Nga Ilir DEMALIA

Në gazetën “Panorama”, lexova një pjesë nga libri i Vera Bekteshit, së cilës, nuk ia kam lexuar librat dhe nuk mund ta paragjykoj apo të gjykoj në tërësi librat e saj.
Për aq sa lexova pjesën e botuar në gazetën “Panorama”, ka të pavërteta dhe sajesa, që, për ne që kemi jetuar atë kohë dhe kemi ndjekur ngjarjet, tregimit të Bekteshit i kërcasin planet, siç thuhet në kinematografi.

Fëmijët e Sadik Bekteshit, ashtu si dhe të Mehmet Shehut, (jo Skënderi) apo fëmijët e Kiço Ngjelës, djali i Manush Myftiut, Agim Myftiu, djali i Kadri Hazbiut, i ndjeri Agron Hazbiu, të cilin e kam njohur personalisht në atë kohë, nuk ishin dogmatikë dhe gijotinarë të Enver Hoxhës si baballarët e tyre. Ishte e kundërta, këta shikoheshin me simpati nga ata që ishin të prekur nga regjimi dhe nga “rrugaçëria” e Broadway-it. Këta ishin avangardë dhe një rebelim simpatik për rininë e Tiranës së fillimviteve ’70. Kjo ishte logjike, edhe pse këta kishin informacionin shumë më madh dhe “sigurinë”, por mbi të gjitha ishte natyra tyre qytetare që binte ndesh me djemtë e të ardhurve më të vonshëm të regjimit.

E veçova Skënderin, që nuk ishte si këta, pasi në një bisedë me Bashkimin Shehun në vitin 1992 në shtëpinë time në Tiranë, pasi isha kthyer nga Gjermania, gjatë bisedës, ku po diskutonim gjëra të ndryshme, Bashkimi, ndërmjet të tjerave, më tregon për brutalitetin dhe ashpërsinë e të atit në shtëpi. Sesi ky (Bashkimi) dhe Ladi ruheshin dhe nuk flisnin në sy të Skënderit, pasi Skënderi ishte dogmatik dhe i tregonte gjithçka të atit. Ndërmjet të tjerave më tregoi, se si një herë, Mehmeti e kishte kapur në dhomën e tij duke lexuar “Procesin” e Franc Kafkës, ia kishte grisur librin, duke i bërtitur rëndë me një histeri të frikshme. Apo si Bashkimi e ndryshonte modelin e flokëve kur dilte jashtë dhe si e ndryshonte në shtëpi në sy të prindërve. Në lidhje me Skënderin dhe dogmatizmin e tij kemi dhe një fakt tjetër që e di nga i ndjeri miku im, Jamarbër Marko (Madu), djali i Petro Markos. Kur Madun e larguan nga Vlora si gazetar i porsanisur, shkrimi i parë i tij, u bë shkak për ta larguar nga gazetaria dhe Vlora dhe për ta lënë të papunë në Tiranë. Jamarbër Marko takohej me Skënderin. Ndërmjet të tjerave, Madu i thotë Skënderit një ditë se, “Enveri do të eliminojë Mehmetin…”. E të tjera, e të tjera, ashtu siç fliste Madu. Skënderi ia tregon këtë Fiqretes, e cila lajmëron Sigurimin dhe pastaj, Madu përfundon në arrestim. Sipas Madusë, Skënderi nuk e ka bërë me qëllimin të arrestohet Madu, por ky ishte Skënderi dhe nuk ishin kështu Ladi dhe Bashkimi.

Kjo vërtetohet po të lexohet libri i Petro Markos “Retë e gurët”, ku shkruan:

[…] “Mbas pesë muajsh hetuesi, më 31 dhjetor 1975, u dha vendimi i gjyqit: Gjashtë vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë. Në takimin e parë me djalin, përpara se të nisej për në Spaç, takim me dy palë hekurash mes nesh, ai ishte jashtë mase i tronditur, i verdhë, i ënjtur, i deformuar. Ne e pyesnim dhe ai heshtte. Shqiptoi vetëm disa fjalë të pakuptimta për ne: ‘Jam këtu për të dytin’”.

Jam këtu për të dytin, ishte fjala për Mehmet Shehun, për atë që i pati thënë Skënderit.

E bëra këtë parabolë, pasi, nuk mund të kuptoje në atë pjesë të tregimit të Bekteshit, paraqitjen e Mehmet Shehut si njeri për t’u pasur zili në karrierën e tij. Bekteshi shkruan:

“Jo vetëm ne fëmijët që u rritëm në Bllok, kur filluam të mendonim me mendjen tonë (kush e pati atë fat), por edhe shumë të tjerë, e dinim fare mire se e kaluara e Kryeministrit shqiptar ishte për t’u pasur zili: shkolla amerikane e ‘Fulzit’ në Tiranë, më pas akademia ushtarake në Itali, Lufta e Spanjës, eksperienca në Francë, komandant i Brigadës së Parë Sulmuese gjatë Luftës së Dytë…”.

Më poshtë, Bekteshi vazhdon dhe tregon sesi Kryeministri rrinte i ngrysur, pasi ai ndihej superior me të tjerët, por në të vërtetë ishte shumë i qeshur. Kështu na tregon Bekteshi në një rast gjatë një vizite për vdekjen e së ëmës të Kryeministrit më jetëgjatë në historinë e Shqipërisë dhe GIJOTINARI numër një dhe më besniku më i madh diktatorit Hoxha.

Në luftën e klasave, Mehmet Shehu ishte më xhahili dhe vrastari. Në luftën kundër shfaqjeve të huaja pas Festivalit 11, ai mori gërshërët e doli vetë nëpër Tiranë, duke i prerë flokët e pantallonat në rrugë të rinjve.

Bekteshi shkruan se Shehu, ndryshe nga Hoxha, ishte trim, ai kishte vrarë, por jo pas krahëve?!! Kë do të quajë vrasje burrërore Bekteshi, vrasjet e 20 italianëve të kapur robër në Lushnje? Të 70 të tjerëve në Mallakastër? Vrasjet e pa gjyq në Mirditë, ku pushkatuan 18 vetë në gusht 1949 si hakmarrje terror për vrasjen e Bardhok Bibës pa gjyq? Që groposi së gjalli disa prej tyre? Përse Bekteshi do t’i japë një fytyrë humane dhe burrërore një krimineli ordiner dhe sadisti që ka mbjellë vetëm frikë dhe terror gjatë sundimit tij në pushtet?! Bekteshi, na tregon sesi ajo, së bashku me Spartak Ngjelën dhe Vladimir Shehun, djalin e Kryeministrit, i mbajtën premtimet?!!

Tregon për diçka që unë e kam dëgjuar nga Spartak Ngjela në vitin 1995. Ngjela tregonte se te bisedonin në plazh në vitin 1973 me Ladin kundër regjimit, dhe kjo është e besueshme deri këtu, Ladi, i paska thënë Ngjelës: “I pari do t’i hajë të tërë dhe do të na vijë radha dhe ne. Por poshtërimin e këtyre unë nuk mund ta duroj dhe metoda më e mirë për të vdekur n’paqe, është vetëvrasja me korrent, duke futur dy tela në prize dhe…”

Për ata që njohin nga afër Avokatin dhe për logjikën e situatës dhe kohës kur zhvillohet kjo bisedë, kjo është pak e besueshme. Pse? Në vitin ’73-74, jo vetëm Ladit, por edhe Ngjelës e Verës, as nuk i shkonte mendja se do përfundonin ashtu. Rebelimi tyre ishte një llastim. Kryeministri Mehmet Shehu, në vitin 1974 ishte në zenith të pushtetit dhe priste e vriste si t’i donte qejfi. Kriminel i pamëshirshëm dhe aspak ashtu siç do të na e paraqesë Vera Bekteshi, se ishte trim, po nuk vriste pas shpine.

Ladi ishte APPSH, pra, komunist dhe kryeinxhinier i URT-së dhe nuk kishte pse të mendonte vdekjen në atë kohë, me gjithë “pakënaqësitë apo kundërshtitë”, që mund të kishte me të atin dhe regjimin e tij.

Bekteshi flet edhe për fejesën e Skënder Shehut me Silva Turdiun. Ajo e paraqet si një gjë të kurdisur, për të goditur Kryeministrin Shehu, dhe në anën tjetër si një sfidë e djemve të Shehut dhe vetë Kryeministrit për t’u afruar me klasat e përmbysura apo kundër regjimit. E gjitha kjo nuk ka kuptim. Nuk ka kuptim, sepse Mehmet Shehu, në asnjë moment të jetës tij, siç tregon letra që ka lënë, nuk i ka shkuar mendja të jetë kundër Enver Hoxhës. Në të kundërt, në krimet e përbashkëta, Shehu tejkalonte me zellin e një vasali urdhrat e Enver Hoxhës. Familja Turdiu nuk konsiderohej e persekutuar me statusin e kohës. Qazim Turdiu ishte profesor Matematike në Universitetin e Tiranës dhe njihej si njeri serioz dhe i aftë në lëndën e tij. Silva, studente në Ekonomik dhe volejbolliste e Dinamos. Theksoj: e Dinamos, ku filtrat biografikë shikoheshin me imtësi në Klubin e Ministrisë së Punëve të Brendshme “Dinamo”. Silva Turdiut nuk iu pengua as edhe një herë dalja jashtë shtetit si familje “me biografi të keqe”, derisa ndodhi prishja e fejesës. Paridi, djali i profesorit dhe vëllai i Silvës, ishte student për Inxhinieri Elektronike, një nga degët më të privilegjuara, por jo si privilegj në këtë rast, por si aftësi e një studenti ekselent. Turditë ishin pothuaj të gjithë të shkolluar apo studentë në Universitetin e Tiranës dhe, pothuaj, të gjithë të emëruar në Tiranë me punëra të mira për kohën. Kjo, edhe për shkak të korrektesës dhe aftësisë së tyre. Kështu nuk trajtoheshin familjet e persekutuara. Turditë ishin “jozullumqarë” apo “shqetësues” për regjimin. Në të kundërt, shumë korrektë dhe të përkushtuar në punën e tyre dhe profesionet.

“Vrima”, siç thotë Vera, apo “Cene” siç thoshin tironcit, në biografi, me daja nga nëna, apo burra daje e halle, ishin gjysma e popullsisë. Por me afër se dajën e nënës, Silva Turdi kishte dy xhaxhallarët të arratisur njëri në Kroaci (ish Jugosllavi) dhe tjetri që ishte dhe aktiv kundër regjimit Tiranës, si pjesëtar i Ballit Kombëtar, Ramazan Turdiu në Amerikë. Me “cene biografike” ka pasur edhe anëtarë të Komitetit Qendror, por kjo nuk do të thotë se ishin të persekutuar apo kundër regjimit. Ne të kundërt, këta me cene, ishin me të zellshmit dhe me korrektët me regjimin. Dhe kjo një gjë krejt normale. Me këtë logjikë, i bie që edhe Enver Hoxha ka qenë me biografi të keqe se kishte të pushkatuar nga komunistët burrin e motrës, Bahri Omarin.

Nuk duhen analizuar gjërat nga pozitat e “trimoshit-antikomunist” sot, siç po ndodh rëndom në shoqërinë shqiptare, duke manipuluar e trilluar. Kjo gjë është kthyer në neveri, si një neveri shoqërore e shoqërisë shqiptare për të mos pasur kurajë për t’u ballafaquar me të vërtetën dhe për të nxjerrë mësim nga e keqja kriminale shtetërore që kaloi shoqëria shqiptare për gati gjysmë shekulli dhe vazhdon të sillet në rrethin vicioz të kësaj të keqeje si sundim i establishmetit që i shërbeu me zell diktaturës.

Vera nuk ka sesi të ketë informacione nga brenda Bllokut e internuar ne Berat dhe e izoluar totalisht me gjithë familje, përveçse lajmeve të gazetave zyrtare dhe Radios Tiranës. Ngjarjet me Kryeministrin Shehu ndodhën në mënyrë të rrufeshme. Gjatë Kongresit në nëntor të 1981, (jo 1982) siç është shkruar në gazetë, u kuptua diçka.

Ishte prishur fejesa, jo ashtu siç e përshkruan Bekteshi në pjesën e botuar në gazetë. Bashkim Shehu, sipas librit “Vjeshta e fundit”, por edhe deponimeve të vetë Skënderit në intervista të tij në gazeta dhe TV, pas 1990, Mehmeti, jo që nuk ia ka kundërshtuar prishjen e fejesës Enver Hoxhës pas vizitës së Enverit në shtëpinë e Shehut për “urim”, por fill pas vizitës Enver Hoxhës në shtëpi, ka thirrur Skënderin të bëjë ndarjen. Sipas vetë Skënderit, ky i ka kërkuar të atit të largohet nga shtëpia e të mos prishë fejesën. Por Kryeministri ka qenë kategorik që kjo fejesë ka marrë fund.

Me rëndësi është se në këtë fejesë duhen parë disa marrëdhënie të mëparshme ne lidhje me Skënderin. Pak para 2 apo tre viteve të fejesës, pra, rreth vitit ’77-’79, Skënderin kanë dashur ta fejojnë, siç bëheshin fejesat në Bllok, me mbesën e Nexhmije Hoxhës. Kjo nuk ndodhi, pasi nuk pranoi Skënderi. Me vonë, Skënderi ka thënë: “Po ta dija që do përfundonim kështu, do të kisha pranuar mbesën e Nexhmijes”. Gjatë vitit ’79-’80, Skënderi ishte lidhur me një nga vajzat e bukura të Tiranës në atë kohë, Irena Papa. Kjo vajzë konsiderohej me parametrat e kohës si njeri imoral. Kjo marrëdhënie u bë shqetësuese dhe për familjen Shehu dhe për partinë dhe Sigurimin. Skënderin e larguan nga Irena duke internuar vajzën për sjellje të padenje në shoqëri.

Më pas ndodhi takimi me Silva Turdiun dhe ndodhën ato që ndodhën e që dihen në vija të përgjithshme. Njerëzit që dinë shumë dhe që janë dhe në dosjet hetimore të Feçorr Shehut dhe Skënder Shehut, të cilët kanë deponuar rreth kësaj ngjarjeje në hetuesi dhe gjyq, nuk kanë folur dhe nuk dimë në ekzistojnë këto dosje. Për shembull, Kreshnik Tartari, vetë Turdiu etj.

Bekteshi ka dhe një tjetër pasaktësi si mosnjohje… Ajo shkruan: “Arshi Pipa, profesor letërsie në SHBA, fliste pa da në ‘Zërin e Amerikës’”.

Për të gjithë ata që kanë ndjekur “Zërin e Amerikës” dhe kjo dokumentohet, për vitet që bën fjalë Bekteshi, jo vetëm Arshi Pipa nuk ka qenë aktiv kundër regjimit të Tiranës, por edhe vetë “Zëri Amerikës”, ishte tepër i vakët dhe pa ndonjë impakt në Shqipëri. “Zëri Amerikës” pas vitit ’86 filloi emisione të forta në drejtim të regjimit Tiranës dhe në vitet ’88-’89 pothuaj e dëgjonte rregullisht një pjesë e madhe e popullsisë. Pipa, si filozofi, bindje dhe qëndrim, ishte i majtë. Pipa, ka bashkëjetuar për një kohë të gjatë me një intelektuale kinezo-amerikane maoiste. Këto janë në përgjithësi bindjet dhe formimi intelektual dhe kjo krejt normale, dhe jo kriminale siç trajtojnë “antikomunistët” të majtët, në vendin ku nuk ka as të majtë e as të djathtë, por nga Hudhra e nga Qepa. Temë tjetër kjo.

Pipa filloi të jetë aktiv kundër regjimit të Tiranës me shkrime dhe intervista pas vitit ’81, pas prishjes fejesës dhe vetëvrasjes Mehmet Shehut. Gjatë këtij shkrimi si pjesë e librit të Bekteshit, dhe këtë ma përforcoi dhe një intervistë e saj që më doli gjatë leximit të shkrimit të librit, Bekteshi dhe Ngjela, në inkoshiencë paraqesin nostalgjinë për Bllokun dhe establishmentin “elitar” të tyre që identifikohet me atë jetë. Këta kanë të drejtën e patjetërsueshme, sipas tyre, të sundimit elitar si ngritje e elitave nga krimet familjare.

“Atëherë më dëgjo,- i thashë, – se kur isha në internim, ishim të varfër e s’kishim lekë për libra, por kam shitur gjërat me vlerë për të blerë ato libra. (Librat e Kadaresë) Midis këtyre librave ishte një poezi që thoshte se “Patat fluturojnë në formë V-je. Unë kam pasur miq Kadarenë dhe Elenën dhe m’u duk se ajo poezi ishte shkruar për mua. Thuhej në atë poezi se “diçka e latë te ne diçka e gjetët në re, faleminderit pata për aq sa bëtë për ne”. Nuk ka gjë më lënduese sesa kur mendon se të kanë harruar. Dhe i thashë asaj vajzës se ky është Ismail Kadare dhe lexoje atë dhe mos fol sipas interesave të disave që nuk e duan atë. Nëse Kadare nuk është disident, e gjithë vepra e tij është disidencë”, shprehet Vera Bekteshi në një intervistë në gazetën “Panorama”.

Pasi lexova këtë intervistë, për dreq, pikërisht, kur dy javë më parë u dhanë dy speciale në “Top Channel”, “Demonët e kuq të Ismail Kadaresë” për poezinë “Në mesditë u mblodh byroja” apo siç u quajt rëndom “Pashallarët e kuq”, mendova se Vera, Ngjela, Maks Velo, i cili pasi shkroi një libër, “Një krim letrar”, kur nuk kishte dalë poezia ende, dhe pasi u gjet në arkiva në 2002 dhe u bë gjithë ai debat kombëtar, së paku, për këtë poezi këta tre të persekutuar nga regjimi nuk do ta hapnin më gojën apo do të rreshtonin germa në fletë, në mbrojtje të këtij krimi letrar jo kundër letërsisë, por si krim letrar në shërbim të diktatorit. Diktatori e ndaloi poezinë si një servilizëm i tepruar dhe një ngritje pa kufi e kultit të individit që e ndante atë nga partia.

Këta nuk kanë asnjë refleksion se si dhe pse ndodhi i gjithë ky krim nga paraardhësit e tyre si pjesë e establishmentit kriminal nga ku u ngritën këta si “elitë”. Ajo, për të cilën ata ndjejnë keqardhje dhe që i del nga inkoshienti tyre kur shkruajnë dhe flasin, është humbja e Bllokut dhe statusit elitar nga Blloku. Blloku që gatoi krimet më monstruoze për Shqipërinë dhe shqiptarët në 45 vjet.

Njeriu, letrari, shkrimtari, intelektuali, ndihet i tillë nga raporti dhe besimi moral që ka me të vërtetën dhe me veten. Pra, me ndërgjegjen e tij. Jo nga manipulimi, falsifikimi dhe paraqitja si histori rozë të dramës shqiptare gjatë regjimit më kriminal, për pak autopromocion, me një vanitet deliri e mitomanie. Ku, si pasojë, Bekteshi e Ngjela vuajtën vite burgje e internime dhe prapë dashurohen me dhunuesin. Sindromi i Stokholmit.

Nuk ka si shpjegohet ndryshe admirimi për shkrimtarin, duke e quajtur veprën e tij disidencë, kur te “Pashallarët e kuq”, por edhe pjesa më e madhe e veprës tij, janë propagandë dhe shërbim ndaj regjimit si buletin partie në letërsi. Te “Pashallarët e kuq” shkrimtari i jep GIJOTINËN në dorë diktatorit, duke i bërë thirrje: Zhduki armiqtë e klasës e të partisë burokratët! E këta që do zhdukeshin, ishin pikërisht Ngjelët, Bekteshët….

Ilir Demalia

© Panorama

Facebook Comments