Nga Red VARAKU

Hannah Arendt shkruan në librin e saj “Mbi dhunën”, se objektivi kryesor dhe më i rëndësishëm i çdo regjimi me prirje autoritare është rrënimi i sistemit të drejtësisë. Kjo për shkak se sistemi i drejtësisë është i vetmi mekanizëm që e pengon atë në përmbushjen e qëllimeve të saj. Dëmi që shkakton kjo është fatal, sepse nëpërmjet këtij sistemi ruhen balancat shoqërore, aq të nevojshme që një sistem demokratik dhe një shtet i së drejtës të funksionojë. Pasi sistemi i drejtësisë kalon në kaos dhe kolaps, e vetmja mënyrë për të mbajtur nën kontroll shoqërinë është dhuna dhe represioni.

Jo më kot reforma e parë që ndërmori Kryeministri, të cilën edhe e quajti plot pompozitet “reforma e reformave,” ishte reforma në drejtësi. Me këtë ai synonte që nëpërmjet reformës në drejtësi të fuste në dorë sistemin e drejtësisë, duke cënuar rëndë kështu parimin e shenjtë të ndarjes së pushteteve. Drejtësia ishte kështjella e fundit që ra në duart e tij pasi më parë kishte kishte kapur legjislativin, ekzekutivin dhe median. Duke shtënë në dorë drejtësinë Kryeministri aktual u bë njeriu më i pushtetshëm i këtij vendi pas Enver Hoxhës. Është e qartë që kur një njeri i vetëm i ka në dorë të gjitha pushtetet, natyrshëm priret drejt autoritarizmit, arbitraritetit dhe arrogancës. Por ai harroi që mungesa e një institucioni që garanton ekuilibrat e brendshëm të shoqërisë sjell hemoragji dhe komplikacione të paimagjinueshme si dhe një fund të shpejtë dhe të pashmangshëm.

Sepse kur institucionet e drejtësisë humbasin legjitimitetin, bashkë me legjitimitetin humbet dhe autoriteti moral i tyre, që duhet thënë që është edhe humbja më e madhe për shoqërinë, duke lënë kështu një vakuum të madh jo vetëm institucional, por edhe moral. Për të mbushur vakuumin moral dhuna bëhet e pashmangshme, sepse “dhuna,” shton Arendt, “shfaqet aty ku pushteti është jashtë kontrollit dhe në kaos.”

Sigurisht, kur një pushtet detyrohet të përdorë dhunën ndaj qytetarëve të pambrojtur që ngrihen për të mbrojtur të drejtat e tyre kushtetuese, kjo tregon se ai është i dobët dhe ka hyrë në një fazë, e cila konsiderohet si faza e fundit. Pra, dhuna edhe pse perceptohet si fuqi, në fakt nuk është shprehje e pushtetit, por e dobësisë së tij. Por në mungesë të një sistemi të pakorruptuar të drejtësisë, qeveria nuk ka rrugë tjetër për të kontrolluar hemoragjinë që shkakton mungesa e drejtësisë, ndaj dhuna bëhet e pashmangshme, sepse mbetet i vetmi mekanizëm për të mbajtur nën kontroll shoqërinë.

Në një situatë të tillë ku ekuilibrat socialë kontrollohen nga pushteti përmes dhunës dhe represionit dashuria dhe respekti, të cilat e mbajnë kohezionin social, zëvendësohen nga frika dhe terrori, të dyja ndjesi që e bëjnë jetën të pajetueshme dhe shkaktare të braktisjes së vendit, sidomos nga rinia. Emanuel Kant na kujton që në një vend ku mungon drejtësia, është e pamundur të jetohet. Gjithashtu Arendt paralajmëron se ushtrimi i dhunës ndaj qytetarëve sjell edhe fundin e pashmangshëm të pushtetit. Pra, sipas saj në momentin që pushteti, për shkak të mungesës së një sistemi efikas të drejtësisë, përdor dhunën për të mbajtur nën kontroll shoqërinë, ai po shkon me shpejtësi drejt fundit. Dhuna nuk prodhon autoritet, përkundrazi e rrënon atë. Dhuna e ushtruar nga pushteti nuk bën gjë tjetër veçse e delegjitimon pushtetin. Regjimi komunist ishte regjimi më i dhunshëm i historisë shqiptare, por u rrëzua pikërisht nga ky fenomen, dhuna barbare dhe mungesa e drejtësisë.
Rrënimi i autoritetit të sistemit të drejtësisë në vendin tonë ka prodhuar implikime të rënda, të cilat e kanë bërë më të lehtë rrëshqitjen drejt një rendi të ngjashëm me tiraninë. Kolapsi i sistemit gjyqësor ka filluar të japë efektet e para të cilat po rëndojnë mbi të varfërit, të dobëtit dhe të pamundurit. Kjo ka sjellë një disintegrim social të ngjashëm me atë të regjimit komunist. Me ç’duket dhuna dhe arroganca është e vetmja gjë që i ka mbetur një kaste tashmë të diskredituar.

Ligji, nga një instrument i moralitetit, është kthyer në një instrument të imoralitetit për të mbajtur shoqërinë nën kontroll me çdo kusht. Pushteti ka ndërtuar një aparat ligjor dhe policor për të mbajtur nën kontroll zemërimin e qytetarëve të grabitur dhe të dhunuar padrejtësisht. Është një aparat me pushtet të pakontrolluar, i cili funksionon si sahat për të vjedhur dhe grabitur, si dhe për të mpirë dhe ç’aktivizuar reagimin qytetar nëpërmjet dhunës dhe presionit. Rasti i Kukësit, Teatrit dhe së fundmi i Unazës së re është treguesi i efikasitetit të këtij aparati ahengu dhe dajaku.

Atë e shohim kudo të manifestuar në mënyrën më arrogante të mundshme të shpërndarë në mënyre proporcionale, llastues ndaj të pasurve dhe dhunues ndaj të varfërve dhe të pamundurve. Shfaqjet më të shëmtuara dhe më emblematike filluan me burgosjen e fakirëve që nuk kanë bukë të hanë, por harbutëria dhe arroganca kulmoi në vendosjen e traut në Rrugën e Kombit, e cila ishte ndërtuar me paratë e qytetarëve, me aferën megakorruptive te Teatri Kombëtar dhe së fundmi me grabitjen e pronave të qytetarëve shqiptarë në Unazën e re.

Të gjitha rastet kanë një gjë të përbashkët, janë të gjitha pasojë e deformimit të ligjit nga ana e qeverisë dhe mungesës së drejtësisë. Pra, problemi nis pikërisht për shkak të mungesës së një autoriteti moral dhe legjitim, i cili është edhe burim i drejtësisë. Të gjitha rastet janë pasojë e shkatërrimit të sistemit të drejtësisë që solli “reforma e reformave.”

“Kur të drejtat kthehen në privilegje për një pjesë të qytetarëve, ato mund të kthehen në privilegje për të gjithë popullin,” përfundon Arendt. Ndaj është koha, që i gjithë populli të ngrihet dhe të ndalojë grabitjet me dhunë në mes të ditës, që i bëhen vëllezërve të tyre dhe t’i thotë ndal babëzisë, sepse dita kur edhe ata do të bëhen viktima të së njëjtës babëzi duket se nuk është e largët.

Ka dy rrugë për të dalë nga kjo situatë ose rrëzimi i tyre me çdo mjet, ose konvertimi në skllevër të nënshtruar të tyre. Rrugë të mesme nuk ka.

© POLITIKO

Facebook Comments