Nga Erl KODRA

Alexander Litvinenko, (4 December 1962 – 23 November 2006) ish oficer i shërbimit sekret rus FSB, gazetar, shkrimtar dhe konsulent për shërbimet inteligjente britanike ishte njeriu që shpiku frazën “shteti i mafias”. Ku term është një definicion politik për të përshkruar një sistem shtetëror ku qeveria është e lidhur me krimin e organizuar, duke përfshirë zyrtarët e qeverisë, policisë dhe / ose institucionet ligjzbatuese të shtetit, që bashkpunojnë dhe marrin pjesë në ndërmarrjet e paligjshme. Termi mafia është një referencë për çdo grup të krimit të organizuar të lidhur fort me autoritetet.

Nisur nga faktet, domethënë nga gjithçka ka ndodhur përgjatë qeverisjes së Kryeministrit Edi Rama, shteti shqiptar lirisht mund të përkufizohet si “shteti i mafias”. Ngjarjet si “akte qeverisëse” janë të mbushura fund e krye me mashtrime të pastra publike, me shkelje të rënda të ligjit, me përfshirjen direkte të kriminelëve në politikën aktive, me favorizimin e drejtpërdrejtë të eksponentëve mafioz përgjatë ushtrimit të aktivitetin e tyre pa u ndëshkuar, si dhe, kthimin e institucioneve ligjzbatuese në shtojca dhe ndihmëse e mafias shqiptare dhe ndërkombëtare. Si rezultat, shteti i mafias shqiptare nuk është më një nocion që mund të përdoret si një metaforë nga autor ose gazetar të ndryshëm, por për fat të keq është një realitet i rëndomtë dhe brutal në të cilin janë të detyruar të jetojnë qytetarët shqiptar.

Plaçkitja është puna e parë e mafias, në shkëmbim të “mbrojtjes” që ofron me dhunë të pastër. Metodat janë të zakonshme; kërcënime, dhunë, blerje, joshje, vrasje, prap dhunë; dhe në fund nënshtrim i plotë. Por kur kjo organizohet nga vet shteti, nga institucionet ligjzbatuese, nga qeveritarët, ministrat, deputetët, policia, prokuroria, nga vet Kryeministri, në mënyrë sistemike, termi “shteti i mafias” merr një kuptim të plotë.

“Kur plaçkitja bëhet një mënyrë jetese për një grup njerëzish në një shoqëri, përgjatë kohës ata krijojnë vetë një sistem ligjor që i autorizon, dhe një kod moral që i madhëron atë (plaçkitjen) “ – thotë Frédéric Bastiat (29 qershor 1801 – 24 dhjetor 1850), ekonomist dhe shkrimtar francez.

Institucionet e një shteti edhe mund të ndikohen nga politika e qeverisë në pushtet. Kjo ndodh edhe në vende me demokraci të zhvilluar, sa kohë që bëhet fjalë për administratë të emëruar nga qeveria. Por kapja e institucioneve ligjzbatuese nga politika e qeverisë është më e rënda, sepse kjo ka të bëjë direkt me sigurinë e barazisë së qytetarve para ligjit.

Një operacion i mirëmenduar deri në detaje, ndërkohë është në finalen e tij. Vendi ndodhet pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, dhe me një Prokurore të Përgjithshme të Përkohshme ushtare të Kryeministrit Edi Rama.

Në këto kushte “Mafia e Shtetit” po plaçkitë e qetë dhe hapur gjithçka ka vlerë materiale. Ligjet dhe Kushtetuta e Republikës shkelet me të dyja këmbët për interesat direkte të Kryemafiozit Kryeministër, Edi Rama. Të emëruarit prej tij në Parlamentin Shqiptar vetëm ngrejnë kartonin jeshil sa herë ai ka nevojë, pa pyetur jo vetëm për ligj dhe moral, por pa përfillur gjithë shqiptarët, të gjallë dhe të vdekur.

Rrethanat janë të atilla, sa lirisht mund të përkufizohen si një emergjencë kombëtare për të shpëtuar qytetarët nga shteti i mafias. Përtej çdo lloj dyshimi, tashmë nuk kemi arsye që të presim reagimin e komunitetit ndërkombëtar, përkatësisht të Bashkimit Europian dhe SHBA-të. Në të vertetë, këtë situatë të jashtëzakonshme e kemi edhe si dhuratë e dyshes simpatike të BE-së dhe SHBA-së Romana Vlahutin dhe Donald Lu për Kryeministrin Edi Rama. Arsyet pse kjo dyshe ambasadorësh e mbështeti pa kushte “shtetin e mafias” të Kryeministrit shqiptar mund të hetohen në të ardhmen.

Ne shqiptarët duhet t’ia thyejm hundët shtetit të mafias. Shpresoj se Partia Demokratike do të mund të organizoj rezistencën dhe reagimin kundër shtetit të mafias, me forcë dhe me dinjitet. Ky është shansi i fundit për të gjithë ne, që të shpëtojmë Shqipërinë. Nesër do të jetë vonë, sepse vendi ynë po shuhet, në kuptimin e parë të kësaj fjale. Do mbetemi përjetë shërbëtor të Olsi dhe Edi Ramës.

PS.Reagimi është borxhi që i kemi vendit tonë. Por e rëndësishme është edhe koha se kur duhet të reagosh. Në fakt koha është tani. Fillo duke e shpërndarë këtë tekst!

Facebook Comments