Sa për publikimin e artikujve të mediave të huaja për “parajsën shqiptare” apo “margaritarin e fshehur” të Evropës etj, këto përralla nuk kanë efekt tek një popullsi e cila i ndjen mbi trupin e saj magjitë e kësaj parajse.

Nga Gavrosh LEVONJA

Vendimi i qeverisë shqiptare për akordimin e një bonus-i për lindjen e një fëmije, më ktheu shumë vite prapa, në kohën e fëmijërisë sime.
Kjo pasi diku nga fundi i viteve 50-të për të vazhduar dhe në vitet 60-të shteti i Enver Hoxhës kishte filluar të bënte të njejtën gjë; të jepte një shpërblim për lindjen e një fëmije, por ama jo për çdo fëmijë, vetëm për ato gra të cilat kapërcenin një numër të caktuar, në mos gaboj më duket se tre fëmijë.
Pastaj, për çdo fëmijë nëna merrte shpërblimin në fjalë. Madje athere në shtypin e kohës mund të lexoje shpesh dhe artikuj për “nëna heroina” të cilat kishin edhe 8, 9 apo më shumë se dhjetë fëmijë.
Synimi i Enver Hoxhës për rritjen e popullsisë ishte mëse i justifikueshëm po të kihet parasysh shkalla e zhvillimit të vendit në atë kohë.
Një bujqësi në hapat e para të mekanizimit kishte ende nevojë për një numër të madh krahu pune.
Madje vetë familjet, antare të kooperativave bujqësore ishin të interesuara të kishin një numër sa më të madh pjestarësh, pasi shpërblimi vjetor nga të ardhurat e kooperativës për çdo familje, ndahej në varësi të krahëve të punës; sa më shumë krahë pune, aq më i madh ishte shpërblimi.
Gjithashtu në Shqipërinë e asaj kohe po hapeshin fabrika, uzina e kombinate që kishin nevojë për punëtorë.
Konkretisht në ato vite pati dhe një migrim të popullsisë, ku familje të tëra lëvizën në drejtim të kantiereve të ndërtimit e në zonat industriale që do ndërtoheshin më pas.
Sa per idenë e bonus-it “Rama” për çdo fëmijë që lind, nuk ka dyshim që synohet rritja e popullsisë, po nuk arrij të kuptoj se çfarë ka planifikuar kryeministri shqiptar me rritjen e popullsisë duke nxitur rritjen e lindjeve.
Më duket paksa absurde nxitja e rritjes së popullsisë në një vend ku mungojnë resurset për sigurimin e një jetese normale për banorët e tij.
Historikisht, Shqipëria ka mbijetuar falë parave të Italisë dikur, më pas të Bashkimit Sovjetik e Kinës.
Sfida e të punësuarit të njerëzve është më e vështira për çdo qeveri që nga ndryshimi i sistemit ekonomik në fillim të viteve 90-të.
Madje papunësia është shkaku kryesor i varfërisë, i kriminalitetit trafiqeve dhe problemeve të tjera me të cilat po përballet vendi, adresimi i të cilëve është dhe kusht për hapjen e dyerve të BE.
Por, alarmi që kanë dhënë mediat, kryesisht ato të huaja, se popullsia në Shqipëri po zvoglohet me ritme shqetësuese, mendja ma do se ka shqetësuar kryeministrin, i cili rreket që me një numër sa më të madh lindjesh të balancojë masën gjithnjë në rritje të atyre të cilët duan të ikin nga Shqipëria në kërkim të një jete më të mirë e më të sigurt në vende të tjera.
Mirëpo kjo, jo vetëm nuk është rruga e duhur për shmangien e zvoglimit të popullsisë, po në të kundërt, në një të ardhme do të kthehet në një boomerang për Ramën dhe ata që do të marrin pas tij frenat e drejtimit të vendit.
Një numër më i madh banorësh, në një vend me resurse të pamjaftueshme, do të thotë më shumë vështirësi jo vetëm për punësim, por edhe për një jetesë në parametra normalë për familjet shqiptare.
Nga ana tjetër, një fëmijë më tepër për një familje ka nevojë për mjete të tjera shtesë në aspektin financiar të cilat nuk zgjidhen me një bonus dhuratë në ditën kur lind.
Normalisht bonusi mund të shërbejë si nxitës për familjet e varfëra, që janë në kufijtë e mbijetesës, pra dhe rritja e edukimi i një fëmije shtesë vetëm sa do t’i a shtojë problemet.
Fëmijë, me kujdes të pamjaftueshëm familjar, janë pre e botës së krimit me premisa për të shtuar radhët e saj.
Ndërkohë, duke pasur parasysh prirjen e viteve të fundit të vendeve të zhvilluara përsa i përket frenimit të emigracionit prognoza bëhet edhe më e zymtë.
Mbi të gjitha, kjo të çon në përfundim se “Rilindja” e Ramës, të paktën deri tani, nuk ka ndonjë ide lidhur me një plan perspektive për të krijuar kushtet në vend, në mënyrë që t’i jepet fund prirjes së shqiptarëve për të braktisur vendin dhe në një të ardhme të kthehen dhe të ikurit prej vitesh.

Sa për publikimin e artikujve të mediave të huaja për “parajsën shqiptare” apo “margaritarin e fshehur” të Evropës etj, nuk kanë efekt tek një popullsi e cila i ndjen mbi trupin e saj magjitë e kësaj parajse.

Facebook Comments