Nga Alfred LELA

Të premten në mbrëmje, në Elbasan Arena, kombëtaret e futbollit të Shqipërisë dhe Izraelit përballen për Ligën e Kombeve, një paradhomë e eliminatorëve të Europianit. Në dy ndeshje të luajtura vjet, për eliminatoret e Botërorit të Rusisë, secila skuadër ka fituar në shtëpinë e tjetrës. Ndeshja e pare, e planfikuar për t’u zhvilluar në Shkodër, u zhvendos në Elbasan për shkak të sinjalizimeve për një akt terrorist të përgatitur kundër ekipit izraelit.

Janë dy kombe paradoksale, shqiptarët dhe hebrejtë. Të dy janë europianë në mënyrë të çuditshme, dy raca ‘të përjashtuara’, herë me diskriminim e herë me shfarosje programatike. Gjenocidet masive ndoshta kanë marrë fund njëherë e mirë, por acidi i paragjykimeve, diskriminimeve, përjashtimeve i bën gërryerjet e veta spontane ndaj të dy kombeve. Antisemitizmi kundër njërit dhe albanofobia kundër tjetrit. Padurimi anti-hebre shfaqet shpesh në Europë, në formën e një kompleksi faji për arabët. I njëjti kompleks nuk është i huaj për elitat europiane, as në rastin e Serbisë. Duket sikur ndihma dhënë Kosovës nën shtysat amerikane, iu duket e tepërt, dhe cinike ndonjëherë, europianëve. Të paktën ata nuk e teprojnë me animet fetare: njëherë ndihen fajtorë për muslimanët e tjetrën për përndjekësit e tyre.

Albanofobia, me një fjalë frika apo përbuzja për shqiptarët, shfaqet edhe ndër vende, popuj dhe institucione, europiane apo botërore, që janë ose mundohen të shfaqen si politikisht korrektë, deri në sterilitet. Një rast i paprecedent, që e shfaq hapur padurimin antishqiptar u dha në ndeshjet e Botërorit të Rusisë, pas ‘shqiponjës me duar’ bërë nga lojtarët shqiptarë të përfaqësueses zvicerane, Xhaka e Shaqiri. Mjediset që qeverisin futbollin zviceran dhe organizata që drejton futbollin botëror, FIFA, u kapluan nga parehati të pavend. Helvetët diskutonin a duhej të ishin pjesë e Kombëtares së tyre të rinj që bëjnë simbole kombesh të tjerë, ndërsa FIFA i gjobiti futbollistët për ‘gjestin provokues’.

Frika nga shqiponja u përsërit sërish, pak ditë para fillimit të Ligës së Kombeve, shtyrë ndoshta edhe nga ‘goli me shqiponjë’ i një tjetër shqiptari që luan me klubin e Arsenalit, krah ‘shqipes tjetër’, Xhakës, Shkodran Mustafi. Ditët e fundit, media zvicerane i është kthyer ‘pasigurisë’ së të paturit në Kombëtare lojtarë ‘të dyfishtë’. Duke harruar ndoshta se, zviceranët me origjinë shqiptare, ishin siguria më e madhe e ekipit të tyre në Rusi. Duke harruar gjithashtu se, edhe nëse nuk bëhet me duar, shqiponja mund të ‘bëjë fole’ diku tjetër te ata djem.

Nuk është ky argument, megjithatë. Qendrorja në gjithë panairin e kotë të zhurmës për shqiponjën, është te moskuptimi i simbolit. Në rast se kuptohet dhe qëndrimi është i njëjti, atëherë bëhet fjalë për Albanofobi. Emblema e shqiponjës është e pranishme në shumë flamuj europianë, e ardhur nga ‘Roma e dytë’ (Bizanti) dhe e shpërndarë në stemat, sa të Lindjes dhe të Perëndimit. Kjo zanafillë dhe përhapje nuk ndryshon asgjë kur shkaba e ‘pax romana’, megjithë modifikimet, bëhet shqiponjë shqiptare. E cila nuk është e njohur si simbol i agresionit, por vetëm i qëndresës. Se si, totemi i një kombi të vogël si shqiptarët, autoktonë, indo-europianë, pa histori pushtimesh e programesh kundër kombeve të tjerë, kthehet papritur në simbol të papranueshmërisë, politikisht jo korrekt, provokues, ky është një rast që duhet trajtuar seriozisht dhe ndoshta klinikisht.

Aq joprovokuese është shkaba dykrenëshe, sa stema e saj u shpëtoi jetën dhjetra e qindra hebrejve në pasaportat shqiptare të lëshuara nga monarkia e Zogut në fund të viteve ’30; mbrojtje e vazhduar edhe gjatë Luftës së dytë Botërore nga qeveria ‘reaksionare’, që edhe pse bashkëpunoi me gjermanët, nuk i dorëzoi hebrejtë.

E njëjta gjë nuk mund të thuhet për paraardhëset e qeverive ‘politikisht të tredhura’ (më falni, korrekte) europiane.

Është skizofrenisht e padenjë dhe e padrejtë që, bashkimi i duarve që valëzojnë si zog malesh i duket, dikujt, kujtdo, si provokues dhe i dënueshëm. Është sikur të zhveshësh futbollistët e krishterë nga e drejta për të bërë kryqin kur futen në fushë, apo ata myslimanë kur bëjnë ‘duart lugë’ në lutje për Zotin e tyre. Ndër shqiponjat që fillojnë nga Roma e lashtë dhe shkojnë deri në Amerikë, shqiptarja është më pak agresivja, edhe pse pamjen e ka të mnershme (tmerrshme).

Bashkë me Yllin e Davidit, ajo është ndoshta ndër simbolet më përfaqësuese të persekucionit të pësuar, jo atij të shkaktuar.
Ajo është pjesë e diversitetit beninj europian dhe nuk mund të bëhet stigmata në shpinën e djemve të rinj, me origjinë shqiptare, si Xhaka, Shaqiri e të tjerë.

Të asnjë shqiptari. Nuk ka pse.

Facebook Comments