Nga Agim XHAFKA

Jo do e hidhja, por do e flakërija në ndonjë kanal.

Kështu do veproja në se do isha polic dhe do më urdhëronin të rrihja e të shtyja njerëzit në Unazë se mbrojnë shtëpitë e tyre.

Por ata duke mbrojtur shtëpinë mbrojnë atdheun, ata duke mbrojtur shtëpinë mbrojnë djersën dhe punën e tyre, mbrojnë fëmijët dhe pleqtë e pamundur.

Atëherë si unë polici do sulesha mbi ta dhe do ua zbrazja folenë? Si do u hapja rrugën fadromave ? Si do ua lehtësoja vjedhjen qeverisë dhe oligarkëve?

Ndaj do e hiqja në çast kapelën dhe pa parë fare se ku do përfundonte do e vërvitja.

E më pas do lëshoja një breshëri mallkimesh e sharjesh mbi shefat e mi dhe do ikja larg nga uniforma blu dhe nga kolegët që si robotë zbatojnë urdhrat e kusarëve dhe janë vënë në shërbim të mafies.

Nuk do rrija asnjë ditë polic, se të nxjerrësh 600 familje nga shtëpia do të thotë që je kthyer në katastrofë natyrore. Do bësh dëm më tepër se një tërmet gjigant.

Dhe nuk do jesh i qetë tërë jetën. Asnjë minutë gjumë nuk do bësh nga që u ke prishur gjumin mijëra njerëzve, nga që u ke hequr atyre ngrohjen, rehatinë.

Nga që u shkatërrove pronën dhe shpirtin.

Keq e më keq do më shkojë jeta në se do vazhdoja të rrija polic i tillë. Se kam kryer krim duke bërë gjenocid.

Nuk kam justifikim, ashtu më urdhëruan. Zoti sheh dhe dallon atë që ndihmon dhe atë që shkreton.

Unë në se do isha polic do e hidhja kapelën në ferra.

Do bëhesha njësh me hallexhinjtë e unazës.

Nuk do ngrija dorë kundër tyre.

Se ata krimin e vetëm që kanë bërë është djersa derdhur në ato themele.

Djersë gatuar me ëndërra me shpresa dhe gëzime.

Urdhrat për prishje shtëpiash janë krime, janë gjenocid i pastër.

E si mund të zbatohen?!

Hë, më thoni!

© SYRI.net

Facebook Comments