Nga Fitim ZEKTHI

Në Romën e vjetër, mes shumë dënimeve të dhimbshme, ishte edhe ai i lidhjes së trupit të të dënuarit me një trup të vdekur. Trupi i vdekur fillonte të dekompozohej, të kalbej dhe duke u kalbur fillonte të kalbte dhe të gangrenizonte trupin e gjallë të të dënuarit. Ky process zgjaste disa ditë deri sa trupi i të dënuarit gangrenizohej ngadalë i tëri. Në fund i dënuari vdiste, kalbej plotësisht.

Pikërisht kjo po ndodh me qeverinë e kryeministrit Edi Rama. Dorëheqja e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj është vetëm dëshmi e përhapjes së gjerë të kalbëzimit te trupi i PS-së dhe i Qeverisë. Në vitin 2013, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, thirri në PS, thirri në grupin parlamentar dhe në drejtimin politik të vendit, njerëz që vinin nga lidhje me krimin, që vinin nga bota e krimit. Këta njerëz nga pikëpamja politike ishin të vdekur, ata ishin njerëz apolitikë ose edhe më keq antipolitikë.

Kjo lidhje filloi të japë shenja kalbëzimi shpejt. Kjo lidhje bëri që vendi të mbillej me hashash, kjo lidhje bëri që trafiku i hashashit, i drogërave të tjera të rritej, që qeveria të hynte në luftë me opozitën që po denonconte këtë rol të krimit dhe të trafikut të drogës në jetën e vendit. Kryeministri i mbrojti me forcë të akuzuarit. Hyri në luftë personale me opozitën. Vetë të akuzuarit hynë në luftë me opozitën. Paralelisht me shkallën e kalbëzimit të qeverisjes, që rritej përditë si pasojë e kësaj lidhjeje, rritej edhe lufta që kjo lidhje i bënte opozitës. Opozita doli nga parlamenti dhe nisi një luftë për të prishur këtë lidhje, për të dekriminalizuar politikën. Megjithë një arritje në pamje të parë të rëndësishme me ligjin e dekriminalizimit, opozita u vu sërish nën sulmet e lidhjes së PS-së me trupin e kalbur të krimit.

Zgjedhjet e vitit të kaluar ishin pika kulmore e bashkëpunimit apo pika në të cilën trupi i vdekur, krimi, preku organet jetike të trupit tjetër. Me zgjedhjet e vjetshme, me blerjet masive por kirurgjikale -pallat pas pallati, lagje pas lagjeje, fshat pas fshati- të votave në Elbasan, Durrës, Lezhë, Dibër, Shkodër dhe Tiranë, kalbëzimi i trupit u përhap aq shumë te trupi ende i gjallë sa që koha po ecte shpejt dhe pakthim mbrapsht. Në fakt ajo lidhje katër vjeçare këtu do të çonte. Ajo lidhje është e pazgjidhshme. Ajo lidhje, edhe në mometin që trupi i gjallë e kupton se po e shkatërron, nuk mund të prishet.

Tani e vështirë është dalja nga kjo gjendje. Lajmi i dorëheqjes së ministri të Brendshëm, Fatmir Xhafaj ndonëse dëshmon drejtësinë e luftës së opozitës, ndonëse dëshmon kalbëzimin e Qeverisë dhe të PS si pasojë e lidhjes me krimin, nuk është lajm i mirë. Në radhë të parë, Xhafaj mund të jetë shkarkuar ose ka dhënë dorëheqjen i detyruar. Kjo, gjithsesi, ka pak rëndësi. Cili është njeriu që e ka ideuar dhe materializuar lidhjen e krimit me PS-në, cili është njeriu që i thirri njerëzit e botës së krimit në qeverisje? Përgjigja e kësaj pyetjeje na ndihmon të kuptojmë pse largimi i Xhafajt është një lajm i keq.

Është e sigurt se Xhafaj nuk është njeriu që e thirri krimin në PS. Dihet nga kushdo që deputetët që janë në burg, apo që janë larguar nga dekriminalizimi, janë thirrur nga Rama. Tashmë kur kalbëzimi po shkon në fazën fundore, Rama si bartësi kryesor i lidhjes së trupit të vdekur me trupin e gjallë, nuk ka asnjë mundësi të prishë lidhjen. Rama, aktualisht, nuk ka asnjë mundësi të luftojë ata që mbollën hashash, ata që morën konçesione dhe sidomos ata që vjet blenë zgjedhjet.

Kështuqë, Xhafaj, sado të ketë mbajtur anën e Ramës nuk ka qenë as ideator dhe as një forcë shtytëse e asaj ane. Në momentin që kalbëzimi bëhet kaq i madh sa tani dhe në momentin kur faktorë të tjerë jashtë PS-së dhe qeverisë –hetimet gjermane, presioni ndërkombëtar- nisin dhe sulmojnë lidhjen dyjare të kalbur që kundërmon shumë, atëherë Xhafaj do të nxirret jashtë nga Qeveria. Pra, në këtë kuptim situta është e keqe dhe largimi i Xhafajt është një lajm i keq.

Megjithatë, duhet thënë se Xhafaj nuk duhet të ishte ministër asnjë ditë. E kaluara e tij si Sekretar i Parë i Rinisë, dhe sidomos ajo si hetues i kohës së regjimit komunist, duhet të vlenin sadopak. Sigurisht që PS dhe Rama, përderisa bëjnë një lidhje të pamoralshme duke thirrur njerëz nga bota e krimit në politikë, as që do ta mendonin kurrë largimin nga Qeveria të njerëzve për arsye se vijnë nga regjimi komunist apo nga detyra politike të atij regjimi. Edhe fakti që Xhafaj e kishte të vëllanë të dënuar për trafik droge, e bënte atë të sulmueshëm dhe të papërshtatshëm për të qenë ministër i Brendshëm. Madje Rama dhe PS as që duhet ta mendonin emërimin e tij në Qeveri. Në këtë kuptim largimi nga Qeveria i ministrit të Brendshëm, Xhafaj është nëj fitore. Është gjithnjë një fitore kur dikush që ka kryer detyra të tilla si hetues i kohës së regjimit komunist dhe si Sekretar i Parë i Rinisë Komuniste, largohet. Po ashtu është fitore që të largohet nga detyra e ministrit të Brendshëm dikush që ka të vëllanë të dënuar për trafik.

Pra, kemi të bëjmë me një largim që, sa i takon gjendjes brenda Qeverisë tregon kalbëzimin e thellë të saj dhe tregon që Kryeministri hodhi ministrin e Brendshëm duke zgjedhur kalbëzimin. Sa i takon pamjes së madhe largimi është një lajm shumë i mirë sepse faqe të gjithëve tregohet pushteti i madh i krimit në Qeveri, tregohet drejtësia e luftës së opozitës dhe, nuk kemi më në qeveri dikë me të kaluar të rëndësishme në komunizëm.■Politiko

Facebook Comments