Nga Dritan SHANO

Shqipëria ka fshat dhe fshatarë, por nuk ka bujqësi. Ky është thjesht një fakt demografik, që tregon se jemi ende një shoqëri rurale, por nuk tregon automatikisht se kemi një sektor bujqësor. Fakti që “bujqësia” përbën 20% të GDP, nuk tregon se kemi bujqësi, por thjesht se e gjithe ekonomia tjetër jo-bujqësore shqiptare është një mjerim, një morracakëri e kohëve në të cilat jetojmë. Në të vërtetë, Shqipëria është importues neto i produkteve ushqimore. Importon edhe qepë. Nga Bosnja.
Çka përflitet si aktivitet bujqësor që zhvillohet në Shqipëri i përket rendit feudal (shekujve 16-19). Në Shqipëri sot që flasim 48% e popullsisë mbijeton në fshat, se nuk ka asnjë vend tjetër ku të shkojë, dhe produkti bujqësor është mbi 20% e GDP. Ne botën moderne në fshat jeton nga 1-10% e popullsisë dhe bujqësia përfaqëson 1-3% të GDP. Aktiviteti bujqësor në Shqipëri mbetet në nivel subsistence (nga dora në gojë, por jo në treg). Nuk ka një zinxhir vlere në “bujqësinë” shqiptare. Ajo që do të duhej të ishte zinxhir në fakt, (zinxhiri ka disa hallka – prodhuesin, përpunesin, tregtuesin, por edhe kërkuesin shkencor), në mënyrë dominuese ka vetëm një hallkë – fshatarin që shet produkte të papërpunuara, të pa-certifikuara tek cepi i pronës së vet prej 1.1 hektarë, ose ndanë rrugës, asaj rruge e cila për arsye historike nuk është me baltë por me asfalt. Fshatarit shqiptar i duket se kështu do i fitojë të gjitha lekët për atë që ka prodhuar, por ajo që ndodh rëndom është diçka tjetër. I mbeten produktet pa shitur dhe në darkë është gati t’i shesë për 2 lek, mjaft që mos t’i kthejë prapë në shtëpi, ose i kalben dhe i hedh ne kanal, dhe aspak nevoja për masa proteksioniste, siç mendje të dobëta artikulojnë.
Kështuqë, edhe politikat e subvencionit të ndjekura deri tani, janë “politika rurale” ;), por jo bujqësore. Ato do ishin bujqësore nëse do nxisnin kalimin e bujqësisë nga sektor primar në sekondar e më tej. Në fakt ato nuk kanë qenë të drejtuara tek zhvillimi i një bujqësie moderne dhe produktive, por tek banorët e fshatit (48% e popullsisë votuese), për t’i “ndihmuar” ata të rrojnë pak më mirë. Më shumë se subvencion duket si Ndihmë Ekonomike në favor të fshatarit votues sesa atij “fermer”. Sot për sot, më shumë se ndonjë politikë zhvillimi, subvencioni në bujqësi duket si një shpresë për të akaparuar votën fshatare, sesa një politikë që çon tek strukturimi i thellë si sektorit bujqësor në këtë vend – ristrukturim që duhet të synojë modernizimin, rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë, dhe jo garantimin e mbijetesës dhe ruajtjen e statuskuosë aktuale (me pak përmirësim të paqëndrueshëm të lidhur me për kë ke votuar sesa me rritjen e produktivitetit dhe fitimeve), në të cilën lindin dhe rriten brezat në fshatin shqiptar.
Edhe pse ka celular në xhep, fshatari shqiptar e punon tokën dhe fiton prej saj njësoj sikur të ishte bashkëkohës i D’Artanjanit. Subvenvcionimet e propozuara nuk kanë asnjë shans ta ndryshojnë këtë gje. Kalimi i “sektorit” bujqësor nga ky nivel primar i viteve 1700 në agro-biznes, në bujqësi industriale (monokulture) apo në atë që sot njihet si precision agriculture – dhe që do i pështatej mjaft Shqipërisë – nuk ka ndodhur ende, edhe pse kalendari në Shqipëri shënon Nëntor 2018. Këto janë sfidat e vërteta për të patur bujqësi në Shqipëri – një bujqësi të lidhur me tregun, me shkencën (me universitetin) dhe që do çonte tek defragmentimi i saj – hollanda dhe izraeli jane shembuj te shkelqyer – nuk ka nevojë të shpikim rrotën. Natyrisht, nëse duam të zhvillojmë bujqësinë, dhe jo thjesht të kapim ndonjë votë rurale më tepër.

Facebook Comments