“Poetet shpejtojne perhere per diku
Poetet shpejtojne te vdesin,
Dhe s’dine se ku.”

Ne Tiranë ka vetem tiranë

Ne Tiranë ka vetem tiranë,
Ne Tiranë të vrasin të gjithë
një shetitje me veten të vret.
Mos e ndill kujtimin në Tiranë,
Është tmerrësisht i pamëshirshëm.
-Të vret.
Mos guxo ta shohësh ne sy lirinë në Tiranë,
dielli i syrit shuhet, shkërmoqet e zhbëhet.
Ti i barabartë me lirinë?
-Mos e beso!
Liria te vret.
Hipokrite shpresa sy-picigjatë e Tiranës
ti i vdekur-e ajo me gojën e saj të jep frymë,
të ngjall qe sërish ty të vrasë-të vret.
Është tjetër,tjetër trishtimi i tetorit ne Tiranë,
vjen duke ikur-të vret.
Si krye-engjëlli,Sovrani i zymtë,ferrin e tij…

E dua Tiranën se të vret.

Vdekja e gjyshes

Ja, edhe gjyshja në arkëz,
kukull e vogël në kartëz,
Është… dhe prapë s’është e tëra,
sikur nuk është si përhera.

Gjithë karfica, gjilpëra
kapur satenet në kokë,
lidhur këpuckat përposh,
shami e lule në gjoks.
Mbyllur kapakët e syve
Ç’ndjej u shua brenda tyre?
E sheh… dhe të duket heshtja
pe gjasme e pe gjasme vdekja.

Gjyshja e vogël, e bukur,
e pastër…
Në arkëz kukull.

Gjithë karfica, gjilpëra,
qepur vite të tëra,
lidhur kujtime e malle,
dhembje, qé duken si përrallë.

E sheh… dhe të duket heshtja

▪Mos më urre

Mos më urre.
Dikur ne ishim të dy
Si qielli me detin
Kur vrenjtej njëri-nxinte tjetri;
Kur kthjellohej njëri – kaltërohesh tjetri
Dikur si dy ura në vatër
Per sho-shoqin ishim
Të veçuar shuheshim,
Të bashkuar – digjeshim
Por sa shpejt dashuria
U kthyeka në urrejtje…

Ti mos më urre…

Xhevair Spahiu duke lexuar njoftimin për vdekjen e mikut të tij më të mirë

▪Fatos Arapi lindi në qytetin e Vlorës(1923). Po atje ai kreu shkollën e mesme,
ndërsa studimet e larta i ndoqi në Bullgari (Sofje) në fakultetin e Matematikës
dhe të Ekonomisë. Ka punuar shumë vjet gazetar dhe pedagog në Fakultetin
Histori Filologji të Tiranës. Disa herë ka fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare për poezi. Vepra e Fatos Arapit është e pasur në llojet e zhanret e ndryshme që ai lëvroi. Përveç poezisë ku ai qëndron në rreshtat e parë, Fatos Arapi
ka shkruar edhe disa novela: Patat e egra, 1969; Cipa e borës, 1985; Gjeniu pa
kokë, 1999 etj; disa romane: Dhjetori i shqetësuar,1970; Shokët,1977; Deti në
mes,1986; disa drama: Partizani pa emër,1962; Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front diku,1995; ka bërë disa përkthime: Këngë për njeriun, Nikolla
Vapcarov, 1981; Poezi, Pablo Neruda, 1989; Safo, 1990; Antologji e poezisë
turke etj; si dhe ka shkruar një numër të madh artikujsh e studimesh të ndryshme. Poezitë e para Fatos Arapi i botoi në gjysmën e dytë të viteve pesëdhjetë, dhe, përkatësisht në vitet 1962 e 1966 botoi vëllimet “Shtigje poetike” dhe
“Poezia dhe vjersha”. Që në hapat e parë ai paralajmëroi një zë të vëçantë në
artikulimin gjuhësor të botës dhe të njeriut, një vizion të vetin mbi realitetin.Fillimet poetike të Fatosit do të jenë tematikisht të rrudhura e të reduktuara, duke
u kushtëzuar nga rrethanat politike të kohës. Në frymën e hovit ndërtimor dhe
të entuziazmit për çlirimin e vendit, që mbizotëronte brenda parimeve krijuese
të realizmit socialist poeti shpaloste besimin se Shqipëria ecte drejt një rruge
të re, të lirë, dhe ky besim bënte të përballohej më lehtë durimi dhe sakrifica.
Brenda këtij vizioni, Fatos Arapi shpesh do t’i përqeshë e përbuzë burokratët
dhe demagogët, si në poezinë “Antiburokratike”, apo do të sjellë disa veçanti
përmbajtësore dhe ekspresive si në poezinë “Pse erdha në jetë”. Siç shihet, poeti i thurr ode lirisë dhe “mejtimit të lirë” siç e quan ai. është synim dhe ideal
madhor, pas të cilit poeti magjepset dhe përbetohet.

▪Poezia e Fatos Arapit i kapërcen dimensionet e Shqipërisë, është e nivelit evropian

Fatos Arapi është i biri i Tol Stavre Arapit, një intelektual i njohur, një atdhetar, i cili në 1914 botoi në 20 faqe poemën “Kuçedra”, si dhe la në dorëshkrim librin me publicistikë “Që të bëhet Shqipëria” (u botua në 1996). Fatosi që në vitet ’60 qe një mjeshtër i spikatur dhe autoritativ i modernitetit të poezisë shqipe. Ai është një nga emrat e mëdhenj të letërsisë.

Poezia e tij i kapërcen dimensionet e Shqipërisë dhe është padyshim e nivelit evropian.

Kam në bibliotekën time librin studimor “Këngë të moçme shqiptare”, botuar në 1986. Këtë libër Fatosi ma ka dhuruar në shtëpinë e mikut të përbashkët, piktorit të popullit Abdurrahim Buza në 11 nëntor 1986. Ky libër është studimi më serioz që është bërë ndonjëherë në shkencën shqiptare për një trashëgimi të pashembullt poetike siç është Eposi i Veriut.

Dhe Fatos Arapin asnjëherë nuk e bënë akademik.

Fatos Arapit nuk ia ka festuar kush datëlindjet e plota siç ishte 75 vjetori, 80 vjetori, 85 vjetori etj. Si ka mundësi? Si ka mundësi që ky njeri të harrohet kaq mjerueshëm dhe kaq në mënyrë paradoksale nga politika? Nga ministrat e ashtuquajtur të Kulturës gjatë këtyre 26 vjetëve?

Në të vërtetë Fatos Arapi nuk ka nevojë për asnjë ceremoni groteske dhe për asnjë nderim shtetëror. Duke qenë një nga krijuesit më të talentuar të kohërave moderne, ai ka vendin e tij të parrëzueshëm dot në letërsinë shqipe.

Dhe kjo jo për të tingëlluar thjesht ngushëlluese, është plotësisht e vetëmjaftueshme. Deri në amshim. Duke e përmendur emrin e Fatos Arapit për të prekur nervin e opinionit publik, unë nuk bëj gjë tjetër veçse i shërbej një të vërtete, duke dashur që të ndryshoj raportin e mbrapshtë, mjeran, të politikës ndaj kulturës. Ata që kanë sy, do të shikojnë. Ata qe kane vesh do te degjojne.

Fatos Arapi hyn te poetët më të mëdhenj modernë të poezisë së Shqipërisë. Ai së bashku me Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin bënë ndryshimin më të rëndësishëm konceptual të poezisë shqipe që nga koha e Migjenit të madh.

Kështu në vitet ’60 të këtij shekulli poezia shqipe përjetoi një nga kulmet më të ndritshme të modernitetit të saj, që nuk kishte të bënte vetëm me sistemin e brendshëm figurativ stilistik dhe veçanërisht metaforik, sesa – dhe kjo është më e madhja dhe s’duhet harruar asnjëherë – me dimensionimin për herë të parë të poezisë shqipe me poezinë më të shquar botërore. Këtë gjë e kish bërë dikur De Rada me Naim Frashërin, Serembe, Lasgush Poradeci, Mjeda dhe Migjeni. Por atë që bëri brezi i talentuar i viteve ’60 duhet ta vlerësojmë jo vetëm kronologjikisht, sepse cilësia nuk është thjesht një tregues i kronologjisë. Cilësia e madhe e poezisë e kapërcen dhe nuk e përfill kronologjinë.

Fatos Arapi është poeti i përsiatjeve të thella meditative. Ai solli risi që nuk ishin më parë në poezinë dhe poetikën shqiptare. Këto gjëra ai nuk i solli rastësisht. Në raport me Kadarenë dhe Agollin, Arapi ka botuar më pak. Ai i ka kushtuar më tepër rëndësi poezisë në vetvete. Midis dy poetëve bashkëkohorë, të cilët bënë epokë në letërsi, Arapi u shfaq në dukje disi më i ndrojtur, por në thellësi po aq ambicioz sa dy të parët. Ai nuk ka gëzuar vlerësimet sipërore të kritikës, por për një lexues të mençur, që ka kujdes të posaçëm për të vlerësuar letërsinë, poezia moderne e Fatos Arapit është një poezi kaq e veçantë, kaq rinore dhe moderne sa herë-herë të krijohet përshtypja se jo vetëm që nuk është më i madh në moshë se Kadareja dhe Agolli, por ndoshta ka lindur një 10-vjeçar më vonë se ata. Ky sens, ky atribut i një rinie poetike është ndoshta më i çuditshmi dhe më tipiku për Fatos Arapin. Ai që në fillim qe më afër modernitetit dhe prirjeve bashkëkohore mediative të poezisë së emancipuar shqipe. Ai ka ndikuar në disa kuptime më shumë në një ndërlidhje të poezisë cilësore. Ndoshta këtu kritika mund të vinte më mirë dhe si duhet theksin. Ndoshta këtë kritika do ta bëjë në të ardhmen.

Nuk kam ndërmend të përcaktoj vendin që zë Fatos Arapi në mozaikun letrar të Shqipërisë. Ai është i spikatshëm dhe i qartë, me gjithë ndërlikimet dhe herë-herë metaforat hermetike të tij. Ai është kërkues dhe i shqetësuar, ai është vetvetja, sepse flet për herë për veten, por jo si njeri i vetëm, por si tërësi e njohjeve, ngacmimeve, mbresave fantazive. Fatos Arapi reflekton epokën në mënyrën e tij, eposi i përgjakur i luftës është zanafillë e madhe, por nuk mungojnë zhgënjimet, ai pikturon peizazhet detare, pendohet që nuk i ndenji nënës pranë në çastin e vdekjes.

Në muzeun e fjalës krijon një cikël epitafesh poetike për të rënët, bisedon me të vdekurit, sikur edhe vetë është i vdekur, duke qenë së bashku të gjallë.

Ajo që dua të theksoj është tragjikja e dashurisë së tij. Poezitë e tij të dashurisë janë klithma dhimbjeje. Përherë është i etur me një Poezitë e fundit të Arapit kanë ngjyra të errëta si poezitë ekzistenciale të Migjenit. Ai e di se koha shterpë gjoja është shtatzënë me Prometejtë, njeh ambiguitetin e shoqërisë, kultin e neveritshëm të parasë, kërkon moralin që nuk e gjen.

Poeti mediton i mbështetur tek Ura Mirabo e Apolinerit në Paris, apo kërkon të takojë hijen e Robert Desnosë, por mbi të gjitha, ai martirizohet nga imazhet e Shqipërisë. Pak a shumë, ky është mjedisi i poezive të kohëve të fundit të Fatos Arapit.

Fatos Arapi nuk është vetëm poet. Ai ka shkruar prozë, është marrë me drama, me përkthime dhe sidomos me studime mbi folklorin shqiptar, madje dhe me analizat politike të çështjes shqiptare.

Ai ka bërë diçka origjinale, që të tjerët nuk mund ta bëjnë dot. S’është hera e parë që poetë të rëndësishëm duket sikur harrohen. Por në të vërtetë asnjëherë nuk harrohen. Në të kundërt, shumë shkrimtarë mediokër janë subjekte të bujshme të publicitetit dhe befas, domosdoshmërisht pëlcasin dhe zhduken si flluska në erë.

Fatos Arapi është lidhur ngushtë me kulturën shqiptare. Ai nuk është në sipërfaqe, por në thelbin e saj

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here