Nga Ambrozia META

Mëngjesin e kësaj të shtune, une po ëndërroja sikur udhëtoja drejt Balit, me Barish Arduç, e veshur me streçe dhe strapul Nike, flokët kurrizpeshk, kur ndjeva zhurmën e telefonit.
Një njoftim i kryeministrit në twitter.
“Pranova dorëheqjen e ministrit Xhafaj, te cilin e falenderoj për kontributin e çmuar”.
Vetëm një fjali dëftore, për njeriun që ishin shkruajtur qindra lajme dhe që në një vit, kishte dominuar zhvillimet politike në vend.

Në telefon, mesazhe nga kolegët: Kush është Sandër Lleshi, njeriu që në 2013 u propozua nga Ismail Kadare, për President.
U shtriva sërish.
Tani nuk mendoja as Balin, as Barishin po të gjitha rastet që ne gazetarët kemi pritur dorëheqjen ose shkarkimin e tij.

Audiopërgjimi ku implikohej vëllai i tij.
Mesazhe nga redaksia: Interesohu, është parë makina e Xhafës para kryeministrisë.
Takim kokë me kokë me Ramën.
Ministri i paraqiti dorëheqjen, kryeministri e refuzoi.
Një konferencë urgjente, ministri deklaron që kurrë s’ ka menduar të japë dorëheqjen. Lëvizjet e mundshme në shtator në qeveri, a do jetë Xhafaj i rrezikuar?!
Pastaj operacionet e policisë, porosia e ministrit për gazetarët:
“Qëndroni afër Ardit dhe Gentit se do ketë zhvillime interesante”, pa e ditur që për pak ditë, në telefon ne do merrnim lajmin e largimit të tij.
Pastaj, unë e pashë sesi mundohej të mbante veten, duke hyre në Ministrinë e Brendshme.

Ndjeva kënaqësi kur e dëgjova të thoshte, se ishte hera e parë që vinte me vonesë në punë, të njëjtën kënaqësi që ndjeja kur e shihja në krye të Komisionit të Ligjeve, me flokët e bardhë, të butë teksa ulte syzet dhe rrudhte vetullat, duke i ndërprerë fjalën, Doktor Ulsi Manjës.

Facebook Comments