Nga Alfred LELA

Elvana Gjata, një këngëtare e muzikës moderne shqiptare, i ka dhënë bujë dhe jehonë një lajmi që përndryshe do të kishte qenë thjesht kronikë e zezë. Prania e një vajze, që ka konsensusin e massmedias si “bukuroshe”, në përplasjen mes dy grupeve rivale në një prej bareve të bllokut në qendër të Tiranës, thuajse i zhvendosi elementët e tjerë të ngjarjes që mori një jetë, plagosi dy vetë dhe, me gjasë, është vetëm fillimi i një hakmarrjeje që do prodhojë edhe më kronikë të zezë.

Twist-i (spërdredhja) që mori ngjarja duket se është i padrejtë me të vetmen grua në këtë histori, këngëtaren 30 vjeçare që, sipas raportimeve është larguar nga Shqipëria, ka mbyllur llogaritë në rrjetet sociale, pra është tërhequr anash për të mos u zhytur edhe më thellë në abysin e kësaj ngjarjeje të errët.

Një grua, në këtë rast Elvana Gjata, është shtegu më i lehtë për t’ia mbajtur drejt arritjes në pikën e përfundimeve që zbulojnë shkaqet e një ngjarjeje. Gjata është një prej ngjyrave, por jo një prej shkaqeve. Do të ishte shumë e lehtë të konkludoje se E. Martinaj, një biznesmen i botës së basteve dhe pasurive të patundshme dhe Ervin Mata, i konsideruar gjithashtu biznesmen, por i dyshuar si një prej lordëve të narkotrafikut në Holandë, janë “Paridi” dhe “Menelau” që u ndeshën për një “Helenë”.

Përplasja e tyre përfaqëson, në fakt, një kondensim të fortë të aktiviteteve ekonomike të grupeve të ndryshme në Tiranë, të cilat operojnë me mjete dhe metoda përtej ekonomiksit. Ndërtimi, pasuritë e patundshme, hoteleria, kompanitë e basteve etj., kanë parë vitet e fundit afrimin e aktorëve të rinj ekonomikë për të cilët dyshohet, por më i fortë se dyshimi qëllon të jetë frika. Personazhe të tillë nuk kanë drojë të dalin jashtë ekonomiksit, kontratës, legalitetit dhe të fusin në përdorim armët si mjete që i çojnë dejt qëllimeve. Pa hequr këtu asgjë, as nga sanguiniteti i tyre, ku ka peshën e vet edhe pohimi i seksualitetit vetjak në sy të shoqërisë, duke u shoqëruar, zotëruar apo fejuar me vajza të show biz-it shqiptar.

Ka qenë gjithmonë kështu e kësisoj ka për të qenë: tërheqja apo partneriteti i strukturave të një shteti nga territoret e ekonomiksit normal, kontraktual, legal, u hapin derën përpjekjeve për t’u formësuar dhe formalizuar aktorëve që, deri dje, operonin në informalitet dhe në heshtje.

Në kësi rasti gishti duhet kthyer ndaj përgjegjësve kryesorë që “krijojnë kushtet” që një bar i Tiranës të kthehet në një saloon filmash Western ku spektakolarizohet “frenimi i mëparshëm” që kërkon të kthehet në pushtim, qoftë ai ekonomik, social apo erotik.

Elvana Gjata mund të jetë kështu vetëm preteksti, por jo shkaku i një lufte të nisur mes “grekeve” dhe “trojanëve”. Ta nxjerrësh ndaj saj frustrimin e përgjithshëm social nuk është krim, por nuk është as vetëdijësim dhe as përgjigjia apo shpjegimi i problemit.
Të paragjykosh Elvanën për “shijen” në zgjedhje apo transgresionin, është si të gjykosh, po për “shijet” numrin e lartë të atyre që e ndjekin dhe venerojnë aktivitetin artistik të saj dhe të ngjashmëve të saj që Shqipëria ofron.

Kur i njëjti numër i lartë përballet me veten dhe i hakërrehet, them se e kemi një problem.
I cili nuk është Elvana Gjata.
E cila nuk është Helena e Tiranës që nisi gjithë atë luftë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here