Intervistoi Xhevdet SHEHU

Prof. Milo, eshtrat e Mit’hat Frashërit do të rivarrosen sot në atdhe me një ceremoni shtetërore. Ju si historian, por edhe si politikan, a do të merrni pjesë në këtë ceremoni?

– Po, do të marr pjesë në ceremoni për të nderuar Mit’hatin si albanolog, si njeri i kulturës, si ish-diplomat, për aq kohë sa ka shërbyer në diplomaci, pra do të vete për Mit’hat Frashërin si njeri i kulturës dhe i shkencës. E kam thënë dhe e rithem se figura e Mit’hat Frashërit duhet gjykuar në kompleksitetin e vet. Pra të gjykojmë jo vetëm për Mit’hat Frashërin si politikan dhe kryetar i Ballit rivarrimi i eshtrave të Mit’hat Frashërit si dhe kthimi në atdhe i eshtrave të njerëzve të tjerë që kanë pasur një kontribut në historinë shqiptare ose që në fund të fundit kanë qenë shtetas shqiptarë, është një e drejtë e ligjshme dhe e pakontestueshme nga pikëpamja njerëzore dhe kjo nuk duhet të ketë asnjë diskutim. E drejta dhe liria njerëzore për t’u prehur përjetësisht atje ku dëshiron është sovrane dhe e patjetërsueshme. Kontributet e tij duhen njohur dhe në fushën e diplomacisë. Në mënyrë të veçantë Mid’hat Frashëri ka spikatur me veprimtarinë e tij si ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë në vitet 1923-1926. Gjithashtu dua të nënvizoj se ai u largua nga misioni i tij diplomatik në shenjë proteste kundër marrëveshjes që Ahmet Zogu bëri me jugosllavët për dhënien e Manastirit të Shën Naumit dhe të Vermoshit. Ka dy dokumente të rëndësishme, letra që ai i drejton Ahmet Zogut në këtë kohë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë nga Athina, në të cilat kundërshton këtë marrëveshje dhe paralajmëron Zogun për rrjedhojat që do të vinin prej saj.

Por, si është mundur të ndahet në dy pjesë Mit’hati? Pra si mund të ndahet njeriu i kulturës nga ai i politikës në rastin e Mit’hatit?

– Unë dua të jap një mesazh me praninë time atje që, pavarësisht se si historian, unëMit’hat Frashërin si politikan dhe kryetar të Ballit Kombëtar e analizoj dhe mbaj qëndrim negativ, unë shkoj për Mit’Frashërin që e ndaj dhe dua ta ndaj dhe duhet të mësohemi që t’i ndajmë disa personalitete të historisë shqiptare nga e keqja që i zuri, apo nga e keqja që përqafuan në një moment të caktuar të jetës së tyre. Pra për të shpëtuar atë ça ata bënë në interes të kombit dhe të ardhmes së tij. Sepse, po qe se do të vazhdojmë që në emër të disa veprimeve që ata kanë bërë në jetën e tyre, të mohojmë tërësinë e veprës së tyre, ne do të sakrifikojmë shumë personalitete komplekse, që nuk duhen sakrifikuar. Pra nga kjo pikëpamje, mund të kemi dhe kemi patur vërejtje edhe për personalitete të tjera të historisë. Edhe për Faik Konicën, ku nesër (sot) do të fqinjërohet me Mit’hat Frashërin në prehjen e tij të përjetshme. Por, duhet ta bëjmë këtë operacion të vështirë, të ndërhyrjes kirurgjikale analitike dhe historike, për të shpëtuar çfarë mund të shpëtohet nga vepra e tyre. Ky është mendimi im.

Sidoqoftë, mendoj se çështja në rastin e Mit’hatit është më e ngatërruar. Ai ka qenë Kryetar i Ballit Kombëtar gjatë pushtimit fashist dhe ka bashkëpunuar me pushtuesit. Është pikërisht ky fakt që ka ngjallur shumë debate kohët e fundit. Pra si mund të mohohet fakti i kolaboracionizmit të tij?

– Kjo është e vërtetë. Mit’hati e këtë hije në jetën e tij dhe kjo është e pashlyeshme. Por kjo nuk do të thotë të mos lejosh që ai të prehet në vendin e tij. Unë e kuptoj fare mirë thelbin e debatit, ashtu si dhe ndjeshmërinë e atyre që janë kundër kësaj ceremonie. Kjo ndodh sepse në Shqipëri, si për shumë e shumë gjëra të tjera, edhe nismat për vlerësime të figurave historike në këto afro 30 vitet e fundit janë marrë në shumicë rastesh në mënyrë krejt subjektiviste, shpesh si qoka për një person, familje apo fshat. Vetëm në Shqipëri ka ndodhur që janë dekoruar ose u janë ngritur buste e statuja edhe kriminelëve të mirënjohur të luftës e bashkëpunëtorëve të hapur të nazifashizmit. Ka shumë njerëz të shquar që kanë sakrifikuar jetën duke shërbyer, personalitete të kulturës, të artit, të arsimit e të shkencës që duhej të vlerësoheshin e të hynin në fondin e artë të memories historike të kombit. Unë jam për këtë kategori të dytë, pra të njerëzve me kontribute. Kriteret për vlerësimin e njerëzve me kontribute duhet të mësohemi t’i përcaktojmë qartë dhe t’i respektojmë, ato nuk duhet të jenë subjektive, nuk duhet të ndryshojnë me rotacionin politik të partive dhe as nga gjykimet apo shijet subjektiviste të kryetarëve të shteteve apo qeverive. Si për mjaft “thyerje” të tjera tabush e dalje jashtë skemave tradicionale, qeveria Rama që sheh më tepër efektet publike të shfaqjes sesa thelbin e veprimit, vendosi dhe ndërmori aktin e kthimit të eshtrave. Njerëzore për nga mesazhi, e diskutueshme për shkallën e nderimit. Prandaj dhe mendoj se qeveria aktuale, pa i shtuar emërtesat e majtë ose e djathtë, këtë personalitet të historisë shqiptare e ka trajtuar thjesht përmes veprës së tij si njeri i kulturës dhe i albanologjisë dhe jo me konceptin politik. Nëse do të shtrohej çështja e kontributeve të tij apo dhe qëndrimeve të tij politike, kjo do të ishte një çështje tjetër që hap diskutime. Sepse është e njohur me fakte dhe dokumente se jeta politike e Mit’hat Frashërit në vitet e Luftës së Dytë Botërore nuk i bën nder atij. Kontributet e tij janë më të mëdha si njeri i kulturës, diplomacisë dhe albanologjisë. Në këtë aspekt duhet ta shohim dhe ta arsyetojmë ceremoninë e sotme për Mit’hatin…

Po këmbëngul edhe njëherë te roli dhe kontributet, (nëse mund të quhen të tilla), të Mit’hatit si politikan. A mund të fshihet apo të injorohet roli i tij si kryeballist dhe bashkëpunëtor i pushtuesve nazi-fashistë?

– Për Mit’hat Frashërin si politikan apo për ta trajtuar figurën e tij në rrafsh politik, po e them me bindje të plotë dhe me argumente të padiskutueshme se ai jo vetëm nuk ka shkëlqyer, por ka gabuar dhe jo në një rast. Mit’hat Frashëri ka gabuar në radhë të parë në vitin 1913, kur braktisi Ismail Qemalin dhe qeverinë e tij dhe u bashkua me Esat Pashë Toptanin. Që para pavarësisë e deri në 1923 ka shkruar disa herë me terma tepër të ashpra e plot akuza kundër Ismail Qemalit. Ai u tërhoq nga jeta aktive politike pas vitit 1926 dhe u mbyll në botën e tij kulturore e letraro-shkencore. Qëndroi neutral ndaj politikave të Ahmet Zogut kur e kaluara dhe formimi i tij nuk ia lejonin indiferencën dhe mbylljen në “kullën e fildishtë” të librarisë së tij famëmadhe. Mit’hat Frashëri gaboi në një moment historik kur njerëz si ai duhej t’i bashkoheshin rrymës së përgjithshme dhe aktive të antifashizmit. Ai u bë kryetari i Ballit Kombëtar, i një force që tradicionalisht duhej të përfaqësonte alternativën politike të djathtë shqiptare, aq sa ajo mund të ekzistonte si e tillë në rrethanat e Shqipërisë së kohës. Mit’hat Frashëri në formim ka qenë liberal, por nuk kishte vullnetin e fortë të veprimtarit politik konsekuent e në terren. Kjo e çoi në kompromise e bashkëpunim dhe me qeveritë kolaboracioniste. Ishte njeri intelektual që nuk rrezikonte të dilte jashtë komoditetit të kësaj jete dhe iu përshtat rrethanave të pushtimit për të ruajtur statusin e mirëqenien. Nacionalizmin e ruajti si trashëgimi familjare dhe më tepër e përdori si filozofi mbijetese dhe jo si flamur aksioni në luftën kundër fashizmit. Vlerat e tij të mëdha si dijetar, njeri i kulturës dhe i shkencës nuk ndikuan në orientimin e tij politik në vitet e luftës. Mit’hat Frashëri si politikan e kryetar i Ballit Kombëtar është një hije e Mit’hat Frashërit si albanolog, bibliofil e antikuarist. Vorbulla e kolaboracionizmit e komprometoi. Ali Këlcyra, si një nga udhëheqësit e Ballit Kombëtar, ka firmosur marrëveshjen me gjeneralin Renco Dalmaco në vitin 1943, para Mukjes për veprime të përbashkëta me trupat italiane të pushtimit kundër forcave antifashiste. Nuk mund të shkarkohet nga përgjegjësia Mit’hat Frashëri, kryetari i një partie, kur një nga liderët e saj, sigurisht jo vetëm dhe pa pëlqimin e lidershipit të partisë, firmos një marrëveshje të tillë antikombëtare.

Për më tepër, pavarësisht nëse u realizua ose jo një projekt-marrëveshje e iniciuar nga Balli Kombëtar dhe që u bënë hapa për ta realizuar atë në vitin 1944, për krijimin e një shteti të përbashkët greko-shqiptar, ku në fakt forcat shqiptare do të viheshin nën komandën e shtetit grek. Ishte një akt tjetër që tregonte miopizmin politik të Mid’hat Frashërit. Këto fakte janë të njohura, janë publike, janë të dokumentuara pavarësisht që ka njerëz që përpiqen t’i mohojnë ose t’i justifikojnë.

Prandaj dhe i arsyetoj ata që janë kundër ceremonisë aktuale për Mit’hatin.

Mirëpo, profesor, pavarësisht dëshirës suaj për të mos i zemëruar adhuruesit e flaktë të Mit’hatit, si historian a nuk iu duket paradoksal fakti që këtë akt të rivarrimit të eshtrave të një ish-kolaboracionisti e bën një forcë politike si PS dhe qeveria e saj, që pretendojnë se mbrojnë antifashizmin?

– Unë mendoj se kjo qeveri që përfaqëson një parti të së majtës shqiptare, madje trashëgimtaren e Partisë së Punës ka shkuar shumë larg për të qenë një parti e majtë klasike në kuptimin e fjalës. Ka një devijim nga vetë programi fillestar i saj, i cili tashmë është një melanzh, (përzierje) po përdor këtë termin e huaj, pikëpamjesh të cilat janë rrjedhojë e adoptimit të politikave aktuale të saj në terrenin shqiptar për politikën e ditës me disa teza të huazuara të socialdemokracisë evropiane, të cilat jo gjithnjë edhe ato i ka provuar koha se kanë qenë të sakta. Vetë socialdemokracia evropiane sot mund të them se është në krizë. Në një krizë identiteti i cili reflekton edhe në një krizë identitare të vetë Partisë Socialiste në Shqipëri. Sepse socialdemokracia evropiane është rrudhur, nga të qenurit forca e parë qeverisëse ne Europë. Në favor të partive politike të së djathtës dhe për fat të keq po shkohet në drejtim të së djathtës ekstreme në mjaft vende evropiane. Pra, me pak fjalë, Partia Socialiste nuk është se ka ndryshuar qëndrimi në raport me disa figura historike të dyshimta për qëndrimet e tyre në Luftën e Dytë Botërore. Partia Socialiste është duke u ripërshtatur koniunkturave politike të brendshme më tepër dhe padyshim vetë përpjekjeve që bën socialdemokracia evropiane për t’u larguar nga pozitat tradicionale të politikave thellësisht sociale, dhe për t’u spostuar drejt qendrës së gravitetit social, për të mos thënë për të krijuar rrethin e vet të mbështetësve të qarqeve të pasura elektorale.

Megjithatë, unë paradoksin e shikoj në një fakt tjetër. Deri në vitin 1990 as që bëhej fjalë dhe as i shkonte ndërmend një njeriu normal të sillte eshtrat e Mit’hat Frashërit në atdhe. Ato nuk u sollën as në këto 28 vjet, kur vendin e kanë qeverisur edhe qeveri të djathta. Ndërkohë që figura të tjera të historisë shqiptare me dimensione shumë herë më të mëdha në pikëpamje historike por edhe politike, mbeten pengje të asaj ndasie të madhe politike ndërshqiptare që i ka rrënjët në Luftën e Dytë Botërore. Për figurën e Enver Hoxhës, fjala vjen, Shqipëria e sotme nuk është në gjendje të përballojë një debat e një veprim politik, ndërkohë që ai prehet në varrezat publike të Sharrës. Klima e nxehtë konfliktuale politike sot, që vazhdon të ushqehet fuqishëm me armiqësitë e thella të kohës së Luftës së Dytë Botërore dhe përjetimet e mëdha të luftës së klasave në komunizëm, nuk lejon gjykime objektive. Do të duhet një moment tjetër, vite më vonë. Një shoqëri e traumatizuar dhe e gjymtuar në themelet e saj nga e kaluara, por jo më pak edhe nga e sotmja, do kohë që të shërohet.

A e meriton një vendprehjeje Mit’hati pranë të atit dhe xhaxhallarëve të tij te Kodrat e Liqenit ku ai do të vendoset sot?

– Vepra e Mit’hat Frashërit nuk mund të krahasohet as me veprën e të atit të tij dhe as me veprën e xhaxhallarëve të tij. Kryesisht ajo mbetet një vepër e çmuar në rrafshin kulturoro-albanologjik. Si e tillë, unë do të mendoja që vendi i tij do të ishte një bust ose në Akademinë e Shkencave përbri Eqrem Çabejt e Aleks Budës, sepse aty është edhe fusha e tij më e ndritur, ose në Bibliotekën Kombëtare ku ai ka lënë një pasuri të çmuar për Albanologjinë, një pasuri të jashtëzakonshme.

Por,e ritheksoj qëndrimin tim të palëkundur se vlerësimi i historisë shqiptare gjithnjë duhet bërë nga largësia e viteve, të cilat lejojnë të gjykohen ngjarjet dhe figurat historike me qetësi, me objektivitet dhe me drejtpeshim. Kështu ndodhi edhe me figurën e Mit’hat Frashërit.

Facebook Comments