David Phillips, ish-këshilltar i lartë pranë Departamentin e Shtetit, flet për gazetën “Shekulli”: “Ndërtimi i një mega-xhamie në Tiranë, manifestim i neo-otomanizmit në Ballkan. Imperializmi ekonomik i Turqisë nuk ka të bëjë me ngritjen e ekonomisë, por duke nënshtruar Shqipërinë. Shembujt janë aeroporti i Vlorës dhe kontrolli turk mbi “Air Albania”.

Intervistoi Erjon DERVISHI

Pozicionimi i Shqipërisë në Marrëdhëniet Ndërkombëtare gjatë këtyre viteve të fundit, ka sjellë reagimin e shumë zyrtarëve dhe ekspertëve të lartë perëndimorë. Lidhja e drejtpërdrejtë me një partneritet strategjik me Turqinë, po tregon një formë varësie moderne të ekonomisë shqiptare ndaj asaj turke. Në kohën kur elita intelektuale shqiptare, e mbështeti njëzëri këtë pozicion të ri të Shqipërisë në Marrëdhëniet Ndërkombëtare, janë institucionet e Bashkimit Evropian dhe ekspertët e rajonit të Ballkanit, të cilët shqetësohen nga ky afrim i frikshëm, midis Shqipërisë dhe Turqisë. Këtë problem e thekson edhe ish-këshilltari i lartë për çështjet e jashtme në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Phillips, i cili pati mundësinë të shërbente në tre administrata, gjatë administratës së Bill Clinton, George W. Bush dhe Barack Obama. David Phillips, aktualisht është drejtor pranë Universitetit Columbia, në Shtetet e Bashkuara, për Institutin e Studimeve për të Drejtat e Njeriut.

Mr.Phillips, si e shikoni situatën në Shqipëri?

Shqipëria duhet të vazhdojë të konsolidojë demokracinë e saj, duke rritur rolin e saj si anëtar i NATO-s dhe duke ndërmarrë hapa drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Për të përmbushur kërkesat e BE-së, Shqipëria duhet të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, i cili përpiqet të infiltrojë brenda qeverisë. Shqipëria duhet të zbatojë reformën e drejtësisë, të forcojë pluralizmin politik, si dhe dialogun politik. Ndalimi i kultivimit të kanabisit dhe trafikimit të paligjshëm, janë prioritete kryesore.

A ka bërë Shqipëria ndonjë përparim drejt Bashkimit Evropian dhe cili është roli i Shteteve të Bashkuara?

Bashkimi Evropian ka deklaruar se do të hapë bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë, deri në fund të vitit 2019, nëse ajo tregon përparim me reformat gjyqësore, në reformën anti-korrupsion dhe në përpilimin e reformës zgjedhore. Shtetet e Bashkuara nuk janë anëtare e BE-së, prandaj ndikimi i saj është i kufizuar. Megjithatë, Washingtoni mund të inkurajojë reformat e nevojshme politike dhe ekonomike në Shqipëri, në mënyrë që Shqipëria të mund të ndërmarrë hapa të mëdhenj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kur bisedimet të mund të fillojnë vitin e ardhshëm.

Që nga viti 2015, partneri strategjik i Shqipërisë është Turqia. Por shumë parti të vogla nuk janë dakord me këtë politikë. Ata argumentojnë se Turqia nuk është një vend demokratik, se ata po ndihmojnë regjimin iranian dhe çështje të tjera? A mendoni se Shqipëria duhet të ndryshojë rrjedhën e drejtimeve politike drejt Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhe jo Turqisë?

Turqia është e rëndësishme për Shqipërinë. Megjithatë, Qeveria e Shqipërisë duhet të jetë realiste për Turqinë, e cila po ndjek interesat e veta kombëtare në Shqipëri dhe vende të tjera në Ballkanin Perëndimor. Turqia është antiamerikane dhe armiqësore ndaj Bashkimit Evropian. Qëllimet e saj nuk janë në përputhje me politikat e deklaruara të Shqipërisë, për një integrim më të thellë në institucionet euroatlantike. Turqia po eksporton agjendën e saj islamike, duke përdorur Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim (TIKA). Si një instrument të politikës së jashtme turke, “TIKA” propagandon islamizmin nën maskën e rivendosjes së monumenteve otomane dhe bashkëpunimit kulturor. Ndërtimi i një mega-xhamie në Tiranë, e financuar nga turqit, është një simbol i imperializmit kulturor të Turqisë dhe një manifestim i neo-otomanizmit në Ballkan. Interesat turke gjithashtu po blejnë asete, në një pjesë të vlerës reale të tyre. Imperializmi ekonomik i Turqisë nuk ka të bëjë me ngritjen e ekonomisë së Shqipërisë, por duke nënshtruar Shqipërinë ndaj Turqisë. Shembujt janë aeroporti i Vlorës dhe kontrolli turk mbi “Air Albania”. Presidenti i Turqisë, Tayyip Erdogan, është një mik i rremë i Shqipërisë. Ai nuk mund të besohet.

Facebook Comments