Nga Red VARAKU

Psikologu dhe sociologu gjerman Erich Fromm, në librin e tij “Arratisje nga Liria”, shpjegon që njerëzit janë gati për të hequr dorë vullnetarisht nga liria e tyre dhe për “t’ia dorëzuar atë” një autoriteti, i cili i jep kuptim dhe garanci jetës së tyre.

Një regjim totalitar qëllimisht i bën të ndjehen të pavlerë dhe të parëndësishëm ndaj si pasojë, “individi i frikësuar”, shton Fromm “kërkon dikë ose diçka nëpërmjet të cilës t’i japë kuptim dhe siguri ekzistencës. Për të arritur qëllimin e tij, ai është i detyruar të heqë dorë nga liria e tij, vetja e tij.” Kjo është strategjia që përdor çdo regjim me prirje totalitare dhe kjo është ajo që po ndodh aktualisht në Shqipëri.

Pra, dëshpërimi, pafuqia dhe humbja e shpresës shkaktojnë tek individi mungesën e rezistencës dhe fuqisë për të përballur realitetin e shëmtuar. Sa më shumë përhapet varfëria, aq më të frikësuar dhe të shqetësuar janë njerëzit, aq më nevojë kanë për afërsinë me pushtetin. Ndaj janë gati të heqin dorë vullnetarisht dhe me dëshirë nga liria e tyre. Vetëm i zvetënuar ai mund të arrijë objektivin e tij në një regjim totalitar. Ata ndjehen të lirë për sa kohë i shërbejnë sistemit, në të kundërt armata e pasofistikuar e zagarëve të pushtetit turret drejt cilitdo që guxon të sfidojë atë duke eliminuar kështu çdo mendim ndryshe.

Diferenca e madhe e krijuar nga iluzioni dhe propaganda, që ofron narrativa zyrtare e pushtetit dhe vetë realitetit, ka prodhuar një qytetar të çorientuar, që më shumë i ngjan Lizës në botën e çudirave, i paaftë për të dekonstrukruar realitetin. Propaganda është masivisht e përhapur, ndërsa e vërteta haset aq e rrallë, saqë njerëzit vënë dyshim edhe vetë eksperiencën e tyre, sytë e tyre, veten e tyre. Bombardimi me informacion e ka kaluar qytetarin e thjeshtë në overdozë, në një gjendje hipnoze dhe pavetëdije, jo krejt të panjohur për të.

Situata e krijuar nuk është e re për shqiptarët. Situata është krejt e ngjashme me propagandën e regjimit, i cili ishte vazhdimisht në fushatë me kamzhik në dorë dhe me ekranet mbushur me suksese imagjinare në çdo front. Fushata të tilla janë shkatërruese, antipolitike. Ato janë të zbrazura nga kuptimi dhe injektojnë thjesht mirazhe dhe iluzione demokratike duke paralizuar kështu çdo reagim dhe revoltë.

Ndërkohë, komponenti më tipik i propagandës së qeverisë është artificialja. Pushteti përdor propagandën për të krijuar një ndjesi artificiale intimiteti dhe afërsie me popullin ashtu si atëherë. I Madhi shfaqet pranë hallexhinjve si një bamirës me pamjen e një ylli hollivudian pranë njerëzve të dorëzuar, me qëllim krijimin e një emocioni të fortë, gati të barabartë me fuqinë e një filmi. Përballë skenave të tilla, rrëzohen të gjitha çështjet. Bien të gjitha përgjegjësitë. Triumfon irracionalja. Triumfon udhëheqësi.

Sepse e rëndësishme për pushtetin është mënyra si ndjejmë, por jo mënyra se si mendojmë. Politika është kthyer në argëtim për popullin. Diskursi politik pothuajse është asgjësuar. Mesazhet sensacionale dhe spektaklet e mirëmenduara janë edhe medikamenti perfekt për dhimbjet e kokës që sjell realiteti, përditshmëria. Argëtimi është kthyer në qëllimin kryesor të politikës, e cila jep shfaqjen e rradhës sipas programit në të gjithë Shqipërinë. Ky lloj argëtimi që pushteti ofronte për masat, ishte edhe makthi më i madh i Platonit, pikërisht sepse rrëzonte nga froni i pushtetit pakicën që arsyetonte, dhe vendoste aty shumicën e paarsyeshme, harbute.

Gjërat sa vijnë dhe përkeqësohen. Të varfërit dhe të dobëtit janë më të ekspozuarit. Njerëzit që e duan lirinë do të vazhdojnë të braktisin Shqipërinë, varfëria do të rritet, burimet natyrore shqiptare do të shkatërrohen barbarisht. Jemi turravrap drejt një kolapsi ekologjik.

Kur një shoqëri shkon drejt kolapsit moral, ekonomik, ekologjik dhe politik, ajo ndërton distopi represive të përmasave të paimagjinueshme, duke imponuar kështu censurën e saj si dhe vetëm realitetin e saj. Si pasojë, shumica e kundërshtarëve të saj detyrohen të heshtin ose të largohen ose kthehen në objekt talljeje dhe përbuzjeje.

Ndërkohë politikisht jemi rikthyer në feudalizëm. Shqipëria është ndarë në feude të mbushura me bujkrobër pa asnjë të drejtë. Në krye të këtyre feudeve janë vendosur kriminelë që na e kanë zhvatur pushtetin politik. Vota nuk ka më asnjë vlerë, sepse sido që të votojmë, do të përzgjidhen po ata që janë përcaktuar më parë nga një elitë tërësisht e kriminalizuar.

Kapja e plotë e institucioneve qeverisëse nga elita e kriminalizuar, përfshi sistemin politik, gjykatat dhe shtypin, do të thotë që mekanizmat për të dalë nga kjo situatë pothuajse nuk egzistojnë. Kjo e vërtetë e bën krizën që ka kapur jo vetëm politike, por edhe ekzistenciale. Ajo kërkon domosdoshmërisht një zgjidhje radikale.

Kjo është Shqipëria sot. Sistemi komunist përdorte simbole të tjera, koreografi tjetër, frikëra të tjera. Por e përbashkëta e tij me rilindjen që po instalohet me dinakëri, është pikërisht demonizimi i të varfërve dhe të dobtëve si dhe persekutimi i të fortëve.

Historia po përsëritet, sepse me sa duket na mungojnë politikanët me sens krijues. Çuditërisht regjimet totalitare në Shqipëri funksionojnë si kulte mesianike. Reagimi i popullit tonë, ashtu sikurse me komunizmin, pritet të jetë i ngadaltë. Shumë njerëz nuk do të arrijnë të zgjohen. Ata “rebelët” që do të ngrihen kundër regjimit do të përballen jo vetëm me urrejtjen e regjimit, por edhe me përbuzjen e injorantëve që përkrahin sistemin. Ata që do të arrijnë të rezistojnë për një kohë të gjatë do të jenë të pak. Deri atëherë rrënimi duket i pashmangshëm dhe arratisja* mbetet i vetmi shpëtim.

Term i huazuar nga titulli i librit të psikologut dhe sociologut gjerman Erich Fromm

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here