Nga Adela RADOVANI

▪Leximi në banjo që rastësisht doli nga biseda, kur Ardiani përmendi të fiksuarit pas pastërtisë që kanë frikë mos librat e përdorur kanë bakterie nga pronari i tyre i vjetër, Gresa e lidhi direkt me leximin e librave të dobët që meritojnë të lexohen aty. Përkundrazi, libri i mirë sillet për lexim në banjo.
Deri në brezin e fundit kur nuk kishte ende smartphone, të gjithë bebet dy vjeç kanë mësuar të bëjnë nevojat e tyre në uturak me një libër në dorë.
Qëllimi i “heqjes së pampersit” ose “potty training” është që fëmija të jetë i aftë të tregojë kur i vjen për të vajtur në banjo, si ta mbajë deri në momentin e duhur dhe si të kërkojë pastrim në fund të procesit.
Që mësimi të jetë i shpejtë, i gjithë procesi duhet të lidhet me patjetër me diçka pozitive, me aprovim gojor, me një dhuratë dhe sidomos me një libër.
Një fëmijë i vogël e humbet interesin me sekonda.
Çfarë më mirë se një libër që ai e do tashmë do e kryente këtë funksion, pra që të mbahet pak më gjatë në uturak që të mund të mbarojë atë që duhet të mbarojë?
Lodrat kërkojnë zakonisht lëvizje, leximi ose vëzhgimi i fotove në rastin e një moshe aq të hershme është një akt që kërkon përqëndrim dhe ngulje në një vend.
Për shkak të këtij edukimi, unë merrja revistat e mia të preferuara me tregime për fëmijë deri vonë në banjo, derisa erdhi momenti që na e ndërruan tualetin.
Ai i riu nuk ishte i rehatshëm dhe ndaj as i përshtatshëm për lexim.

▪Kontakti i parë i Ardianit me librin ishte me atë të përdorurin, atë që tashmë gjendej në raftet e shtëpisë para se ai të mund të kishte blerë.
Akti i blerjes së një libri të ri ishte i panjohur dhe i pamundur, tha ai.
M’u duk tepër interesante sesi ai mendoi që një brez më i ri, shumë më i ri, që fëmijërinë e ka kaluar në vitet ’00, duhet të kishte një eksperiencë tjetër me librin. Gabim, totalisht.
Kultura e librit të përdorur ka qenë tepër e zhvilluar në Shqipëri për të paktën deri nga 2010.
Shumica e prindërve që ruanin bibliotekat e gjyshërve, me shumë dashuri ia përcollën ato edhe fëmijëve, librat shkolloror kaloheshin mes brezash, deri dhe fletoret e shënimeve dhe zgjidhet e ushtrimeve.
Mania për të mbledhur libra, të cilat siç Ardiani e shpjegoi, ishin të rrallë dhe mezi arrije t’i bleje kur dilnin me atë tirazh standard që do kishin, ende qarkullonte në mendjet e njerëzve për disa arsye.
•Së pari, shtëpive botuese ju desh shumë kohë që të merrnin veten dhe të botonin libra në ndonjë nivel editimi e stampimi cilësor.
Edhe nëse ndodhte, kishte një paragjykim të madh për shkrimtarët e rinj ose të vjetrit që ndryshuan stil.
Prindërit e mi ishin gjithë kohës të shqetësuar për librat e rinj që mund të shtija në dorë – për censurën, për gjuhën, për nivelin.
Nëse për një libër të para ’90 ti si prind ishe i sigurt se aty për seks nuk kishte shans të flitej, tashmë në një botë të re, liberale dhe të etur për të shkruar për tabutë në formën më të shfrenuar të mundshme, libri bëhej objekt i rrezikshëm dhe duhej kontrolluar.
•Së dyti, varfëria e madhe dhe çmimet të cilat u bënë menjëherë të papërballueshme për një familje e zëmë, me tre ose katër fëmijë, i shtynte prindërit që të ruanin botimet e vjetra me shumë zell.
E fundja, “si këto libra nuk botohen më”, thoshin gjyshërit e mi, të neveritur nga paperback-u me font 10ppt dhe marxhina anësore nën 1 cm.

▪Në diskutim nuk u bë kurrë dallimi midis librit të përdorur prej teje dhe librit të përdorur prej dikujt tjetër.
Kjo sepse në thelb, i përdorur prej teje do të thotë që thjesht e ke blerë ti dhe ende e ke po ti, prandaj nuk mund të quhet fare i tillë.
Por, nëse një libër është blerë njëzet vite më parë, e ti e ke shënuar, e ke lexuar disa herë, e ke shpërndarë e marrë mbrapsht, unë mendoj që ky libër është sërish i përdorur edhe pse është ende në duart e pronarit të parë.
Unë kam një kopje të “I huaji” që është lexuar disa herë. Më pas mora versionin anglisht, i cili po ashtu është lexuar disa herë.
Të dyja kopjet kanë shënime dhe janë nënvizime të cilat tregojnë një gjendje mendore, një kritikë të thelluar të dikujt që sapo zbuloi mjaltin me arra.
Siç i thonë, ra daci në kos.
Vlera e atyre shënimeve është dyfish, si nga aspekti intelektual – njeriu, e sidomos unë, harron shumë gjëra dhe dobësohet nga dija e tij, si nga aspekti emocional.

▪Ka qenë një kohë kur unë kisha një luks të madh, të vija në shtëpi dhe të gjeja bibliotekën e gjyshëve në shtëpi.
Pastaj erdhi një ditë dhe ajo u zhduk.
Ashtu siç dashuria për librin, e asaj gjëje që të sillte në dritë dhe të ngrinte nga klasat më të ulta e drejt kuadrove intelektuale, tashmë pas viteve ’00, ajo u zhduk.
Siç librat u zhdukën nga shtëpia ime (që në retrospektivë, nuk ka qenë kurrë imja për sa kohë askush nuk më pyeti a duheshin ruajtur apo jo librat e vjetër dhe shumica e librave të rinj që i kisha kërkuar prindërve të m’i blinin në fillore e tetëvjeçare), ato filluan të shfaqeshin nëpër cepa rrugësh, tek urat e Lanës, në kioska.
Kujtoj kopjen me emrin tim dhe datën që e gjeta ndanë rrugës së Elbasanit dhe fillova të ulurij.
Nuk mendoj që ka akt më të turpshëm që mund t’i bësh një fëmije 12 vjeç, veç se ta nxjerrësh nga shtëpia.
Pas të pesëmbëdhjetave, karakteri im ndryshoi në tipikisht adoleshente dhe ruajtja e librave të mi u bë detyrë dhe ulurimë e përditshme.
(Ende është.)

Facebook Comments