Nga Fitim ZEKTHI

“All animals are equal, but some animals are more equal than others.”
George Orwell, Animal Farm

Protesta e banorëve të zonës së Astirit në Tiranë çoi në përplasje fizike mes tyre dhe Policisë përballë godinës së Kuvendit. Pati dhunë, pati përdorim shkopinjsh, u arrestuan protestues, në spital përfunduan disa protestues dhe dy punonjës policie. Kjo ishte pika më e lartë e protestës pas disa ditësh bllokim rrugësh dhe arrestimesh nga policia.

Fakti që qeveria arriti në këtë pikë tregon se ajo është në vështirësi të mëdha. Pushteti, thotë Hanah Arendt në esenë “Mbi dhunën”, ka të bëjë me aftësinë e njeriut jo thjesht për të vepruar, por për të vepruar në koordinim. Pushteti nuk është kurrë diçka individuale. Ai i përket grupit dhe ekziston derisa sa ekziston grupi. Ndërkohë që fuqia ka të bëjë me diçka individuale (psh fuqia e një luftëtari apo ajo e Herkulit) dhe forca ka të bëjë me diçka si forcat e natyrës apo forcat lëvizëse të shoqërisë dhe është e lidhur me energjinë.

Dhuna nga ana tjetër ka karakter instrumental, është afër fuqisë dhe duket sikur ka për funksion të rrisë fuqinë. Mirëpo dhuna, thotë Arendt, shkatërron pushtetin. Nga gryka e armës ose nga shkopi i gomës, ose nga arrestimi mund të vijë përkulja ose bindja e menjëhershme, por kurrë nuk vjen pushteti. Arendt merr si shembull kërcënimet apo dhunë e Kaligulës dhe të Neronit dhe thotë se ata, jo vetëm që nuk e zgjeruan pushtetin me të, por e pakësuan deri në zhdukje.

Në të vërtetë, Qeveria dhe Kryeministri kanë më pak pushtet, kanë pushtet më të dobët, por mund të kenë më shumë fuqi dhe mund të ushtrojnë edhe më shumë dhunë. Ata janë në një rrugë pa krye dhe do të shkojnë gjithnjë e më shumë drejt kësaj lloj sjelljeje.

Pas protestës Kryeministri kërcënoi se nuk do lejojë dhunën ndaj Policisë. Ai tha se të gjithë zaptuesit profesionistë, duke nënkuptuar se një pjesë e atyre që protestojnë janë zaptues, dhe të gjithë politikanët e shpifjeve duhet të rrinë larg. Rama tha ‘merrni ç’ju jep ligji dhe ikni nga rruga!’. Pra, Rama e vijoi dhunën me mjete të tjera. Ai i quajti një pjesë të protestuesve ‘zaptues’. Gjithashtu ai u përpoq të lidhë dhe protestën me politikanët që shpifin dhe që nxisin dhunën.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili ka marrë një rol të rëndësishëm, sa edhe i Kryeministrit, në propagandën qeveritare, ndonëse drejtues lokal, tha se vendi nuk do të kthehet më te “salinjtë”. Pra, Veliaj i quajti në një farë mënyre protestuesit “salinj” duke nënkuptuar se ata po bënin gjëra që i bën Berisha, ose gjëra që i shkojnë për shtat Berishës. Duhet thënë se në zemër të propagandës më të shëmtuar të PS-së, që nga viti 1991 (që kur ra regjimi enverist ose nisi rënia e tij) ka qenë portretizmi i Berishës si njeri që proteston dhe që shkatërron, si njeri që nuk e do demokracinë dhe ligjin. Me këtë stileme enveriste PS-ja ka ecur gjithnjë. Asaj i duhej një armik, i duhej një narrativë me armik, bash siç bëri PKSh-ja që nga 1941 me Ahmet Zogun apo me figurat nacionaliste kundërshtare me të. Veliaj iu quajti protestuesit ‘njerëz që shkatërrojnë’ dhe ‘që nuk duan drejtësi dhe ligj’. Më herët ai i quajti ata ‘shpellarë’.

Kjo dhuna e dytë është edhe më e rëndë dhe më domethënëse se sa e para. Kjo dhuna e dytë e bën Qeverinë me pushtet edhe më të dobët. Kjo dhuna e dytë synon t’i cilësojë protestuesit njerëz që kanë një problem me shoqërinë, njerëz që kulturalisht kanë një dallim me shoqërinë dhe nuk pranojnë moralin dhe kulturën e saj. Lloji i dytë i dhunës synon t’i cilësojë ata si një problem për shoqërinë, si një pengesë për shoqërinë. Duke qenë kështu ata nuk meritojnë të drejta, ata janë TJETRI, ata demonizohen; me ta mund të bëhet shumëçka.

Demonizimi i tjetrit është një nga teknikat më të ndyra të propagandës që kërkon që tjetri të shihet si armik, si agresor (Rama tha që janë zaptues) me objektiva shkatërrimtare (Veliaj ka thënë që ata duan të ndalin zhvillimin, Rama ka thënë që ata duan shkatërrimin etj). Kjo teknikë e ndyrë propagande kërkon që të nxisë urrejtjen e shoqërisë për një grup të caktuar në mënyrë që ta bëjë më të lehtë dhunën dhe dominimin e tyre.

Hitleri, Stalini, Enver Hoxha dhe dhjetëra regjime totalitare kudo në botë, i kanë përdorur gjerësisht teknika të tilla. Sikur edhe vetëm për faktin që një Qeveri trajton në këtë mënyrë një pjesë të popullit, meriton zemërimin e të gjithë popullit. Qeveria që trajton në këtë mënyrë një pjesë të popullit trajton, në këtë mënyrë të gjithë popullin. Kjo lloj dhune nuk do ta bëjë kurrë më të madh pushtetin e saj, përkundrazi.

Banorët e zonës së Astirit, të cilëve do t’u prishen shtëpitë për shkak të rrugës që do të ndërtohet, duhet të trajtohen si të gjithë shqiptarët e tjerë që kanë ndërtuar pa leje. Në qoftë se një qeveri legalizon, pra shpall të ligjshme si prona, 1 milionë ndërtime, ajo qeveri nuk mund të veçojë 500, 600 apo 1500 apo edhe 100 000 mijë ndërtime dhe të mos i shpallë ato të ligjshme, në një kohë që kushtet kur ndërtimet u bënë të paligjshme ishin të njëjta për të gjithë. Një ligj është i drejtë vetëm kur i trajton të gjithë në një mënyrë. Nqs ligji në fuqi nuk e lejon qeverinë t’i dëmshpërblejë, atëherë duhet të ndryshohet ligji. Me këtë argument, që ata janë zaptues ose kanë ndërtime pa leje apo të palegalizuara ende, qeveria i ka dhënë vetes të drejtë të prishë 600 apo 700 mijë ndërtime. A e ka ajo këtë të drejtë? A mund ta përdorë ajo këtë gjuhë ndaj 1 milionë ose dy milionë shqiptarëve?

© Politiko

Facebook Comments