Nga Gentian GABA

“Armiku i armikut tim, është miku im”, thotë adaxhio e vjetër e politikës. Kjo shprehje, godet si rrufe, çdokënd që nis të mendojë mbi propozimin e fundit që Kryeministri Rama ka bërë për Këshillin Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë. Jo se emri i Ridvan Bodes, ish-ministër i Financave në qeveritë Berisha, në triadën që Qeveria do t’i prezantojë Parlamentit ngriti tymnajën e pritshme në radhët e Partisë Demokratike. Por se dje Kryeminisri u merakos vetë të orientojë në këtë drejtim debatin e lindur. “Bode u shpall tradhtar” dhe “nuk e kam propozuar përsa shumë ka luftuar politikisht kundër qeverisë tonë dhe meje në Parlament”, janë dy fjali kyçe të ligjëratës së Ramës nga Fejsbuku, të cilat përpiqen ta hedhin mollën e sherrit në oborrin e PD.

Fraza që, të përkthyera sipas qëllimeve të Ramës, kërkojnë të thonë pak a shumë këtë: Ata shpallën tradhtar dikë që në Parlament ka luftuar ashpër kundër qeverisë sime. Një cytje e qëllimshme për të futur Partinë Demokratike në një tjetër betejë të brendshme, por, mbi të gjitha, për të fshehur një nga të vërtetat e mëdha të këtij emërimi: Mohimin e tetë viteve opozitë! Sepse propozimi që Rama Kryeministër i bën një politikani të anatemuar në dy legjislatura, hedh poshtë çdo pretendim të Ramës si opozitar. Qartësisht kjo nuk është hera e parë që Rama përmbys veten, sepse piruetat e tij kanë qenë marramendëse në gjashtë vite; megjithatë, tani që emrit të Majlinda Bregut i shtohet edhe Ridvan Bode, si opozitarë që nëpërmjet Ramës shkojnë t’i shërbejnë “interesave kombëtare” (edhe këto fjalë i ka thënë Rama), mund të thuhet që Kryeministri po qeveris me ministrat e ish-Kryeministrit Berisha.

Sigurisht, ata nuk i shërbejnë për të mbushur vende për të cilat ‘sallaksët’ në radhë janë me dhjetra e qindra; por për të mbajtur, edhe nëpërmjet makinacioneve, në këmbë një qeveri që prej dy vitesh nuk po qeveris dot. Një qeveri që nuk i thotë më asgjë shqiptarëve, që nuk po prodhon dot asgjë për të fituar votbesimin e tyre. Për këtë arsye, terrenin e humbur në të bërit politika, po kërkon ta fitojë duke bërë politikë me “letrat e kundërshtarit”. Pikërisht duke i përdorur kundër tij.

Objektivi minimal është që profile si ato të Bodes dhe Bregut të mos paqtohen kurrë më me Bashën; ndërsa maksimali është që ata, duke mbajtur poste publike, të shërbejnë si një plagë e vjetër, e cila hapet në “kohët me shi” për kundërshtarin e tij. Për sa i përket z. Bode, përgjigjia pozitive ndaj sms-së së Ramës mund të përfaqësojë një revansh ndaj kundërshtarit të dikurshëm, i cili sot i thur lavde; por, ajo më e rëndësishmja është se, njëkohësisht, PO-ja demonton legjendën urbane mbi Marrëveshjen e majit 2017 dhe kauzën e kundërshtarëve të Bashës. Pasi, sipas rasteve ‘Bregu’ dhe ‘Bode’, mund të themi se nga ajo që kemi parë deri më tani, Kryeministri marrëveshjen e ka me ‘të përjashtuarit’ nga PD, dhe jo me kreun e opozitës.

Pra, nga të dyja mund të qëndrojë vetëm njëra. Dhe, me sa duket, zonja Bregu dhe zoti Bode kanë bërë zgjedhjen e tyre.

© Politiko

Facebook Comments