Nga Vladimir MYRTEZAI

Pak vite më parë u nda nga jeta Steve Jobs, një ambicie në lëvizje që bënte bashkë teknologjinë dhe artin, shpikjen dhe krijimin. Ai nuk ishte vetëm një gjeni i shkencave kompjuterike, por mbi të gjitha një ndër ata që gjejnë burime, të cilët sa ç’janë të nevojshëm, me kohën bëhen po aq sfidues.
Përpara se t’i thoshte lamtumirë jetës mbi tokë, i duhej t’i jepte lamtumirën edhe një dinastie gjigante që ka si simbol sfidën e nxënies së dijes.
Duke perifrazuar pikërisht Jobs-in, mund të shtrojmë pyetjen: vallë, në fund të fundit, ku po na çon kjo garë për sasinë? Si do të ishte një botë e mbushur me njerëz që vetëm prodhojnë, pa qenë në gjendje të kujtojnë, pa kujtime?! Në një mënyrë apo në një tjetër, secili e ka një përgjigje për këtë, ndaj le të jemi të vërtetë me veten. Pa artin bota i ngjan një çmendine apokaliptike.
Jobs-i na kujton për domosdoshmërinë e ndjeshmërive mbi këtë planet, për një shkak njerëzor të mundshëm, ose për rigjetjen e një korrnize për mungesën, si një vlerë e përsëritur në një mriz zanash.
Një ngushëllim i madh për të gjithë ata që vjellin mbi botë ca afshe të ngrohtë dhe dëshira të buta si ledha për dobësitë.

“Korrniza e mungesës” është togfjalëshi i parë që nxjerr krye sapo marr në analizë krijimtarinë Leon Çikës, që për një shkak të pashkak qe dystuar në mendjet tona si fotograf, që nga kohë që mezi kujtohen. E gjithë kjo për shkak të kompromisit me një “profesion”, që na shërben më shumë si ngushëllim në raport me tjetrin dhe jetesën.
Por ja që nuk është krejt kështu.
Me të drejtë thuhet se “asnjëherë nuk i dihet”, dhe ky është pikërisht rasti. Arsyetimet tona ngrejnë përkufizime dhe vizualizojnë tipa e karaktere si rrjedhojë e një lloj stereotipi apo kalku të cilin e deshifrojmë ca si vonë se ishte bash i tillë.
E gjitha kjo të vjen si kornizë e paragjykimit, pikërisht për këtë mungesë që përbën zhvendosjen e kufijve që kemi ndërtuar për tjetrin.

Cikli në pikturë i Leon Çikës është një kundërti e hapur e mungesës së korrnizave që trajtësojnë mendjet tona. Një befasi e këndshme të shikosh se në sirtarët e mungesës buan një realitet paralel, si një ekuilibër të cilin nuk e shquan kollaj.
Kemi të bëjmë me disa udhëtime pamore që të kujtojnë ëndërrimin, pse jo nostalgjinë si rezistencë ndaj “profesionit” dhe profesinalizmit, si mbijetesë e substancës njerëzore në një realitet kaq të lëngshëm, mund të thoshte Bauman-i.

Monedha e gjyshit (autori na thotë është një lule) është një mbaresë e nënvetëdijes së artistit, që i vjen si kujtesë dhe kthehet si një pretekst trashëgimie për mbesën e tij – një dashuri që nuk bëhet dot as bukë as verë, pikërisht për shkak të mungesës.
Prandaj, të gjithë stacionet ku ngjizet akti piktorik i Çikës janë si mungesa e korrnizës për një dashuri që afrohet, që ikën, që shprehet, që nuk shprehet.
Ja pse është e nevojshme ta kemi në vëmendje këtë burim, që pavarësisht energjive bohemiane të Leonit, ia del të na transmetojë sublimimin e dashurisë së Çikës.

Facebook Comments