Nga Agim POPOCI

Dy liderë joinstitucional në ekstrem, tashmë pa ndihmën e Presidentit të Serbisë, takohen në Presidencë. Zyrtarisht u tha se shkronjësi i fjalimeve të kryeministrit, Edi Rama, kërkoi takim me lexuesin e këtyre shkrimeve, Ilir Meta, pasi Meta nuk dekretoi kandidatin për ministër të Brendshëm, Sandër Lleshi!

U bënë shumë paragjykime mbi takimin e dy liderëve të Koalicionit të Qelbësirave që e gjunjëzuan këtë vend, por e kaluara e kryeministrit dhe presidentit aktual të Shqipërisë na qartëson pak më shumë se sa të dal nga ky takim, një President i fortë që ja bëri mirë Kryeministrit, dhe një Kryeministri që shkoi me bisht nën shalë.

Nuk ka shah, nuk ka shalë, nuk ka politikë por thjeshtë Pazar!
Pazar i pistë i cili dikur vinte me dëshmitar okular nga Serbia, sot na bëhet në mënyrë më të sofistikuar.

Për ata që Ilir Metën e futën edhe në kalkulime fetare, mund të shprehë vetëm keqardhje, sepse bëhet fjalë për një njeri që vetëm lekun e ka Fe, dhe si i tillë nuk mund të jetë antikatolik në asnjë mënyrë.

Dhe kemi nga ana tjetër, njeriun kryeministër që duke u zvarritur shkoi në Presidencë, jo për ta zgjidhur problemin me të parin e vendit të cilin e ka zgjedhur vetë, pas shqetësimeve që i janë krijuar për Sandër Lleshin, por për të zgjidhur çështjet që në publik u shitën si parimore dhe institucionale.

Fillimisht duhet vënë kapak dilemës nëse shkeli ose jo Kushtetutën, Presidenti Ilir Meta me mosdekretimin e ministrit të Brendshëm.
Po, e shkeli, me të dyja këmbët, dhe një gjë të tillë nuk do ta bënte sikur Edi Rama mos ta minonte Gjykatën Kushtetutese.

Presidenti, ose më saktë Zyra e tij Ligjore, nëse nuk ka Gjykatë Kushtetutuese nuk duhet ta shkel Kushtetutën.
Kështu i bie që makina e cila transporton Presidentin duhet ta shtyp me makinë çdo këmbësor në kryqëzimin ku nuk ka policë!
Në këtë rast Presidenti nuk ka arsye ta mbajë në mend, por Këshilltari i tij Ligjor duhet ti kujtoj debatin kur u zhvillua pikërisht për këtë çështje, kur u bënë ndryshimet kushtetuese. “Duhet apo jo të jetë noter Presidenti!”
Ideja e ndryshimit ishte që të mënjanohet instrumenti bllokues ndërkohë që elementët e sigurisë as që u diskutuan nëse duhet hequr apo jo.

Për ata që shqetësohen për autoritetin dhe kompetencat e Presidentit të Republikës, janë të vonuar.
Ku ishin këta njerëz kur Presidenti Bujar Nishani degjenerohej nga Koalicioni i Qelbësirave duke filluar nga i biri i kriminelit komunist, Ditmir Bushati, e deri tek deputeti që kërcënon gjithë dynjanë, Erjon Braçe.
Për të mos harruar kryetarin e Parlamentit të Koalicionit të Qelbësirave, Ilir Meta, i cili në asnjë mënyrë nuk reagoi ndaj kësaj batërdie të fjalorit të koalicionit që kulmonte me vjelljet e kryeministrit Edi Rama!

Institucioni i Presidentit nuk u degjenerua as dje dhe as sot, por që nga koha kur Koalicioni i Qelbësirave ishte në opozitë, dhe kjo u betonua me ardhjen e tyre në pushtet. Shumë ujëra kanë kaluar nëpër Presidencë, por ujin e qelbën vetëm Rilindja e ndihmuar nga LSI.
Presidenti Bujar Nishani kurrë në asnjë moment nuk u respektua si institucion, dhe sot në zyrën e Koalicionit, askush nuk takoi Presidentin dhe askush nuk u soll si President.

Për çfarë është biseduar vallë.
Vetëm për Sandër Lleshin jo!
Pushtimi i KQZ-së nga Taulant Balla nuk ka irrituar vetëm kryetarin de facto të LSI-së, i cili nuk e honeps dot një Komision Qendror të Zgjedhjeve pa asnjë anëtar të saj!

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit!
Duke njohur mirë shkronjësin e fjalimeve të tij, Ilir Meta e kandidoi Bahri Shaqirin jo për ta zbehur kanidaturën e Lefteri Luzit, por për ta vulosur një kryetar të KLSH që do të quhet opozitar dhe nga ana tjetër vjenë nga bota e forte socialiste, komunist sagllamë.
Këtu, Ilir Meta me nuhatje të fortë për pazare, nuk iu largua të vërtetës edhe pse për këtë post kandiduan figura si Shkëlqim Cani, Anastas Angjeli dhe Vitore Tusha, por vetëm iu desht që ta sjellë qenin në kolibe. Dhe, e solli!

Dhe në fund, jo pak me rëndësi, Reforma në Drejtësi! Edhe pse është mënjanuar si term publik “gjykatësit e Likes” ose “prokurorët e Likes” sot ata janë real, e shpata e Edi Ramës ishte e kujdesshme ndaj tyre.
SPAK e përralla të ngjashme nuk e kanë shqetësuar Ilir Metën, dhe disi pa u vërjetur, të gjitha shigjetat u gjuajtën në drejtim të Partisë Demokratike dhe Lulzim Bashës.

Kështu deri sa Lulzim Basha bënë opozitë me Monika Kryemadhin, Ilir Meta kujdeset për përfaqësimin opozitar ose më saktë të LSI-së në institucionet, si, KQZ, KLSH, KLP, KLGJ dhe Banka e Shqipërisë, duke përdhosur Kushtetutën, pa bërë politikë dhe pa luajtur Shah, por duke mos dektretuar kandidatin e kryeministrit për ministër të Brendshëm, mesazh ky i koduar të cilin vetëm Edi Rama e kuptoi jashtëzakonisht mirë: T’fala Sandrit!

Facebook Comments