Nga Gjon BRUÇI

Prej disa ditësh, politikanët, qeveritarët, media dhe mbarë publiku i dy vendeve fqinj, Shqipëri – Greqi, është mbërthyer tek incidenti jo i zakonshëm i Bularatit në Gjirokastër, incident që përmbylli ceremoninë e “festimeve” greke kushtuar Dëshmorëve të Luftës së Dytë Botërore, “rënë për Eladhën”.

Incidenti në fjalë, i cili u përcoll me një viktimë, nuk ishte as i rastësishëm e as i papritur. Gazetari investigativ, A. Hoxha, por jo vetëm ai, rastin në fjalë e konkretizoi me shprehjen: “Ne po korrim, atë që kemi mbjellë”! Po ç’kemi mbjellë dhe kush është “mbjellësi”?

Thënë me fjalë artistike, bash në tokën tonë, ne kemi mbjellë “Gozhdën” e Nastradinit. Historinë e “gozhdës” së famshme, ne shqiptarët e kemi ditur vite e shekuj më parë, por në vend që të kuptonim alegorinë e historisë së saj, u bëmë vetë viktimë e gozhdës “çudibërëse”. Ne kemi mbjellë në vatrat tona, varrezat e fqinjit, të cilat, siç u vërtetua e do të vërtetohet akoma më shumë në të ardhmen, janë “gozhdë” e kaluar gozhdës së persianit të lashtë.

Vendi ynë, i lashtë dhe i ri, e ka përcjellë historinë e tij jo me jetesë, por me mbijetesë. Në të gjitha rastet mbijetesa iu imponua nga pushtimet dhe kërcënimet e të huajve, që nisnin nga largësi të konsiderueshme e gjer tek komshinjtë ardhacakë, të cilët, në asnjë kohë nuk u sollën si komshinj, megjithëse nuk u mungoi mikpritja e vendasve. Për fat të keq, krahas këtyre “komshinjve djallëzorë”, nuk munguan edhe mercenarët vendas në shërbim të tyre. Në radhët ë këtyre mercenarëve të kohëve të ndryshme, janë rreshtuar edhe këta më të fundit, që rastësia apo “demokracia borgjeze”, i ka nxjerrë në krye të vatrave tona, më detyrën e “Zotit të konakut”, por që janë kthyer në matrapazë të konakut.

Nuk është vendi të rreshtoj në një shkrim gazete “plejadën e famshme” të mercenarëve tanë në shërbim të të huajve, e as “veprat” e tyre, të cilat i vuajmë edhe sot. Harta jonë etnike, përgjysmuar nga “kohërat”, ka brenda edhe “meritën” e mercenarëve tanë. Ndaj duke e kapërcyer këtë kapitull të zi, po mjaftohem të them se pranimi i vendosjes së varrezave greke në tokën tonë, është tradhtia më e madhe e gjithë “plejadës mercenare” në kurriz të Shqipërisë dhe popullit shqiptar.

Marrëveshja për vendosjen e varrezave greke ne trojet tona, kapërcen çdo arsye ligjore apo njerëzore. Në këtë rast, nuk mund të gjendet qoftë dhe një arsyetim formal. Se në rastin e varrezave greke, nuk bëhet fjalë për ndonjë koncesion të ndonjë copë toke, rruge, ishulli, porti apo resorti, me kontratë afatshkurtër, apo me të drejtën e anullimit të saj. Është fjala për një “copë tokë”, madje për “disa copa tokash”, të dhuruara përjetësisht. Sepse brenda tyre janë vendosur eshtrat e të vdekurve, të cilat nuk mund të lëvizen kurrsesi me anullime apo mbarim kontratash. Për më tepër, këto copa tokash nuk gjenden në një zonë, por në tre të tilla (ndoshta nesër edhe më shumë), vendosur si “karakolla” përvijuese të vijës kufitare të të ashtuquajturit “Vorio-Epir”, lakmia shekullore e “Megalidhesë”.

Jam i bindur se mjaft lexues të “kualifikuar”, politikanë, shtetarë, apo analistë të medias, nëse e lexojnë këtë shkrim timin, do të qeshin me ironi, duke thënë se artikullshkruesi qenka një i fandaksur që, koha e paska lënë prapa. Ky i fandaksur nuk e kupton se ne po hyjmë në Europë, ku kufijtë do të jenë formal dhe “paqja e begatia” gjithëpërfshirëse. Madje jo vetëm këta intelektualë, që janë bërë zotëruesit aktual të së vërtetës absolute, por edhe ndonjë nga sera ime këtu poshtë tek populli, trullosur nga “propaganda europiane”, kur ta lexojë shkrimin, do të shtrembërojë buzët. Madje një shok i tavolinës së klubit, kur i fola për konceptet e mia për këtë çështje, më tha as më pak e as më shumë se: “varrezat e huaja nuk kanë asnjë rrezik, përkundrazi nëpërmjet tyre do të thithim edhe turistë nga vendet e botës…”!!!

Nuk jam kompetent të flas si jurist për këtë çështje, por di të them disa të vërteta të thjeshta, trashëguar nga popujt, të cilat besoj se janë shfrytëzuar edhe nga konstitucionalistët që hartojë kushtetuta e ligje për vendet përkatëse. Kush ka lexuar librat e romanet që flasin për Myzeqenë tonë, duhet të kenë hasur në këtë episod: Myzeqari i thjeshtë e pa tokë, për të mbajtur familjen, i lutej beut t’i jepte në përdorim dy apo tre dynym tokë, të cilën e punonte krahas punës prej argati tek beu. Beu ia jepte tokën, por nuk e lejonte që brenda saj të ndërtonte shtëpi me oxhak. Pos kësaj, pa u mbushur tri vjet, gjente shkak dhe e largonte nga toka. Arsyeja: Në të dy rastet, si kur bënte shtëpi me oxhak, dhe kur kalonin tri vjet, fshatari myzeqar, “me kanun”, bëhej zot i tokës. Akoma më i preçizuar ka qenë e mbetet çështja e tokës së varrezave. Asnjë njeri sot, të paktën në vendin tonë, nuk mund ta vendosë varrin e të afërmit në tokën e komshiut. Sepse po e vendosi, pjesa që zë varri dhe rruga për të shkuar gjer aty, bëhet e pronarit të varrit. Dhe më vonë kjo “gozhdë-varr” arrin të marrë gjithë tokën. “Gozhda e Nastradinit” vërtet është e lashtë, por filozofia e saj nuk vjetrohet.

Sigurisht shembujt që solla, duken gjëra të vogla e të thjeshta. Mund të jetë kështu për disa, por jo për ata që rrezikojnë tokën apo pronën e tyre. Aq më pak kjo çështje nuk është e vogël por tepër e rëndësishme, kur është fjala për marrëdhëniet me komshiun jugor, marrëdhënie, të cilat asnjëherë nuk kanë qenë të sinqerta, dhe as që mendohen të jenë të tilla. Të paktën nga ana e politikanëve grekë dhe legjionit të prelatëve fetarë, që i shoqërojnë e madje u prijnë në rrugën e tyre shoviniste. Ndonjë lexues, mund të thotë se në vendin tonë kemi edhe varre të tjera të të huajve, si për shembull ato franceze në Korçë. Trojet tona, edhe pse janë të vogla aktualisht, mund të pranojnë pa asnjë rrezik varreza nga vende të tjera, por kurrsesi nga Greqia. Sepse kjo e fundit, jo vetëm është në kufi, por ka dhe pretendime territoriale tashmë të njohura botërisht. A ka evoluar politika greke në marrëdhëniet me fqinjët dhe kryesisht me ne? Unë them asnjë gram. Mbi dy dekada ka Greqia në BE, dhe ajo e ka mendjen përsëri tek kufijtë e mundshëm të Megalidhesë. Për këtë mban në fuqi ligjin e Luftës me Shqipërinë, nuk njeh Çamërinë tonë, etj. etj. Dhe megjithë këtë pozicion të dukshëm shoven të fqinjit, të zotët aktualë të shtëpisë sonë ëndërrojnë Europën, ku kufijtë do të jenë formal e madje në zhdukje. Si nuk ëndërrokan politikanët grekë, të cilët kanë mbi tri dekada që kanë hyrë në “kullën europiane të ëndrrave”?

Ngjarja e këtyre ditëve në Bularat, nuk është një incident i shkëputur, por një provokacion i investuar për të matur pulsin e situatës në vendin tonë, dhe për ta përdorur si pararendës të provakacioneve të ardhshme, intensiteti i të cilave do të vijë në rritje. Përgjigja profesionale, që i dha policia jonë këtij provokacioni, ia ndali turrin “Kalit të drunjtë” të Odiseut të ri. Kryeministri Cipras po tregohet pak si i moderuar. Moderimi i tij nuk vjen nga pozicioni politik që përfaqëson, por thjeshtë për konjukturë të çastit. Në Greqi nuk është vetëm “Agimi i Artë” i linjës së ashpër. Për interesat e Greqisë, ku inkuadrohet edhe “Megalidheja” njëqind e sa vjeçare, të gjitha partitë politike vendase, janë në një zë. Ndryshe qëndron puna tek ne, kur e famshmja opozitë, për hir të karriges qeveritare, që po e ëndërron pa shpresë akaparimi, bashkohet edhe me hasmin kundër vendit të saj.

Shpjeguam gjer tani se ç’kemi mbjellë dhe ç’po korrim, por nuk kemi cilësuar si duhet mbjellësin e farës që po korrim. Thamë më sipër “Zotërit e Konakut” që janë kthyer në matrapazë të Konakut, por nuk i emërtuam ata me emër e mbiemër. Në vija të trasha, janë dy partitë kryesore, PD e PS që kanë kullandrisur këto tri dekada punët e vatanit tonë. Më konkretisht: E nisi Saliu kur, krahas marrëveshjeve të hapura e të fshehta më fqinjin, na solli peshqesh Janullatosin, kreun e Kishës greke, njëherësh krahu i djathtë i politikës shtetërore dhe asaj të Megalidhësë. Pas tij, Nano, i sapo dalë nga burgu, në krye të ekzekutivit hapi dritën jeshile për varrezat greke, i cili, ndryshe nga italiani, dëshironte dhe arriti t’i vendoste në tokën tonë “luftëtarët e rënë për Eladhen”. Në mandatin e dytë, Saliu i parë e thelloi kontratën e kolegut dhe kundërshtarit Nano. Falë kësaj, grekët në inkursionin e zhvarrim-varrimeve, që e fituan pa “tender”, futën dhe eshtrat e shqiptarëve të Kosinës së Përmetit, të vdekur një shekull më parë. Ardhja në pushtet e “Rilindjes” me karizmatikun Rama, ua sëkëlldisi fillimisht mendjen politikano-pushtetarëve grekë dhe prelatëve të tyre të besimit, por kjo veç për një moment. “Rilindasi” ynë, në vend që të rilindte vendin, siç pati premtuar, rilindi kontratat e Saliut e të Nanos për varrezat në fjalë, duke i plotësuar edhe me ceremoni shtetërore në ditën e 28 Tetorit për “Dëshmorët e Eladhës” në Bularatin tonë. Kaq mjafton për të kuptuar se prej kujt e kemi këtë “dhuratë”, të cilën, profesor Xhufi me të drejtë e quajti “një çiban në tokën tonë”.

Po, a do të mundemi ta heqim këtë çiban, i cili prodhon e do të prodhojë “fruta”, si ato të 28 tetorit 2018 në Bularat? Tepër e vështirë, në mos e pamundur.

Nuk jam “nostradamus” të parashikoj të ardhmen, por për marrëdhëniet e politikanëve grekë me vendin tonë, jam gati t’ia kaloi edhe parashikuesit me emër. Greqia politike, jo në BE e në NATO të jetë, por edhe në Hënë e në Mars të stacionohet, “Megalidhenë” njëqind vjeçare nuk do të heqë nga kalendari i saj politik. Ngjarja e këtyre ditëve në Bularat, siç thashë më sipër, u përcoll me profesionalizëm shembullor nga organet tona të ruajtjes së rendit. Por ato do të jenë të detyruara të qëndrojnë gjithnjë më sy hapët, pa u gënjyer nga buzëqeshjet e politikanëve e shtetarëve të të dy vendeve, të cilët, për momentin do ta sfumojnë shamatën, sepse kanë në mes një marrëveshje të rëndësishme, siç është ajo e Detit. Por pas saj, fqinji ynë jugor do të ngrehë përsëri krifën e luanit në “mbrojtje të shtetasve të tij”, ardhacakë në trojet tona.

Këtë rrezik permanent duhet ta dijë gjithë populli ynë dhe të përgatitet për ta përballuar, pa e varur shpresën tek politikanët aktualë, të cilët, nëse acarohet situata, vrapojnë drejt Brukselit apo Amerikës me “Grand Kartën”, që e kanë siguruar sapo erdhën në postet e drejtimit.

Facebook Comments