Intervistë me Fatbardh Markun, skenograf i dramës “Lumi i Vdekur” me regjinë e Drita
Agollit.

Nga Rajmonda DERVISHI

Pse nuk mund të vihen më shfaqjet si “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, “Arturo Ui” dhe “Lumi i Vdekur”?

Sepse gjithçka ka qenë e ndërtuar mbi bazën e një rrotativë në të cilën zhvilloheshin ngjarjet. E njëjta gjë ishte tek Arturo Ui. Ndërsa magjia e vërtetë ishte në shfaqjen “Lumi i Vdekur”. Në këtë shfaqje ka patur një rrotativë të pjerrët, ku njëri prej aktorëve tërhiqte qerren dhe skena rrotullohej. Ky rrotullim bënte që spektatori të shijonte plane të shumta në ecje e sipër të karrocës. Pra, këndi i shikimit ndryshon kur spektatori është në këtë nivel që sot ka skena aktuale e Teatrit Kombëtar. Në këto spektakle të medha angazhohen edhe 40-50 aktorë siç është edhe skena e “përmbytjes”. Duke qenë skenografi i “Lumit të Vdekur” e kam të jetuar se sa e rëndësishme qe kjo sallë për shfaqjen. Pra të gjitha këto kënde shikimi pa fund dhe gjithë kjo hapësirë që të krijohet, bën që spektatori të jetë shumë komod e pjesëmarrës. Mua nuk më pëlqen të shikohet skena nga lart. Ndërsa te “Turbina” çfarë ndodh? Të gjithë prozhektorët janë mbi kokat tona. Unë kam parë dy shfaqje atje dhe jam llahtarisur. Isha ulur në radhën e tretë. Kur nuk shikoja asgjë unë që isha në atë radhë, çfarë mund të shohin ata që janë më sipër? Prozhektorët, kaq. Pra jam i bindur që te kjo sallë “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” nuk vihet dot më. Tek kjo sallë është bërë edhe “Arturo Ui”, e po njësoj duhet e njëjta hapësirë që në salla të tjera nuk i gjen dot.
Në shfaqjen e fundit të Spiro Dunit “Udhëtimi i gjatë drejt Natës”, a nuk ishte magjike ajo ulja e perdeve dhe grilave? Këtë shfaqje unë nuk e bëj dot në asnjë vend tjetër. Kur personazhi që luan Yllka Mujo në shfaqjen që sapo thashë, nëse do të vihej në skena të tjera, llozhat nuk do e shijonin dot atë detaj kyç. Unë jam i detyruar të punoj në bazë të këndit të shikimit; ti ul e ti afroje deri ku do të mund të duket me mirë. Ne kontrollojmë të gjitha pikat e shikimit të skenës në mënyrë që një emocion të jetë pikë kulminante e veprës. Këtë shfaqje e pranova si projekt vetëm prej asaj skene, ajo më dha ngacmimin, zgjidhjen. Duke lexuar thoja “pse ma ka dhënë Spiro këtë vepër?! Personazhi që i bie pianos dhe mendon pamundësinë e ëndrrës së vjetër. Mora ngacmimin duke e parë qartazi të realizueshme në atë skënë dhe direkt mora në telefon regjisorin Duni dhe i thashë “faleminderit që më ke dhënë këtë vepër”, kështu krijova imazhin. Ku do ta bëja unë të realizueshme këtë ide timen pa këtë skenë mrekullie. Edhe kritiku Rumun ka shkruan që “ Fatbardh Marku e çoi veprën drejt një finaleje absolute”. Si mund të realizosh një ide pa patur mundësitë teknike? Kjo e shumë të tjera u realizuan vetëm falë asaj skene.

Mendoni se ky shkatërrim që po i bëhet teatrit, është e rastësishëm, apo e mirëstudiuar?

Nuk kam një përgjigje të saktë. Por një gjë është e sigurt se nga të gjitha ndërtimet që janë bërë, nuk është arritur asnjëherë kjo cilësi shikimi që ka ky teatër, raporti i spektatorit me skenën. Asnjë nga këto skena nuk e ka. Ne do punojmë se s’kemi nga ia mbajmë nëse kjo skenë na hiqet, por nuk do arrijmë dot maksimalen tonë pasi kemi limite dhe një krijues kur dënohen në lirinë e tij nuk është i realizuar në punës që bën. Kur u bë platforma e skenës së Teatrit Kombëtar, skenografët e atyre viteve kishin mbaruar në skenat më të mira të teatrit. Shkolla Polake, Rumune, Ruse, pra majat e teatrit. Këto skenografë e imponuan sistemimin e asaj skene. Ata që punuan ishin Shaban Hysa, Agim Zajmi, Hysen Devolli. Këto tre skenografë me shumë vizion, përcaktuesit e shkollës Shqiptare të skenografisë sonë. Këta e niveluan dhe e gjetën pikën ideale të shikimit duke rregulluar të gjithë dyshemenë. Pas kësaj pune, ne e gjetëm gati. Petagogu im ishte Shaban Hysa dhe kur unë mbarova në vitin 1972 e gjeta të stabilizuar këtë raport. Një nga regjisoret e reja po më fliste për regjinë ndryshe të viteve të fundit se kjo lloj shprehjeje në teatër ka dalë shumë vonë, pra për hapësirat pa fund. Regjisorja e re mendonte se kjo ishte forma tipike e regjisurës së këtyre 10-15 viteve të fundit. Unë i përgjigjem me faktet duke i rekomanduar të shohë këto filmime. Shih hapësirat e shfrytëzuara. Në një nga ekspozitat e mia një kritik Austriak i tërhoqën vëmendjen skenografitë. Unë i thashë se ajo qe karakteristikë e të gjithë kolegëve të mi. Nuk ka lidhje politika me skenografinë. Arti ka ligjet e veta dhe s’pyet fare për ta. Teatri është konvencion, ndaj ka këtë luks.

Në sa skena keni punuar z Marku?

Po thuajse në të gjitha skenat në vend. Skena e Korçës pas rikonstruktimit, përfundimisht u prish. Ai vend tashmë është kthyer në një sallë për të zhvilluar mbledhje, konferenca, mitingje. Amfiteatret janë një lloj mitingu në fakt. Por, mesa duket këta duan mitingje, jo teatër. Në këto skena nuk bën dot spektakël, nuk bën dot efekte dritash, nuk shijojnë dot të gjithë atë çka ti si artist do të transmetosh. Të mungon madhështia e qiellit, raportin e njeriut me qiellin, hapësirën, e nuk është pak. Unë si krijues jam i limituar. Unë dua të bëj një shfaqje me tre kate, ku ta bëjë? Do shkojnë njerëzit të kapen lart te prozhektorët. Nëse aktori e ka prozhektorin te koka, është llahtar, nuk shikohet më gjë, sepse do ia kthej dritën në sy spektatorit e nëse ke një dritë të fortë nuk shikon dot. Nuk bëj dot një kundra-dritë, e di çdo të thotë një kundra-dritë ne teatër?

Teatri Kombëtar është i rrezikuar keqas të shembet e bashkë me të edhe miti i kësaj skene; si e gjykoni këtë zhvillim?

Teatri ka 65m gjerësi dhe 35m lartësi. Muri i jashtëm i Teatrit Eksperimental dhe Teatri Kombëtar janë gjithsej 65m. Në këtë sipërfaqe është planifikuar të bëhet ajo ngrehina-urë. TEATRI është i bukur se ti para se të hysh takohesh me njerëzit. Përpara teatrit është vendi më i paqtë në të gjithë zonën. Gjithë ajo hapsirë që është bosh përpara teatrit, nuk është për policët, por për spektatorin që vjen në teatër. E kanë bërë italianët atë, jo Shqiptarët, se ne i bëjmë ndryshe punët. Me këtë projekt të ri janë evituar si fush-pushimi i spektaktorit, ashtu edhe ai i aktorit. Këtu eliminohen totalisht këto hapësira. Spektatori hyp shkallët e ngushta dhe direkt ndodhet në urë. Më pas nuk e di se çfarë bëhet, ku janë planimetritë? Por ishte edhe ajo ideja që na bëri të qeshim të gjithëve. Ishte kur shpjeguan se si fasada do të jetë me xhama, që të shihen aktorët gjatë provave nga spektatorët. E ku do rinë këta spektatorët? Apo do i shohin nga jashtë për të bërë gallatë se si zhvishen aktorët? Pse nuk i tregojnë planimetritë? Ku janë pra, pse nuk i tregojnë unë nuk e di. Nëse i tregojnë jam e sigurt që ne nuk do t’i lejojmë. Do të ngrihemi të gjithë pastaj, ndaj ata i mbajnë të papublikuara. Ku janë planet, ku janë projektet, nuk e di. Unë jam i bindur se me këto propozime nuk dalin sipërfaqet që i duhen një teatri normal. Nuk po mendoj për magazinat, se ja të themi se po i bëjnë anësore.
Flas për dekorët e shfaqjes së repertorit se për ato të së shkuarës, kushedi se ku do degdisen, ndoshta te ndonjë repart ushtarak. Ja u ngrit spektatori këtu lart pra në urë, ku do rrijë, ku shkon? Ku i kanë projektet pra, ku? Le t’i nxjerrin se mbase janë të bukur, me gjithë mend e them. Mbase janë ndonjë gjë interesante, e çuditshme që ne nuk na shkon mendja. Mbase mbase për këtë skenë kanë menduar që kur të ulesh, të ulet e gjithë salla. Mbase e kanë çdo gjë elektronike, mbase na sjellin ndonjë çudi. Por, nëse janë kështu fikse siç edhe ne e kemi parë, është absurde. Por është edhe një detaj tjetër. Në renderin që na është paraqitur nga “Holandezi fluturues”(qesh) ka pjerrësi dhe nuk ka kullë skene. Nuk ka fare magazinë skene, magazinën e dekoreve që ngrihen lart në qiell. Ajo do të paktën 15m mbi nivelin e boka-skenës, me qëllim që spektatori të shohë një qiell pa limit. Lartësia e skenës do të paktën 2 kate, për të mos thënë 3. Shfaqja ime e parë ka qëne në teatrin e Fierit me një dramë të Ndrek Lucës “Votra e Harruar” në vitin 72. Unë isha në vitin e tretë dhe ende nuk kisha mbrojtur diplomën. Engjëlli im mbrojtës ka qëne Drita Agolli, pasi ajo më mori për të më përfshirë në skenë pasi pa disa projekte të miat. Kur pash skenën e Fierit, gjykova se duhej ngitur dhe e bëra me dy kate për të rregulluar këtë distancë këndshikimi. Ajo vepër u ndalua dhe nuk u lejua të shfaqej. Më pas nisi projekti për “Lumin e Vdekur” me regji të Drita Agollit . Në librin e saj ajo shkruan se bashkarisht vendosëm që ta vendosnim të gjithë dramën në rrotativë mbi një qerre. Kjo qerre do të ishte krevat, dashuri, shtëpi, vendlindje, arkivol dhe do të kthehej në të gjitha simbolikat e jetës, ajo qerrja që tërhiqej. Kjo shfaqje pati një bum artistik për kohën dhe sot ma kujtojnë shumë nga ata që e kanë pare, midis tyre edhe Namik Ajazi.

Do të pëlqente ta rivije, e nëse po, sot si do ta sillje?

Ajo shfaqje u pa ashtu dhe ashtu është e bukur. A mundesh t’i thuash Kadaresë të ribëjë gjeneralin? 24 vjeç ishte edhe ai në atë kohë, unë 23. Janë disa momente të një artisti që mbase mbase vepra e parë godet dhe refleksioni ishte i gjetur. Por nëse do ta rivinin, do të isha kurjoz se si do ta vinte. Në mungesë të asaj salle, unë nuk e shoh askund. Vetëm në Balshoi Teatër.

Skenografi nga Fatbardh Marku

Facebook Comments