Alfred Lela, drejtor i Politiko.al analizon se Rama po mundohet të dalë nga “këmisha e hekurt” që ia ka ngushtuar kapilarët qeverisës

Zhvillimet e fundit në Partinë Socialiste dhe qeveri me largimin e Fatmir Xhafajt nga ministër i Brendshëm (ende të paqarta për motivet e dorëheqjes së tij), kanë krijuar disa teori mbi këtë ikje të beftë. Çfarë po ndodh brenda mazhorancës? I konsideruari si i besuari i ndërkombëtarëve detyrohet të ikë, kjo i forcon apo dobëson pozitat e qeverisjes?

Ikja e Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit të Brendshëm nuk është lajm. Lajm përbën fakti që qeverisë Rama i kanë ‘rënë’ dy ministra të Brendshëm. Njëri në fund të mandatit të parë dhe tjetri në fillim të mandatit të dytë. Edhe zgjedhja e tretë, z. Lleshi, duket një ‘rënie’ për faktin se, më shumë se ‘zgjedhje shpëtimtare’ është operacion piari (PR). Z. Rama është kujtuar shumë vonë për profile të tilla si i Lleshit të papërfolura, të pakorruptuara dhe të mirarsimuara.

Implikimet, sa më takon mua, nuk mund të lihen në territorin e PS, Rilindjes apo shumicës, ato duhen bartur në terrenin e interesit të përgjithshëm publik. Thënë këtë nuk më intereson se çfarë skizme po lind apo po ‘fryhet’ në PS, sa kohë Shqipëria është shtatzënë me skandale, me deputetë, ministra, vëllezër, kushërinj të eksponentëve të lartë të mazhorancës që jetojnë një ‘wild west’ pa asnjë rregull. Përpjekja për ta kthyer luftën për interesin publik, ku ndeshen qeveria me opozitën dhe forcat e tjera shoqërore që janë kundër degjenerimit të sferës publike, vetëm sa e çon huq thelbin e çështjes.

Veliaj mund të dojë ta sfidojë Ramën, Xhafaj mund të kërkojë të krijojë një pol të vetin, por sa kohë nuk kemi ‘të penduar’ në gjirin e Riiindjes nuk kemi as debat publik dhe as betejë të bërë për publikun apo publiken. Lufta e brendshme në Partinë Socialiste vijon që prej fundit të viteve ’30 të shekullit të shkuar me grupet komuniste. Prej andej rrjedhin varg e vistër eliminimet që komunistët i bëjnë njëri-tjetrit duke vrarë në proces edhe interesin publik. Pse duhet t’i lejojmë sërish ta bëjnë këtë të fundit?

Si e konsideroni faktin që ish-ministri Xhafaj, vetëm katër ditë pasi dha dorëheqjen shfaqet në krah dhe në mbështetje të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. Ndërkohë nga ana tjetër, edhe ish-ministri Saimir Tahiri nënkupton një rikthim në jetën politike pasi të mbyllë problemet jo të vogla që ka me drejtësinë. A po krijohen brenda mazhorancës grupime?

Po të ishte rastësi, aktorët e saj do të ishin munduar ta shmangnin. Episodi i mosshmangies tregon se nuk ka qenë e tillë. Fatmir Xhafaj për shkak të impenjimit me Reformën në Drejtësi ka një marzh të lartë aksesi te të huajt. Erion Veliaj është konkurrent i Ramës në sektorin ku kryeministri performon më mirë, atë të piarit dhe propagandës. Këto dy fakte në vetvete, edhe nëse nuk janë të qëllimta nga bartësit e tyre, shërbejnë si shkak xhelozie. Duhet kujtuar edhe një fakt tjetër: me ikjen e Saimir Tahirit, PS mbeti me një pol të vetëm pretendimi dhe force në raport me trashëgiminë e Ramës, dhe kjo duhet të jetë shqetësuese sa i takon ndikimit të Ramës nesër kur ai të mos jetë kryetari. Rama ka qenë vetë autor i një ‘atvrasjeje politike’, asaj të Nanos. A është Eron Veliaj më pak makiavelik se ai?! Një pol i dytë, të cilin dje e përfaqësonte Saimir Tahiri, kërkohet në PS. Xhafaj nuk e plotëson këtë kusht edhe për atë se ai me sa duket ‘i përket’ grupimit Veliaj, por edhe se është rikthim më shumë se progres në kuptimin e përfaqësimit politik breznor. Ish-ministrin dhe kryebashkiakun i bashkon mesa duket edhe armiqësia me Tahirin.

Pikërisht kjo, mund ta kthejë Saimir Tahirin në PS si “djalin e lënduar” nga “fajësia” e paqenë e implikimit në trafikun e drogës. Eshtë një lojë rreziku, por Rama mund të zgjedhë ta luajë.

Kryeministrit Edi Rama në postin e ministrit të Brendshëm ka propozuar Gjeneral Sandër Lleshin, një ish-ushtarak, pa angazhime politike, përse kjo zgjedhje? Është një mënyrë për të “pastruar” këtë post kyç, një lloj mbrojtje nga sulmet politike, apo një sinjal drejt të besuarve të tij se tani e më pas njerëzit me të cilët do të qeverisë mund t’i gjejë edhe jashtë radhëve të PS-së?

Gjenerali Lleshi me vendosjen në krye të Ministrisë së Brendshme i ngjan një prifti të krishterë në një qytet të sunduar nga talebanët. Ai nuk ka çfarë bën sepse është sistemi të cilin e përfaqëson vetë kryeministri që e pengon. Zgjedhja e tij është inteligjente si formë e komunikimit publik, por është e paplotë dhe e pashpresë në raport me nevojën e ndryshimit të situatës së rendit dhe sigurisë në Shqipëri.

Sandër Lleshi më vete nuk ka pse dhe nuk mund të shahet, por atë e bën të atakueshëm konteksti dhe mjedisi në të cilin ai gjendet, dhe me një post e përgjegjësi të lartë. Megjithatë, minsitrit të ri i detyrohemi një ‘muaj mjalti’ pritje, për të parë se çfarë bën dhe çfarë mund të bëjë.

Çfarë po synon Rama me këto qëndrime, mos po kërkon të “blindojë” një mandat të tretë duke pastruar të përfolurit brenda partisë, për lidhjet me krimin? A mund ta përdorë si një kartë të fortë për të kërkuar sërish votat e shqiptarëve me “parimin” e barazisë para ligjit, tashmë që kryeministrit i është “djegur karta” se të tjerët në bashkëqeverisje nuk e linin të bënte shtet? Nëse ecën me këtë parim, a mund të ketë një “kryengritje” nga të tijtë që deri më sot i ka patur bashkëpunëtorë?

Mendoj se z. Rama po mundohet të dalë nga ‘këmisha e hekurt’ që ia ka ngushtuar kapilarët qeverisës. Po ashtu, të heqë edhe një njollë të murrme implikimi me krimin. Ai po hedh sipër kësaj njolle solucionin e të papërfolurve, siç është rasti i Sandër Lleshit. Po ashtu, nëse e kini vënë re, daljet televizive i kanë marrë përsipër zv.ministrat, kryesisht djem e vajza të reja të paimplikuar. Socialistët e kanë patur dikur një qeveri zëvendës.ministrash (në kohën e Nanos), por kësaj radhe dizajni i saj nuk është ai i luftës së brendshme partiake si atëherë, por i molepsjes në afera të kundërligjshme të cilat janë regjistruar dhe shfaqen në dosje të ndryshme të Prokurorisë.

Nuk do të ketë kryengritje, por presione besoj se po. Presione për të siguruar më shumë kontroll në parti, apo pushtet në qeveri dhe nëndegë të saj. Partitë tona politike janë unitare dhe jo multicentrike, dhe ky është një mësim që e kanë nxjerrë shumë mirë nga Partia e Punës.

Facebook Comments