Nga Erl KODRA

Dje Kryeministri publikoi një video turpi në faqen e tij në facebook; diçka që nuk ka ndodh kurrë më parë, përçudnuese, fyese dhe poshtëruese edhe për dinjitetin e derrit, jo të njeriut.

Edi Rama, veshur ngjashëm me Brad Pitt ose George Clooney, zbarkon në shtëpinë e një familje që jetonte në një shpellë prej balte, ku mbijetonin pesë frymorë. Po, ata ngjanin me njerëz dhe me sa duket vinin nga shkretëtira e Gobit. Nga ajo shkretëtira që humanisti i madh, Ambasadori i Paqes, miliarderi i veshur spic, Edi Rama pra, kujdeset për shëndetin, dinjitetin, ushqimin dhe proteinat e atyre qenieve të mjera.

Shikojeni se çfarë legjende të gjallë kemi mes nesh, që ua zgjidh të gjitha hallet mjerane rracës tonë të lashtë. Vet pra, Ai, i madhi, i gjati dhe i bukuri, e shkeli me këmbë shpellën prej balte, dhe premtoi! E patë kur kaloi nëpër shtegun e ngushtë, se si përkulej, se si e mori afër djalin e vogël të familjes, se si i përkëdhelte shpatullat?!

Po skenën e fundit, atë më pikanten që të këpuste shpirtin, kur u përkul dhe i puthi dorën e gruas, nënës pa shtëpi?! Kush mund ta bënte më mirë se Ai këtë gjest human?!

Ky pra është Edi Rama, dora vet.

Por nuk është ky lajmi, problemi, halli që dua të ndaj me ju sot.

Halli im është media e Tiranës, media e neveritur dhe e ndritur, media e shkërrdhyer dhe e përlyer, media po kaq madhështore dhe spektakolare sa vet Edi Rama dhe ERTV; Top Channel, Klan Tv, News 24, Ora News, Vizion Plus.

Sepse të gjitha këto media heshtën, ashtu siç dinë vetëm ato. Për ato media nuk ka ndodhur asgjë. Ato kaluan në heshtje edhe këtë neveri të Kryeministrit Edi Rama. Asnjë shkrim, kronikë, lajm, rrjesht ose fjalë.

Asnjë demaskim për turpin e rradhës nga këto media që prezumohet se mbrojnë interesin publik. Asnjë fjalë koherence, integriteti, morali.

Sepse Kryeministri ynë nuk është një yllë si Brad Pitt, nuk është Ambasador i Paqes, por është bash Kryeministri i Shqipërisë, që presupozohet se detyra e tij primare është të qeverisë vendin, të mbledhë taksa dhe të bëjë rishpërndarjen e tyre për qytetarët shqiptarë, në forma dhe mënyra të ndryshme.

Asnjë fjalë nga Top Channel, sa për t’i kujtuar Kryeministrit Edi Rama, se:

“Sipas Raportuesit Special të Kombeve të Bashkuara, e drejta për ushqim është e drejta për të patur akses të rregullt, të përhershëm dhe të pakufizuar, drejtpërdrejt ose me anë të blerjeve financiare, për ushqim sasior dhe cilësor, adekuat dhe të mjaftueshëm, që korrespondon me traditat kulturore të popullit të cilit konsumatori i përket, dhe që siguron një jetë fizike dhe mendore, individuale dhe kolektive të kënaqëshme, dhe përmbush një jetë dinjitoze dhe pa frikë”.

Asnjë fjalë nga Klan Tv se Shqipëria ka nënshkruar Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, ku mes të tjerash, parashikohet saktësisht e Drejta për Ushqim dhe e Drejta për Strehim.

Asnjë fjalë nga Vizion Plus, News24 dhe Ora News se Edi Rama, si Pronari i Madh i Kullave të Reja në Tiranë, si pronari i Kullës me Stadium, si pronari i Pallateve që ka ndërtuar vet për 11 vite me rradhë, si pronari i Kullave që do të ngrihen në truallin e Teatrit Kombëtar nga Erion Veliaj, si pronari i Bunkerit të Surrelit, pra, si pronari i Shqipërisë, nuk kishte pse priste deri nga fundi i vitit, por mund t’u siguronte atyre qenieve një apartament në Edy Ramë Tower.

Jo, Mediat e Lavdishme nuk mund ta shohin problemin në këtë kënd. Ato e kanë të vështirë të kuptojnë spektalin e neveritur të këtij sarhoshi, që rreket të ndërtojë portretin e një Humanisti të Madh, që i plasë zemra nga dhimbja, por ama hallet ua zgjidhë… vetëm njërit! Copë 1. Një. Një. Kaq, sa për videon që do transmetohet në ERTV dhe Kronikat e kuruara për Ambasadorin e Paqes në Shkretëtirën e Gobit, në Mediat e Lavdishme të Tiranës!

ED SHOW! ED HUMANISTI!

Mediat heshtin teksa lejojnë këtë spektakël turpi, dhe as nuk skuqen, as nuk zverdhen, por shkëlqejnë.

Dje shkrova një tekst për këtë përdhunues të dinjitetit njerëzor. Teksti u shpërnda rreth 100 herë, u pëlqye dhe u komentua nga shumë shqiptarë. Asnjërin prej tyre nuk e njoh personalisht, por u jam mirënjohës pa fund. Këtë tekst e nisa edhe në disa portale të tjera, në gazeta të tjera… Por shkrimi im u publikua në vetëm tre portale.

Faleminderit të gjithë atyre që e shpërndanë tekstin tim. U jam mirënjohes pafund.

Edhe dy vjet…

Facebook Comments