Nga Mirton MATAJ

◾◾◾

Është titulli më i turpshëm që kam lexuar ndonjëherë në historinë e gazetarisë shqiptare.
Si mund të rradhitet emri i viktimës dhe fjala “përdhunim në grup” në të njëjtën fjali.
A e ka idenë gazetari për çfarë po flet.
Si mund të akuzohen gjithë shqiptarët për një nga veprat më kriminale, më jonjerëzore, më të neveritshme,më perverse.
Shoqëria nuk ka turp të reagojë por ajo pret reagimin e ligjit, prokurorisë,gjykatës,policisë.
Shoqëria nuk është e nënshtruar por vetgjyqësia vepron për shkaqe personale dhe kanuni e lejon doracakun vetëm në rrethana specifike.
Të provokosh ndjenjat e shqiptarëve në gjuhën e rrugës quhet “intrigim”, pse na intrigon Andi Bushati, pse na fyen?!
Për çfarë kodi heshtje flet?!
Nënkomisari është i vetmi që ka bërë detyrën, që ka rrezikuar jetën dhe sigurinë e familjes së tij dhe këtë e ka bërë publikisht.
Ai u ka shkruar të gjithëve,ministrit,kryeministrit,presidentit pse e përlyen me hamëndje emrin dhe gjestin e tij.
Pse përdor për të shprehje që përdoren nga organizatat mafioze. Organet e rendit dhe të drejtësisë nuk kanë as “kod heshtje” as “omerta”.
Shkrimi yt Andi Bushati është fyes,i pamenduar ose i menduar thellë.
Nuk ka shqetësim,nuk ka zemërim,nuk ka ndjeshmëri apo keqardhje.
Ka vetëm papërgjegjshmëri,lojëra fjalësh dhe shërbime për persona të caktuar.
Për ty dhe për të tjerë si ty mund të jenë normale dhe eksituese përdhunimet në grup,jo për mua, jo për milionat e shqiptarëve të ndershëm.
Na ke sharë nga nëna Andi Bushati,na ke sharë nga motra…

Andi Bushati

▪Andi Bushati: Xhisielën e kemi përdhunuar të gjithë në grup

Torturat makabre mbi trupin e 25 vjeçares Xhisiela Maloku nuk janë të rënda, vetëm për përdhunimin sitematik, cigaret e fikura në kofshë, goditjet me qytën e pistoletës mbi kokë. Historia e kësaj vajze të masakruar nga njerëz me pushtet politik nuk është vetëm halli dhe fatkeqësia e saj.

Ato janë turpi dhe nënshtrimi i mbarë shoqërisë.

Tani që dosja voluminoze e këtij krimi të shëmtuar po shpaloset orë pas ore, ne kemi mundësi të shikojmë një sistem të kalbur, në çdo ingranzh të të cilit gjenden njerëz të përkulur dhe të nënshtruar.

Sepse Xhisiela u end më kot në disa dyer komisariatesh dhe të gjithë rrefuzonin t’ia merrnin denoncimin.

Sepse gjatë kalvarit të saj, që shoqërohej me rrëmbime, kërcënime dhe përdhunime të herëpashershme, ajo u gjend përballë me shefa policie që i thoshin me mospërfillje: “ai që të rreh të do”.

Sepse ajo u ndesh me punonjës rendi që duhet të mbanin anën e viktimës, por që paraqiteshin me krenari si “miq familjeje” të xhelatit.

Sepse “në ndihmë” të saj u thirr me urgjencë një avokat, – ai tani njihet me emër dhe mbiemër-, i cili e braktisi në mëshirë të fatit.

Sepse “për t’u kujdesur” për të i’a behu një psikologe që nuk vërejti as gjurmë dhune dhe as shenja traume.

Sepse kryeprokurorja e re, e dalë pas votimit të reformës në drejtësi, nuk ka bërë asnjë gjë kundër birit të një deputeti që e ka votuar si socialist zgjedhjen e saj të paligjshme.

Sepse gjoja-kolegët e mij gazetarë, u kënaqën me një përgënjeshtrim të ngjarjes, kur ajo u denoncua për herë të parë kë korrik, nërsa tani Xhisielën e përdorën si mish për top, për të shpëtuar Taulant Ballën dhe Rahman Rahjën.

Sepse të gjitha shoqatat e mbrojtjes së grave, që të hidhen në fyt po the një fjalë më tepër për një deputete femër, nuk patën guxim të belbëzojnë për këtë krim të përbindshëm.

Sepse aktivistët e të drejtave të njeriut u bukosën nga frika e përballjes me kriminelët.

Kjo pra është ajo çka Xhisiela nxori në pah: stofi i një shoqërie që është dorëzuar përpara të keqes, që i ka humbur shpresat se ajo mund të luftohet sidomos kur është e veshur me pushtet, që ka bërë paqe të turpshme me mendësinë: kur të vjen e keqja hapi derën”.

Rasti i saj, përtej dramës së rëndë personale, është tragjik, si simbol i këtij nënshtrimi të përgjithshëm.

Pikërisht kundër kësaj zbythjeje të të tërëve e solli rasti të ngrihej një nënkomisar i zakonshëm, Emiliano Nuhu, i cili vendosi ta denoncojë krimin.

Natyrisht, unë nuk e di nëse qëllimet e tij ishin idealisht të pastra, apo pragmatikisht të kalkuluara. As nuk mund të vë dorën në zjarr nëse ai është sjellë si një polic model, apo si një njeri që i është dashur të bëjë kompromise me të vërtetën për të përfituar mbrojtje politike.

Por, pavarësisht nga këto, me duken ç’njerzore aludimet që e shohin si një njeri që do digjej nga vettingu, si të blerë me para, si militant partiak, apo si kandidat për azil në Europë.

Para së gjithash ai është njeriu që na ndriçoi për ekzistencën e një krimi të tmershëm.

Ai qe një nga të paktët që thehu kodin e heshtjes së bashkëjetesës me të keqen. Kjo është arsyeja se pse breshëritë mbi të janë edhe më të mëdha.

Pasi ato nuk vijnë vetëm nga politikanët e prekur drejëtpërdrejt. Ato shpërhapen edhe nga ajo pjesë e shoqërisë, që është mësuar me turpërimin, që ka humbur fibrën e rezistencës, që i është nënshtruar këtij përdhunimi në grup, ku askush nuk ka të drejtën të flasë dhe të reagojë për krimet e “të paprekëshmve”.

Xhisielda është pasqyra ku një pjesë e madhe e kësaj shoqërie e sheh veten të njollosur.

Prandaj nuk është çudi që ajo të urrehet në heshtje, njësoj si denoncuesi i rastit të saj po linçohet publikisht.


Facebook Comments