Nga Alfred LELA

Sinjali i parë i ardhur nga Presidenti i Republikës ishte cinik. Vizion Plus dha lajmin, se sipas burimesh konfidenciale nga presidenca, Meta mund të mos e dekretonte Sandër Lleshin për shkak të implikimit të tij në ngjarjet e 21 janarit. Në qarqet mediatike u pa si dinakëri tipike e Metës për t’u kujtuar, si atyre në të majtë ashtu dhe atyre në të djathtë të spektrit politik, tundimet e vjetra të 21 janarit. Fakti që vetë Ilir Meta, asokohe aleat qeveritar i Berishës, ishte arsyeja se pse qe thirrur populli në shesh, e bënte sureale dhe cinike deklaratën e dalë nga Presidenca.

Ditët po shkonin drejt skadencës së afatit 7 ditor dhe Presidenti nuk pasqyronte nxitim. A do ta dekretojë Meta Sandër Lleshin? dukej më shumë si një pyetje për t’u bërë se sa si një shqetesim real. Gjenerali i ushtrisë nuk dukej se fshihte në veprimtarinë e tij civile apo shtetërore ‘skelete’ që mund ta kthenin mbrapsht në rrugën e karrierës.

Vetëm pas shpalljes së dekretit, pra Jo-së së papritur të Presidentit, u mor vesh nga burime mediatike të pakonfirmuara zyrtarisht, se Meta kishte kërkuar një takim në Presidencë me gjeneralin e propozuar për ministër. Zërat thonë se ka ardhur një refuzim të premten i ndjekur nga një rrëzim një ditë më pas.

Tani jemi para faktit të kryer dhe opinionet apo analiza duhet të shtjellojnë pikërisht atë. Pse Presidenti i tha Jo një ushtaraku të shndërruar në këshilltar të Kryeministrit, i cili do të zëvendësonte dy ministra ‘të pafat'(!?!) të Qeverisë Rama? Në mungesë të një zbardhjeje të dekretit presidencial, na duhet të bëjmë një interpretim politik. Të tillë sepse vednimi i Presidentit është politik. Edhe nëse dekreti zbërthehet në variabla teknike, kjo nuk ndryshon asgjë; ai mbetet sërish përcjellës i një të menduari politik.

Në këtë rast ‘i menduari politik’ nuk përdoret, si rëndom, për të shenjuar një anim apo një parapëlqim politik të një funksionari të lartë si Presidenti Meta. E kundërta: për të shpjeguar një ‘filozofi politike’ e mbështetur mbi një nevojë. E cila ngjan shumë me vendimin e Presidentit italian Matarela për të mos dekretuar një prej ministrave të koalicionit fitues të së djathtës në zgjedhjet e fundit parlamentare. Matarela e përligji vendimin me mosdakordësinë me pikëpamjet ekonomiko-polike të ministrit të propozuar, i cili ishte shfaqur në publik si antiUnionist, dmth si një lloj euroskeptiku.

Si hyn Sandër Llleshi, aspak euroskeptik, në përligjien që mund t’i bëjë Meta dekretit të Jo-së? Nëse marrdhëniet me BE-në janë jetike për Italinë (çka rrëzoi emrin e ministrit euroskeptik), rendi, siguria, kontrolli i territorit, që të gjitha përgjegjësi të ministrisë së Brendshme, janë shfaqur si jetike në vitet e fundit për Shqipërinë. Këto përgjegjësi nuk janë marrë dhe as interpretuar siç duhet, për faktin se bota e krimit dhe struktura e shtetit janë shfaqur në afrimitet të rrezikshëm. Edhe gjatë kohës që z. Meta ishte kryetar i LSI, ai dhe forca e tij janë shfaqur kritikë me kanabizimin e territorit. Një ministër i Metës, më vonë i shkarkuar, pat hedhur idenë e ndërhyrjes së ushtrisë për të ‘rimarrë territorin’ e rrëshqitur në duart e trafikantëve të drogës.

Po pse, atëherë, një zgjidhje ushtarake e asokohe, ide e LSI, nuk është e njëjtë me një zgjidhje nëpërmjet një ushtaraku tashmë, në vështrimin e Presidentit, ish-shef i LSI? Qartësisht për arsyet e një ‘implikimi politik’ i cili komandohet nga Kryeministri dhe nuk zgjidhet me masa policore apo ushtarake, por me vendimmarrje politike.

Ilir Meta politian i sprovuar, për mirë a keq, ka lexuar te z. Lleshi, jo një vendim politik të Ramës, por tentacionin e tij për përdorim politik të Gjeneralit. Në intuitën e tij, ajo që nuk gjendej dot si gabim te Sandër Lleshi mund të gjendej si faj te propozuesi i tij, Edi Rama. Për këtë vendimi është politik, presidencial, dhe i drejtë.

Pretendimi se Presidenti duhet të jetë mbi palët, pasi në këtë rast ai ngjan se ka ujdisur njërën prej tyre, nuk qëndron. Për faktin se Presidenti ka dalë mbi anën më të fortë. E cila, në rastin kur kërkon të bëhet më e fuqishme se nocioni i shtetit, kthehet në rrezik për të gjithë.■Politiko

Facebook Comments