Nga Erl KODRA

Unë nuk besoj se Lulzim Basha u shit, ose se “ai kishte këshilltar mizerabël”. Ndryshimet e befta në sjelljet njerëzore, për më tepër në sjelljet publike të liderve politik nuk janë të zakonshme. Ato mbartin në vetvete lojën e egër për pushtet që shoqëria nuk e sheh. Bota e nëndheshme e politikës së pisët ka mundur të marrë peng edhe personalitete të rëndësishme në politikën botërore. Fundja shqiptari Lulzim Basha është tepër njerëzor për të qenë i pacënueshëm dhe i pashantazhueshëm.

Për të shkruar këtë tekst jam menduar me dhjetra herë, por gjithmonë jam tërhequr në momentin e fundit; sepse kur ngjarjet janë në zhvillim e sipër, me shumë mundësi ndodhë të përfshihesh emocionalisht, duke gabuar në thelbin e vlerësimit. Për më tepër kur vet protoganistët e zhvillimeve politike i ka përfshirë kaosi dhe nuk janë në gjendje të orientohen në mjegullën që është shpërndarë në krejt hapësirën opozitare. Këtu duhet nënvizuar se kombinimi i pazakontë i shumë rrethanave specifike të faktorve të brendshëm dhe të jashtëm ka deformuar realitetin politik, që në pamje të parë ngjanë se siguron stabilitet social. Në të vërtetë, gjendja “stabile politike” është e gënjeshtërt, dhe rrezikon në rastin më të parë të shpërthej në kaos dhe përplasje të forta sociale.

1▪Shqipëria është larg një demokracie funksionale, sipas përkufizimit që egziston në demokracitë perëndimore, madje mund të thuhet me siguri se krejt shoqëria jonë, në të gjitha aspektet është kthyer në një organizëm të sëmurë që nuk funksionon. Shteti ka pësuar një metamorfozë komplekse, ai tashmë është bërë një përzierje e shëmtuar interesash të një grushti individësh, të cilët nuk kanë interesa të njëjta me shqiptarët. “Shteti” ynë nuk është më Pallati i Republikës prej nga burojnë ligjet dhe rregullat që garantojnë jetën tonë, por është transformuar plotësisht në diçka të çuditshme të papërcaktuar mirë. Biznesi, Mafia, Krimi i Organizuar, Drejtësia, Media, Qeveria dhe Parlamenti përbëjnë Trupën Shtetërore. Ata vendosin për gjithçka që gjallon dhe lëvizë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Natyrisht, si çdo përzierje e çuditshme, edhe kjo çorbë nuk mund të jetë tjetër veçse një Alkimi e Errët, që shpesh herë është shfaqur në kohë dhe vende të ndryshme gjatë historisë njerëzore. Për pasojë, veset, shthurja morale, vjedhjet, bixhozi, droga dhe trafiqet, krimet dhe korrupsioni, vrasjet dhe mohimi janë bërë përditshmëria jonë. Tashmë është zhbërë kufiri mes të mirës dhe të keqes, mes të vërtetës dhe gënjeshtrës, mes mëshirës dhe brutalitetit, mes ndershmërisë dhe imoralitetit. Gjithçka është kthyer në një Rrafshnaltë Llumi, ku dominojnë peisazhin tre figurat kryesore të Ngrehinës së Shtetit; Gramoz Ruçi si Kryetar Parlamenti, Ilir Meta si President i Republikës dhe Edi Rama si Kryeministër.

2▪Në përpjekje për të kuptuar të vërtetën e gjamës tonë, deomos duhet shkruar edhe për Partinë Demokratike, sepse, në rrethanat politike të Shqipërisë reale të pas nëntëdhjetës, ajo ishte e vetmja forcë shprese dhe morali për shqiptarët. Politika para se të jetë një lojë e ftohtë interesash, është moral, ose më mirë duhet thënë se morali në politikë përkthehet më shumë se gjithçka tjetër në legjitimitet. Në këtë kuptim, Partia Demokratike lindi si shpresa morale në një shoqëri të dërrmuar nga skamja, mjerimi dhe diktatura e gjatë komuniste. Partia Demokratike tentoi të përfaqësonte të gjithë shoqërinë shqiptare, e mbështetur mirëfilli mbi vlerat më të larta të demokracive përëndimore, siç është Deklerata Universale e të Drejtave të Njeriut si themeli mbi të cilin mund dhe duhet të funksionojë shoqëria njerëzore.

3▪Historia politike e pluralizmit shqiptarë është krejt e re, dhe si të tillë të gjithë e njohim. Pesëmbëdhjet vjeçarët e vitit 1990 e kujtojnë fare mirë shpresën e madhe që vlonte pothuaj në çdo shtëpi shqiptari. Me siguri atyre u kujtohet edhe diktatura që po shembej nën peshën e krimeve të llahtarshme kundër popullit të saj. Shpresa e natyrshme që lind bashkë me përmbysje të tilla është gjithmonë e madhe, aq e madhe sa nuk të lejon të shohësh detaje “të parëndesishme”. Shqiptarët ishin të dehur nga liria që fituan; ata i gëzoheshin lirisë trallisëse kur flisnin me njëri tjetrin, kur qeshnin, qanin dhe thërrisnin me zë të lartë “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Kaq mjaftonte për shqiptarin naiv të atyre viteve që kishte lindur dhe rritur në një labarator gjigand të rrethuar me tela me gjemba, me makthin e tmerrshëm se mos “gabonte” dhe përbindëshi komunist do të ushqehej me trupin dhe shpirtin e tij.

4▪Zhvillimet e mëvonshme janë të njohura për të gjithë; Organizata Terroriste e Partisë së Punës bën metamorfozën e saj, lanë duart nga gjaku i viktimave, ndërron emrin, bën pak grim dhe parfumoset, ulë nivelin e protoganizmit politik por ruan strukturat e saj, duke iu kthyer plaçkitjes ekonomike dhe konspiracionit real. Krimet e komunizmit harrohen, ndërsa e gjithë Armata e Famëkeqe e Sigurimit të Shtetit bëhet e padukshme, duke punuar fort që të infiltrohet në të gjithë strukturat e jetës politike, ekonomike dhe shoqërore të vendit. Rezultatet janë mbresëlënëse; Piramidat Financiare e sollën Shqipërinë në prag të Luftës Civile, ndërsa varrosën ëndrrën e një antarësimi të shpejtë të vendit në Bashkimin Europian.

5▪Partia Demokratike, megjithatë ia ka dalë të ruaj frymën e saj të themelimit si një parti e mbështetur tek vlerat europiane dhe të Drejtat Universale të Njeriut. Morali është tharmi i egzistenës, ndërsa votuesit e përhershëm të Partisë Demokratike janë padyshim pjesa më më shumë vlera morale e popullit shqiptar. Një vlerësim i tillë mund të ngjaj një pohim i guximshëm, por unë jam i bindur se vetëm shpirti fisnik i demokratëve “harroi” krimet e komunizmit, i fali ata, e pranoi transformimin e tyre, viktimat falën xhelatët, gratë falën përdhunuesit, bijtë e të vrarëve dhe të pushkatuarve pa gjyq nuk kërkuan hakmarrje, ndërsa shumica e popullit demokrat thjeshtë u përpoq të mbledh jetët e copëtura dhe të ndërtojë të ardhmen.

6▪Viti 2017 me siguri që do të shënohet fort në historinë e re politike të Shqipërisë. Eshtë gati e pabesueshme se si mashtrimi dhe demagogjia është kthyer në një sistem të sofistikuar që funksionon. Duket sikur një fuqi e errët dhe e mistershme ka pushtuar vendin, ndërsa shpresa se shoqëria mund të reagojë pothuaj nuk ka. Ngjarje dhe rrethana të mistershme kulmuan këtë vit elektoral në vendin tonë. Shumica jonë zemërthyer dhe shpresëhumbur heshti, ndërsa me qindra mijëra qytetarë zgjodhën largimin nga Atdheu. “Shqipëria nuk bëhet, Shqipëria ka marrë fund”- është refreni i zakonshëm që dëgjohet rëndomë aty ku ka shqiptarë. Njerëzit nuk kanë faj, fundja a nuk e shikoni peisazhin e Rrafshnaltës së Llumit ku dominojnë portretet e tre mashtruesve par excellence; Gramoz Ruçi- Kryetar Parlamenti, Ilir Meta- President i Republikës dhe Edi Rama- Kryeministër?

7▪Diçka e rëndë ka ndodhur ndërkohë, përtej çdo imagjinate. Në të vërtetë, po ta shikosh me vëmendje, kjo ngjanë më shumë si finalizim i Luftës së Pisët që është zhvilluar gjithmonë në Shqipëri. Kjo nuk ka lidhje me ideologji të majta ose të djathta, kjo nuk ka lidhje me programe ekonomike, kjo nuk ka lidhje me konkurencën politike; kjo ka lidhje me diçka përtej rregullave normale të funksionimit të një shoqërie demokratike. Do të ishte naive të pretendosh se Partia e Punës dhe Sigurimi i Shtetit, pas maleve me krime horror që kishin kryer mbi popullin shqiptar, një ditë të bukur do të pushonin së egzistuari. Dhe qeniet njerëzore prandaj janë të tilla, gjithmonë priren të harrojnë të keqen, ta varrosin atë përgjithmonë, duke shpresuar perherë se e nesermja do të jetë më e mirë, më ndryshe, më humane.

8▪Njëlloj si Dreqi që shfrytëzon përherë dobësitë njerëzore të harresës, Partia e Punës dhe Sigurimi i Shtetit përzgjodhi me kujdes përfaqësuesin më tipik të saj, e fuqizoi atë, i dha forcë, burime financiare, burime njerëzore dhe lidhje ndërkombëtare. Plani i Madh i Rilindjes (Komuniste) tashmë ka hyrë në fazën përfundimtare; janë pushtuar institucionet kryesore të Shtetit, Presidenca, Parlamenti dhe Qeveria; ka përfunduar blerja dhe kontrolli i plotë i Medias dhe Shoqërisë Civile, institucionet e zbatimit të ligjit pothuaj janë pushtuar nga eksponentët e Sigurimit të Shtetit, Drejtësia e blerë dhe e degraduar është në fazën finale të pushtimit, Bashkia e Tiranës si qendra e gravitetit ekonomik dhe politik është në duart e një makialevisti të pashoq, ndërsa Partia Demokratike është në ditët më të zeza që nga krijimi i saj.

9▪Partia Demokratike është fryma dhe shpresa e vetme e shpëtimit të Shqipërisë. Në rrethanat aktuale ky pohim mund të tingëlloj shumë romantik, por e verteta është se ajo mbetet e vetmja shpresë për shqiptarët. Madje nëse e shikojmë hollë hollë, për fat të keq, shpresat e tjera kanë vdekur. Partia Socialiste, ashtu siç kemi patur iluzionin, nuk egziston më; ajo është zëvëndësuar nga Rilindja (Komuniste) e Edi Ramës dhe bijëve të etërve komunist. Po ashtu, Lëvizja Socialiste për Integrim nuk është ngritur ndonjëherë në nivelin e një partie politike; por që në krye të herës është themeluar, rritur dhe ka funksionuar si një Sipërmarrje Private e familjes Meta.

10▪Duket se Partia Demokratike është thyer, e bashkë me të janë shuar përfundimisht shpresat e shumicës së shqiptarëve që nuk e kanë votuar Edi Ramën. Beteja politike e filluar me 18 Shkurt 2017 nga Partia Demokratike, megjithëse zgjoi shpresa të mëdha, dështoi me sukses. Një dorë djallëzore dhe mjeshtrore luajti fijet dhe përcaktoi fatin e lëvizjes më emancipuese politike që ka njohur ndonjëherë shoqëria shqiptare. Media që deformojnë realitetin dhe dezinformojnë rregullisht, gazetarë dhe “personalitete” publike e politike, madje edhe ish funksionarë të Partisë Demokratike që sulmojnë opozitën, përqeshin aksionin e saj politik, grupe kriminale dhe mafioze që bashkëpunojnë dhe shkëmbejnë financat e përbashkëta me Qeverinë e Edi Ramës, ambasadorë të huaj që mbyllin të dy sytë përballë një Shqipërie të mbjellur me drogë dhe skandaleve lemëritëse të shtetit të Edi Ramës, emisarë politik ndërkombëtar që vijnë dhe shantazhojnë hapur opozitën shqiptare, ndërsa vet Edi Rama mbante fjalimin para Funeralit të Demokracisë Shqiptare. Në këto kushte vjen nata dhe dita e 17-18 Majit 2017.

11▪Lulzim Basha i ka një borxh të madh të gjithë atyre që nuk e kanë votuar Edi Ramën, jo vetëm votuesve të Partisë Demokratike. Sepse kjo parti nuk është PS e Edi Ramës, as LSI e Ilir Metës, por është Partia Demokratike e të gjithë shqiptarve. Ajo është shpresa e fshehur e dhjetra mijra shpirtrave të vrarë dhe të masakruar nën terrorin komunist, nga jugu në veri, nga lindja në perëndim; Partia Demokratike është ideali i atdhetarve, është partia e Ndre Mjedës, Gjergj Fishtës, Lasgush Poradecit, Mitrush Kutelit, ajo është edhe partia e Prekë Calit me shokë. Partia Demokratike është edhe fryma e klerikëve katolik dhe musliman, e shqiptarve që festonin fshehurazi Bajram dhe Pashkë. Ajo është shpresa e vetme e të gjithë brezave që lindën dhe u rritën nën diktaturën më të çmendur që ka njohur Europa që nga prehistoria.

12▪Në këtë kuptim dhe për këto arsye, Lulzim Basha duhet të tregojë hapur se çfarë ndodhi natën e 17 Majit 2017. Çfarë ishte ajo “forcë madhore dhe djallëzore” që e detyroi atë të dorëzohej para Edi Ramës? Nëse është shantazhuar, sepse shantazhi është arma më e vjetër që përdoret rëndom nga politika, me cilat mjete u realizua ky shantazh? Çfarë e detyroi atë që të bënte një fushatë të çuditshme elektorale? Pse nuk e denoncoi gjuhën me shumë kuptime të Edi Ramës kur përhapte lajme se “Luli është djalë i mirë, ne do të qeverisim së bashku”? Po lista e kandidatëve për deputet a ishte ajo që duhej? Të gjithëve ju kujtohet Lulzim Basha i Çadrës së Lirisë, kur në një debat televiziv me Henri Çilin, do t’i drejtonte atij gishtin duke i thënë “Ti po flet si një shërbëtor i Qeverisë, nuk po flet si njeri i lirë”. Me siguri, këto fjalë ngritën shpresa të mëdha dhe kredencialet e Lulzim Bashës kulmuan. Por, pas 18 Majit 2017 ky Lulzim Basha nuk u pa më ndër ne. Diçka e tronditëse ka ndodhur, me siguri.

13▪Unë nuk besoj se Lulzim Basha u shit, ose se “ai kishte këshilltar mizerabël”. Ndryshimet e befta në sjelljet njerëzore, për më tepër në sjelljet publike të liderve politik nuk janë të zakonshme. Ato mbartin në vetvete lojën e egër për pushtet që shoqëria nuk e sheh. Bota e nëndheshme e politikës së pisët ka mundur të marrë peng edhe personalitete të rëndësishme në politikën botërore. Fundja shqiptari Lulzim Basha është tepër njerëzor për të qenë i pacënueshëm dhe i pashantazhueshëm. Ndoshta asgjë e tillë nuk është e vertetë, ama gjithësesi diçka e paimagjinueshme është luajtur nga një dorë mjeshtrore. Këtë enigmë mund ta deshifrojë vetëm Lulzim Basha, nëse është i lirë, sigurisht. Ky është borxhi i Lulzim Bashës.

Planeti Tokë 21 Shtator 2017

Facebook Comments