vlera të tjera universale, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, si dhe për prosperitetin e të gjithë kombit, për paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror, me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar, me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit, vendosim këtë Kushtetutë”.

Me dhimbje të thellë duhet pranuar se “termat dhe kushtet” nuk janë përmbushur, përkundrazi, ato janë shkelur dhe vazhdojnë të shkelen në thelbin e tyre, – të Drejtat dhe Liritë Themelore – në të gjashtë shtetet ku jetojnë shqiptarët.
Këtu nuk ka nevojë të sillen shembuj, pasi gjendja reale është e njohur gjerësisht.

Pa mendojeni njëherë; 106 Vjet Pavarësi e një cope Shqipërie, pjesa tjetër e çapërpikun në gjashtë shtete, por gjithësesi në trojet amtare, me të drejta të cunguara ose pa të drejta fare, ku vetëm dy dekada më herët kundër shqiptarve është kryer genocid nga Serbia, ndërsa në shtetin amë për 50 vjet mbretëroi terrori komunist.

Kjo është pamja reale ku gjenden shqiptarët;të pa realizuar dhe ndër popujt më të varfër në Ballkan, por me një klasë politike mafioze dhe milionere, ku qëllimi i saj kryesor është të mbrojë milionat dhe privilegjet, por jo interesat kombëtare.

Në këtë botë ekzistojnë dy lloje njerëzish; i miri dhe i keqi. Zakonisht, në filma dhe në letërsi fiton i miri, por në jetën reale shumicën e herëve fiton i keqi. Kjo për arsyen e thjeshtë sepse i miri vetkufizohet; domethënë nuk vret, nuk vjedh, nuk mashtron, nuk përfiton, ndërsa i keqi nuk e ka për gjë të shkelë mbi kufoma për të kapur majat e pushtetit.

A nuk e ndërtoi kështu mbretërinë e së keqes terroristi Enver Hoxha?!

Në Shqipëri mbretëron Edi Rama, diçka mes bosëve të karteleve të drogës dhe Manuel Noriega-s, por zyrtarisht i legjitimuar si Kryeministri i Shqipërisë.
Ai shet dhe blenë gjithçka që shitet dhe blihet, përfshirë drogë, jetë njerëzore dhe interesa kombëtare.
Ai nuk di të ndalet para asgjëje.

Në Kosovë mbretëron Hashim Thaçi, një përzierje cinike e cilësive më negative njerëzore, por edhe një enverist i thekur.
I aftë të mbrojë me çdo çmim agjendat e tij kontraverse, edhe duke zhbërë pavarësinë e Kosovës, territorin e saj dhe interesat kombëtare.

Pa mendojeni njëherë të ardhmen e afërt që kemi nën Edi Ramën dhe Hashim Thaçin, që po punojnë haptas për të prishur Pavarësinë e Kosovës, për ta copëtuar atë, për ta sjellë edhe njëherë çeshtjen e saj në pikën zero.
Pa pyetur për gjakun e derdhur nga shqiptarët këndej e andej kufirit.
Pa llogaritur se shqiptarët e sotëm janë gati të luftojnë edhe 1000 vjet të tjera për lirinë e tyre.

A janë këto akte interesat kombëtare të shqiptarve?

Në krye të këtij teksti shkrova se “asgjë nuk është më siç ka qenë”.
Politika tradicionale ka vdekur, ajo është zëvëndësuar me vulgaritetin e statuseve në Twitter dhe Facebook. Jo vetëm kaq, por ajo është kthyer në një marketing të rëndomtë biznesi, pa parime dhe pa ideologji politike.
Kurrë më parë historia njerëzore nuk ka njohur lider të tillë politik si Putin në Rusi, Erdogan në Turqi, Viktor Orban në Hungari, Edi Rama në Tiranë, Hashim Thaçi në Prishtinë dhe Donald Trump në Amerikë.
Gjykojeni pak ju lutem; Britania e Madhe del nga Bashkimi Europian nën hutinë e stuhisë populiste, BE-ja e zhytur nën një paaftësi tragjike për të menaxhuar krizat brenda saj, Turqia nën një president me fuqitë e një perandori, ndërsa Amerika e kthyer në një “vend të çarë”, saktësisht sipas përcaktimit të Samuel P. Huntington.

Çudia e madhe; Edi Rama, Aleksander Vuçiç dhe Hashim Thaçi janë njerëzit e George Soros, të cilët punojnë për ndarjen e Kosovës.
George Soros gjithashtu është edhe sposorizuesi i fortë i këtij projekti krejt antishqiptar.
Por George Soros nga ana tjetër është armiku për jetë a vdekje i Presidentit Trump (kanë ndarë më dysh Amerikën), administrata e të cilit me anë të këshilltarit John Bolton e thotë hapur se “është koha” që Kosova të ndahet.
Kjo do të thotë se George Soros dhe Donald Trump janë dakort për zhbërjen e Kosovës?!
Në të vertetë ata janë biznesmen, para se të jenë politikan, ndaj me siguri që edhe luftën mes tyre nuk e kanë për parime, por në thelb është një betejë banale korporatash.
Sigurisht, nuk ka asnjë arsye si të jetë ndryshe edhe për Rexhep Tayyip Erdoğan dhe Vladimir Putin, të cilët me kohë kanë provuar se mund të bëjnë luftën dhe paqen, jo për parime, jo për interesa kombëtare, por pushtetin e tyre politik që prodhon disa miliarda dollarë më shumë.

Me sa duket banaliteti i kthyer në normë nga ky lloj i politikanit në epokën dixhitale, si dhe politika e zhveshur nga çdo parim human mbi të cilën është shpallur Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut*), i ka kthyer kokëposhtë parimet bazë mbi të cilat bota që njohim funksionon.

Shënim: Morali im më thotë se kompromisi dhe bashkëpunimi me armikun e përbetuar për copëtimin e vendit tënd bëhet vetëm për gjëra madhore; ta zëmë nëse planetin Tokë e sulmojnë jashtëtokësorët, dhe për të shpëtuar njerëzimin, Hashim Thaçi duhet të ndajë Kosovën. Çdo arsye tjetër që mund të ketë Hashim Thaçi, për mua është tradhëti kombëtare.

Facebook Comments