Nga Francesca MASSOTI

Është atdheu i dy këngëtareve më të famshme të kohëve të fundit, Dua Lipa dhe Rita Ora, kryeqyteti i Shtetit më të ri në Evropë dhe që fsheh një nga nga lagjet më “cool” të Ballkanit sipas New York Times. Para jush Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, një qytet i ri që duhet vizituar tani para se ta zbulojnë të gjithë.
Që Kosova ka ndryshuar kjo vihet re sapo ve këmbën në Prishtinë. Kryeqyteti i gjallëruar me 200 mijë banorët e vet është qendra kulturore, ekonomike dhe artistike më e rëndësishme e Kosovës. Një vend i ri, madje shumë i ri (mosha mesatare e kosovarëve është 25 vjeç, plot 20 vjet më e re se mosha në Itali) me një histori të rëndësishme që mbart mbi supe dhe një të ardhme të pasigurtë. Por si është Prishtina sot pas thuajse 20 vjet përfundimit të një lufte e paraprirë nga spastrimi etnik i kërkuar nga Presidenti i asaj kohe Sllobodan Millosheviq kundër popullsisë vendase shqiptare që ende pret drejtësi dhe respekt? Shumë ka ende atje, pallatet në stilin brutalist, kujtimet e gjalla në kujtesën e njerëzve, por gjithsesi qytetit i është shtuar monumeti Newborn, i ngritur më 17 shkurt 2008 (Dita e shpalljes së pavarësisë nga Serbia) apo Katedralja madhështore dedikuar Nënë Terezës (murgesha e lindur në Shkup nga një familje shqiptare me origjinë nga Kosova) e shenjtëruar në shtator të vitit të kaluar.

Prishtina është një destinacion që po hyn ngadalë në radarin e turistëve që të lodhur nga destinacionet e përhershme, vendosin të aventurohen në zbulimin e një prej etapave më kurioze e më cool, por edhe më pak të njohur, atë të Ballkanit. Është kryeqyteti që duhet zbuluar tanimë para se ta kuptojnë të tjerët, një qytet që vizitohet lehtësisht në fundjavë. Gjithçka me bazë artin, kulturën dhe jetën e natës.

Zemra e kryeqytetit Kosovar është Bulevardi Nënë Tereza, rruga e gjerë e këmbësorëve përreth së cilës zhvillohet një “labirint” rrugicash ku kanë mbirë si kërpudha restorantet, pub-et dhe kafet më në modë. Këtu, shkurtin e kaluar, këngëtarja me origjinë kosovare Rita Ora mbajti një koncert për të festuar 10 vjetorin e pavarësisë së Vendit. Gjëja e parë që duhet bërë atje është të porosisësh një kafe. Zgjedhja do të jetë Soma Book Station e Dit’e’Nat’, dy lokalet më në modë në Prishtinë. Tek të dy gjindet një koleksion i konsiderueshëm librash, një bar koktejesh, një kuzhinë ku pregatiten pjata cilësore me produkte të fshatrave afër dhe një klientelë rinore, studentë universiteti dhe të huaj që jetojnë e punojnë në kryeqytetin e gjallë kosovar. Për atë që nuk e din, kafeja, nga këto anë nuk është thjesht një pije, por një mënyrë jetese, një rit nga i cili nuk mund të privohesh. Prandaj duhet të marrësh pak nga koha jote për të shijuar këtë moment të shenjtë. Për t’u gjendur më pas në lagje piktoreske turke që përkufizojnë imazhin e qytetit, mjafton që të largohesh nga kafetë në modë të qendrës. Mos u shqetësoni që mund të humbni në labirinthin e rrugicave që formojnë qytetin e vjetër të Prishtinës, sepse këtu, nëse kërkoni një informacion për rrugën, gjen dikë të gatshëm gjithmonë të të shoqërojë personalisht deri në destinacion. Meriton një vizitë Muzeu Etnologjik Emin Gjiku, që ndodhet brenda një banese tradicionale otomane e shekullit të 18-të, që ofron një afresk interesant të kulturës së vendit dhe sidomos të viteve të sundimit otoman. Dy hapa më tej gjendet Xhamia e mrekullueshme Mehmet Fatih, e zbukuruar me finesë në ambjentet e brendshme dhe të jashtme me një kopësht ku fëmijët e të gjitha moshave luajnë për qejf. Vizioni i Islamit, të paktën rreth meje është më pak i dukshëm në krahasim me ç’kanë paraqitur mediat perëndimore. Ndodh, shpesh, të shohësh grupe të rinjsh, disa me pantallona të shkurtra, vajza të mbuluara që bashkëbisedojnë pa kurrëfarë problemi pa patur paragjykime për njëri – tjetrin. Kjo është e paimagjinueshme nga anët tona.

Nëse pyesni çfarë ka tjetër për të parë në Prishtinë, mos harroni të bëni një ndalesë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” një ndërtesë e çuditshme e projektuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjaković, emblema e arkitekturës socialiste jugosllave. Pavarësisht se Telegraph e ka renditur në vendin e 18-të në listën e ndërtesave më të shëmtuara në botë, biblioteka është për t’u vizituar nga të apasionuarit e arkitekturës socialiste falë 99 kupolave të saj prej xhami, të gjitha të formave të ndryshme dhe fasadat e mbuluara me rrjetë metalike. Pasi kalon pragun, më pas admiron koleksionet e librave që rrëfejnë historinë e vendit, sallat e leximit, një sallë asambleje dhe mund të vëzhgohen kupolat nga një prospektivë tjetër. Afër bibliotekës gjendet një hapësirë e madhe e blertë dhe kisha serbo – ortodokse e Krishtit Shpëtimtar. Sipas planeve të Millosheviqit do të kishte qenë kisha më e madhe e vendit, por për shkak të shpërthimit të luftës nuk përfundoi kurrë. Sot serbët në qytet janë të paktë. Pas mbarimit të luftës, shumë prej tyre i braktisën banesat dhe u kthyen në Serbi, nga frika e hakmarrjes së shqiptarëve. Në mbrëmje më pas, zbret magjia mbi Prishtinë. Ekspozita, koncerte, vepra teatrore, festivale (si PriFest, festival i kinemasë që organizohet prej 10 vitesh në muajin korrik) të ndjekura në bazën e një kalendari qytetar. E pamundur të gjesh në çfarëdolloj ore një kafe apo pub bosh. E vështirë të zgjedhësh midis eventeve të shumta kulturore që i japin jetë kryeqytetit. Një shumicë e madhe të rinjsh që mbushin lokalet e qendrës, një brez i ri që mbart mbi supe peshën e ndërtimit të themeleve të një vendi të ri dhe që duket që i ka lënë pas tragjeditë dhe padrejtësitë e çmëndurisë njerëzore që në vitet e turbullta Nënëtëdhjetë, shokoi një popull të tërë. Shumë i kanë ende fytyrat e gërryera, të përulur, shumë kanë humbur të dashurit e tyre dhe nuk kanë patur drejtësi dhe mbase nuk do ta kenë kurrë. Nuk kam sesi të mos mendoj për fatin që kam patur, në ato vite kur unë luaja me kukulla me motrën time apo shkoja në plazh me prindërit e mi, ata ishin viktima të një nga momentet më tragjike dhe në të njëjtën kohë më të injoruarit të historisë evropiane bashkëkohore.

Është një shprehje shumë e bukur e Italo Calvino, që më vjen ndërmend mbrëmjen e fundit në Prishtinë: “Merre lehtë jetën, sepse lehtësia nuk është sipërfaqësi, por qetësim nga lart i gjërave, andaj mos ki dert në zemër”. E kështu këta të rinj të Prishtinës u duken kolegëve të mi mendjelehtë. Por nuk është ashtu, ta marrësh lehtë jetën është e nevojshme për të reduktuar problemet, për të hequr nga mendja mendime të kota dhe për të zgjidhur pengesat, porsi kanë bërë ata. Megjithëse jeta i ka vënë në provë të vështirë, ata zotërojnë një dekor njerëzor që më lë pa fjalë. Lodhja, dhimbja, vuajtja e kanë kalitur gjakun e tyre dhe forcuar shpirtin, duke i çuar të shohin gjithnjë përpara, pa harruar kurrë të shkuarën.

Artikulli origjinal

https://www.vanityfair.it/viaggi-traveller/weekend/2018/05/18/pristina-la-nuova-capitale-europea-kosovo-cosa-vedere-dove-andare-indirizzi



Facebook Comments