Nga Red VARAKU

Prej vitesh ishte kthyer në traditë, që kandidatët e të gjitha partive të takonin bosë të drogës dhe të krimit për të siguruar sa më shumë vota, në këmbim të favoreve të ndryshme, tenderave ose konçesioneve publike. Sigurisht, një marrëdhënie e dënueshme dhe me pasoja, dhe për këtë politika ka qenë vazhdimisht nën breshërinë e sulmeve të opinionit publik. Gjithsesi ishte një marrëdhënie ku procesi politik funksiononte dhe, natyrisht, e mbante krimin nën kontroll.

Por pas 2013, me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste, në vend që marrëdhënia me krimin të bënte hapa para, të shkonte drejt përmirësimit, vërehet një fenomen shumë herë më i rëndë dhe me pasoja fatale për demokracinë. Nuk është më partia, e cila nëpërmjet strukturave dhe mekanizmave politike përzgjedh kandidatët, por janë bosët e krimit ata që emërojnë dhe zgjedhin kandidatët që duhet të votohen. Krimi sot emëron ministra, gjykatës, drejtues policie, deputetë, kryetarë bashkish, drejtues të lartë institucionesh, deri edhe rektorë universitetesh. Njerëzit për hallet e tyre nuk i drejtohen më përfaqësuesve politik, por i drejtohen këtyre bosëve të cilët kanë zëvendësuar rolin e institucioneve.

Kjo marrëdhënie e ka rikthyer shoqërinë nën një tirani më të rrezikshme se ajo komuniste, nën tiraninë e krimit, i cili tashmë është bërë aq i fortë saqë vendos për çdo gjë. Qytetet kryesore të vendit janë nën kontrollin e tij dhe qytetarët janë braktisur dhe lënë nën gjykimin dhe mëshirën e këtyre bosëve. Të trembur, për të mos humbur edhe atë pak pasuri kanë ulur kokën dhe janë dorëzuar tërësisht .

Nëpërmjet tyre Edi Rama ka gjunjëzuar dhe qeverinë socialiste, e cila sot rezulton ndër më të korruptuarat dhe më të kriminalizuarat në historinë tonë. Me ndihmën e pakursyer të krimit ai ka futur nën kontroll tashmë të gjitha pushtetet. Këto organizata kriminale me emër qarkullojnë miliarda dhe administrojnë struktura ushtarake më të shpejta dhe efikase se të vetë policisë dhe ushtrisë. Është një lukuni që është gati të bëjë gjithçka, përfshi edhe krimet më monstruoze, për të mbrojtur pushtetin e saj, pjellën e saj, sepse për të pushteti është para, dhe paraja është gjithçka.

Shqipëria ndodhet në një udhëkryq shumë të rrezikshëm. Nëse populli nuk do të ngrihet dhe të rimarrë në dorë fatin e tij, këtë herë si shansi i fundit ,është e sigurt që do të na çojnë të gjithëve kokëulur, ashtu si bagëtinë, në thertoren “orbitale”, që tiranitë si kjo e jona e ndërtojnë me shumë ‘qetësi dhe dashuri’. Situata nuk ka se si të mos jetë më dramatike se kaq, por sigurisht e ka një zgjidhje.

Më shumë se sa ndërgjegjësimi i shoqërisë, është momenti për veprime konkrete në mënyrë që qytetarët të marrin në duar fatin tyre.
Është koha që qytetarët të organizohen dhe të ngrihen , kësaj rradhe jo nën udhëheqjen e ndonjë partie politike, sepse situata ka degraduar dhe ky nuk është më një problem politik. Ata duhet të ngrihen në emër të fëmijëve të tyre, në emër të të ardhmes, të dalin nga shtëpitë, të bllokojnë rrugët, të derdhen shesheve dhe të mos kthehen në shtëpitë e tyre pa e larguar një herë e mirë këtë lukuni horrash nga pushteti. Sepse e vetmja zgjidhje mbetet rikthimi i tyre ata aty ku e kanë vendin, në qeli.

Facebook Comments