Etika e qënies

Nga Arben XHAFERI

Popujt e lashtë ballkanikë veçmas ilirët, të lodhur nga luftërat me Perandorinë Romake, ishin të pafuqishëm që t’u bëjnë ballë invaduesve që vinin nga katër anët e botës, sidomos nga lindja, hunët, avarët, gotët, sllavët dhe së fundi turqit. Kronistët thonë se në atë kohë ilirët ishin aq të qytetëruar sa që kishin harruar edhe përdorimin e armëve. Invaduesit vinin valë-valë, plaçkitnin, vritnin, vandalizonin trashëgiminë kulturore të vendasve. E vetmja mbrojtje për ta ishte evakuimi në male. Konfiguracioni i tokës u mundësonte atyre evakuim të shpejtë dhe të sigurtë. Disa analistë thonë se populli që sot identifikohet me emrin shqiptar, në dallim nga popujt e tjerë të antikitetit, shpëtuan nga zhdukja falë evakuimit të shpejtë. Që nga kjo kohë ata deshën apo nuk deshën u bënë vëzhgues të proceseve të shumta që zhvilloheshin në vendet që i braktisën ata. Ata shihnin se si shthurej bota e tyre, se si përvetësoheshin të mirat e tyre materiale dhe shpirtërore, se si gurët e kështjellave, të shtëpive të tyre të shkatërruara vendoseshin në themelet e ngrehinave të reja, ata shihnin të pafuqishëm se si ndërtoheshin realitete, sisteme të reja. Ata vëzhgonin dhe ishin të pafuqishëm dhe të mllefosur. Këtë mllef ata e shndërruan në urrejtje ndaj vrasësve, në përbuzje ndaj plaçkitësve, në neveri ndaj vandalistëve.
Të qenit vëzhgues krijoi kushte për ndërrim të roleve: nga gjahu, preja u bënë gjahtarë. Që nga kjo kohë shqiptarëve u është ngjitur etiketa e cubit, kaçakut, atij që pret, që vëzhgon dhe sulmon pa pritur. Kështu i cilësojnë shqiptarët ata që i pushtuan trojet e tyre, sllavët a turqit, që në gërmadhat e qyteteve të tyre, kështjellave të tyre vendosën fillimisht fshatrat e tyre e pastaj ndërtuan qytetet duke pandehur se këto vende gjithmonë u kanë takuar atyre. Nga ky këndshikim, perceptim i gabuar i qenies shqiptare është ndërtuar një interpretim kuazishkencor i proceseve historike, traditës kulturore fetare etj. që është bërë burimi i lajthitjeve që përhapen me injorancë të pakuptimtë. Një lajthitje të këtillë arogante, të paturpshme e shprehu ish -kryetari i Ohrit kur shpjegonte kryeministrit bavarez se popullata e Ohrit përbëhet nga banorë autoktonë, sllavët dhe turqit dhe ardhacakët, shqiptarët!!!
Pozita e vëzhguesit kishte rëndësi strategjike jo vetëm nga aspekti ushtarak, por edhe psikologjik ngaqë ngërthente në vete elementin e distancës ndaj sistemeve të reja që ngriheshin në habitusin e tyre. Aftësia e distancimit nga e reja, nga e huaja nxiste nervozizëm dhe mllef tek ardhacakët. Njëherësh këtu duhet kërkuar urrejtjen iracionale të tyre ndaj shqiptarëve. Sllavët ishin të mllefosur pse shqiptarët e “prapambetur” nuk i pranonin vlerat e tyre. Këtë habi madje shfaqnin edhe ata intelektualë sllavë që në kontekstin ksenofobik të krijuar në Jugosllavi, trajtoheshin si albanofilë, si bie fjala kroati Branko Horvat. Ai në një rast shprehu befasi përse shqiptarët nuk paskan pranuar alfabetin latin të fqinjëve të tyre sllavë, por kanë pranuar disa zgjidhje të huazuara nga anglezët, apo të shpikura nga ata vetë! Edhe ata që ishin më të prirur që objektivisht ta trajtojnë sfidën shqiptare nuk kishin mirëkuptim për këtë distancë mitike, për këtë refuzim të vlerave sllave. Këtë mllef në forma të ndryshme kanë shfaqur edhe turqit. Ata na quanin “kaba arnaut” (shqiptar të vrazhdë, të papërpunueshëm), ndërkaq serbët na stolisnin me epitete të ndryshme “ nepopravlivi” ( të pandreqshëm), “nepokorlivi”( të papërkulshëm). Marrë në tërësi shqiptarët në këtë periudhë të gjatë të robërisë asnjëherë nuk u shndërruan në rajë (popullatë e përkulur) ashtu si trajtoheshin sllavët gjatë periudhës otomane.
Këtë tipar të vëzhgimit, të distancimit, shqiptarët tregonin jo vetëm ndaj të huajve, por edhe ndaj vetë shqiptarëve që aratiseshin në sistemet e huaja. Ndaj tyre merrnin masa të padurueshme të veçimit, të leçitjes në trajta të ndryshme.
Okupuesit të bindur se ky tipar i shqiptarëve është i pandryshueshëm, të bezdisur nga vëzhgimi i vazhdueshëm, nga distancimi i tyre, nga joluajaliteti, nga “syri i keq” i rezervuar, shpeshherë merrnin masa ndëshkuese mbi baza të prezumcionit, të fajësisë së nënkuptuar, të padiskutueshme. Kjo trajtesë mori përmasa përbindëshe në periudhën e instalimit të shtetit të sllavëve të jugut që u quajt Jugosllavi. Të gjitha elaboratet që janë punuar në këto periudha kanë pasur për argument qendror, prezumcionin e fajit gjenetik, konstatimin se ata janë element i papërpunueshëm, i pabindur dhe si të tillë do të jenë gjithmonë rrezik potencial për rendin e ri që ata ndërtonin në habitusin e tyre. I fundi nga ata pinjollë të invaduesve të lashtë që deshi të shpëtojë veten dhe popullin e tij nga ky vëzhgim distancues, nga ky element i huaj që nuk komponohej në sistemin e ri, ishte Millosheviqi. Ai të gjitha ekspeditat e mëparshme kundër shqiptarëve i quajti të buta, joefikase që nuk arrinin të vrisnin bindjen e tyre që ta ruajnë veçorinë, ose si thuajnë vetë serbët “ta vrisnin Zotin në ta” ( “da ubiju boga…”). Kjo frazë serbe nënkupton se veçoria e këtillë kokëforte që nuk ndryshon është diçka substanciale, e dhuruar nga Zoti, prandaj veçorinë e krahasonin me të.
Millosheviqi njëmend mori një fushatë të egër që në vete përmbante tre opsione: disiplinimin, shpërnguljen ose shfarosjen e tyre.
Disiplinimi filloi me presion ideologjik që kishte për qëllim diferencimin, ndarjen e shapit prej sheqerit. Në këtë kohë u prodhua nocioni neveritës i shqiptarit të ndershëm, të integruar në sistemin e ri, madje më të ri, në atë të Millosheviqit dhe shqiptarë të tillë shfaqeshin ndonëse në numër shumë të vogël. Ata shqyheshin nga dilema: ta pranojnë ofertën joshëse të regjimit dhe të jenë objekt i vëzhgimit tallës, leçitës i pjesëtarëve të padorëzuar të kombit, apo të refuzojnë dhe të jenë objekt i disiplinimit si i tërë populli që tashmë nga regjimi trajohej si turmë. Kjo dilemë krijonte variacione të ndryshme duke filluar nga ata që pa dilema refuzonin transformimet e tilla e deri te ata që pa dilema pranonin rolet e reja. Në mes të këtyre dy skajeve gjendeshin oportunistët që bashkëpunonin ose rezistonin, por jo deri në fund. Kjo kategori racionalizonte idenë e bojkotit difuz, të pahetueshëm të projekteve të sistemit dhe e kritikonte idenë e konfrontimit direkt. Motoja e kësaj faze politike ishte durimi, pritja që “zullumi të këputet prej së trashi“.
Regjimi i Millosheviqit megjithatë nuk arriti që të bëjë diferencimin mes shqiptarëve të përpunueshëm, të mirë, luajalë dhe atyre të këqinj dhe të pabindur, prandaj kaloi në fazën e dytë, atë të shpërnguljes. Këtë, sipas recetave të vjetra synonte të arrijë duke krijuar rrethana të pamundshme për jetë normale dhe të sigurtë. U përjashtuan nga puna të gjithë ata që nuk nënshkruanin dokumentin për luajalitet ndaj rendit të ri, u morën masa të ndryshme të stimulimit të shpërnguljes dhe vargani i autobusëve, aeroplanëve i bartnin shqiptarët në vendet e sigurta. Kur edhe ky opsion nuk dha sukses të pritur meqë të shpërngulurit u bënë burim financiar për mbijetesën e të mbeturve në atdhe, regjimi kaloi në variante jokonvencionalë të shfarrosjes fizike, të paimagjinueshëm për kontekstin qytetërues evropian. Meqë ky opsion duhej realizuar shpejt, në mënyrë efikase dhe të pamëshirshme për këtë punë u angazhuan kriminelët gjakpirës që përvojat e tyre në hapësirat e tjera jugosllave duhej në mënyrë sa më të ngjeshur ta zbatonin në Kosovë.
Ky ishte këndshikimi dhe projekti serb për vendosje të rendit të ri, por si zakonisht edhe shqiptarët “e papërpunueshëm“, “të papërkulshëm“, distancues i kishin edhe kësaj radhe vëzhguesit e tyre, atë kategori të njerëzve që analizonin veprimet serbe nga këndi i interesit shqiptar. Njëri nga ata që ishte kalitur në traditën epike, në traditën që prodhon, krijon imperativin kategorik moral, që në mënyrë të padiskutueshme detyron veprimin kundër atyre që e rrezikojnë qenien, identitetin, veçorinë, substancën, Zotin , që donte ta vrasë ky apo ai pinjoll i invaduesve lindorë, ishte Adem Jashari. Ai në fillim, me ndruajtje që shprehte mirësjellje ndaj prijësve të kombit e vëzhgonte situatën, priste se çka do të sjellë retorika e re, qetësuese, gudulisëse. Rezervat, distancën e mbante për vete dhe për rrethin e tij të ngushtë. Nuk eksponohej, nuk imponohej. Tashti dikush e kujton atë se si dikur dhe diku e ka parë në mesin e gazetarëve të shumtë duke ndjekur ndonjërën nga konferencat e panumërta të shtypit. Dikush nga zyrtarët e dikurshëm të Shqipërisë apo të Kosovës sot krenohen që e paskan nderuar atë me pranim pesë minutash për bisedime për shqetësimet e tij të thella për proceset që zhvilloheshin në Kosovë dhe hapësirat tjera. Është fakt se në atë kohë ai, energjia e tij, morali i tij, gatishmëria e tij, vlerësimi i tij i situatës nuk u hetua. Ne ishim të verbër për të parë këtë vlerë. Ne, të tmerruar nga frika që sistematikisht mbillej dhe shtohej nga sistemi represiv i Millosheviqit, silleshin si ai i mbyturi të cilit uji i ka ardhur deri te goja dhe nuk merrte guximin të lëvizë fare për ta pranuar dorën e shpëtimit. Në atë kohë ne nuk e njohëm atë, misionin e tij ngaqë frikësoheshin nga kalvari që shpinte drejt shpëtimit. Ne nuk e njohëm atë, mu si Ahasferi Jezuin kur refuzoi t’i ofrojë prehje, kështu që Zoti, për këtë gjymti shpirtërore e dënoi atë që të bredhë, sorollatet nëpër botë duke kërkuar dhe mos e gjetur kurrë kuptimin e jetës.

Pas arritjes së Marrëveshjes së Dejtonit, shqiptarët më në fund kuptuan se Kosova mbeti jashtë optikës, interesimit, axhendës së faktorëve vendosës. Por jo vetëm kaq. Kosova ishte e mbërthyer, e pacifikuar nga forcat militare dhe paramilitare serbe. Ata kishin arritur qëllimin. Plaçkitnin, torturonin, dhunonin, vritnin, bënin ç’t‘u tekej, si kurrë më parë. Kishin depërtuar edhe në botën e ëndrrave tona. Befasia nga mungesa e rezistencën ua shtonte tërbimin dhe imagjinatën kriminale. Ata ishin të mbushur me mburje, ne të zbrazur nga vetëbesimi, si hije të gjalla. Edhe shpresat ishin të fikura. Zymtësinë e padurueshme e theksonte edhe më shumë muzika e instrumenteve frymore serbe, një përzierje e ritmeve ushtarake dhe të ciganëve bredhacakë. Madje në qendër të Prishtinës ndihej aroma e specialiteteve fshatareske serbe, “leskovaçka muçkalica“ që shërbente si mëlmesë për ta bërë më të shijshme gjellën që e kishin gatuar me shekuj. Ata me kapadaillëk të papenguar e festonin, e demonstronin “superioritetin“ e tyre. Ndërkaq ne vetëm i regjistronin të bëmat e tyre. Në atë kohë, kur ata pandehnin se më në fund arritën ta vrisnin Zotin në ne, në popull flitej se disa drenicakë kanë sosur ta kthejnë pushkën. Disa të tjerë nga frika ose përgjegjësia që të mos përhapet ky opsion, apo nga frika që propaganda serbe të mos shfrytëzojë këtë si pretekst për represion më të egër, këtë dukuri të re e cilësuan si sajesë të UDB-së. Në këtë periudhë rastisi që një gazetar kosovar, Haqif Mulliqi, kërkoi nga unë një intervistë dhe një prononcim për këtë dukuri. Pyetjen e parë që ia bëra ishte: A janë ata të vërtetë, a i ke parë ti vetë, a ke folur me ta, e janë seriozë etj. Ai shkurt ma ktheu: burra janë. Kjo përgjigje e tij nuk m’u duk aspak folklorike, por kishte në vete një domethënie të thellë, një shpresë se Zoti në ne ende s’ishte vrarë. Nga kjo kohë më lidh një miqësi, një simpati për kumtuesin e lajmit, nga kjo kohë m‘u krijua një bindje e pathyeshme për vlerën e re që solli theomahu më i ri shqiptar, Adem Jashari. Në Greqinë Antike theomahos quheshin heronjtë që sfidonin zotërat apo prishnin rendin e paracaktuar. Theomahu mitik ishte Prometheu, ndërkaq ai historik ishte Sokrati. Theomahët gjithmonë kanë qenë të ndëshkuar për guximin, arrogancën, me të cilën kanë sfiduar pushtetin, autoritetin e zotërve apo rendin që ata patën vendosur. Prometheu u gozhdua për shkak se Zeusi donte t’i shfaroste njerëzit për shkak të xhelozisë ndaj tipareve të tyre. Siç dihet Prometheu e vodhi zjarrin nga perënditë dhe ua fali njerëzve për t’i shpëtuar ata nga zhdukja. Adem Jashari na e ktheu vetëbesimin, domethënien fjalëve tona, këngëve tona, krenarinë që pandehnin se e kishin. Me aktin e tij flijues, me sfidimin e tij ai vuri në sprovë të vërtetë kapadaillëkun serb, vetëmburrjen e tyre dhe burrërinë tonë. Dhe punët nuk dolën ashtu si ishin mësuar serbët.
Për të qenë theomah duhet të jesh i gatshëm ta paguash çmimin. Çmimi është jeta e sfiduesit, pësimi i tij. Adem Jashari, nuk ishte theomah i thjeshtë, ngaqë ai nuk e sakrifikoi vetëm veten, por tërë familjen e tij. E tërë familja e tij ishte e përbërë nga theomahë. Ai ishte i vetëdijshëm se kulla e tij s’do t’i bënte ballë kazermës serbe, ai dinte se armët e tija nuk mund t’i kundërviheshin arsenalit serb. Ai dinte se do të vdiste dhe megjithatë, si theomah i vërtetë, si Prometheu s’pushonte së sfiduari. Dhe ndodhi gjëma, sakrifikimi i një familjeje të tërë, sakrifikim për dinjitet, për krenari kombëtare. Ai e kapërceu Rubikonin e frikës, e shpërtheu himeren serbe. Ai dhe familja e tij e paguan taksën më të shtrenjtë për domethënien e nocionit shqiptar. Koncepti i tij për shqiptarin nuk përputhej me surogatin komik që kishin arritur ta farkonin serbët.
Flijimi i tij i dha një ngjyrë, një vlerë të re politikës shqiptare. I tërë populli shqiptar pas kësaj refuzoi të bëjë çfarëdo pakti me Millosheviqin dhe pranoi të jetë pjesë e një kalvari kolektiv. Po të arrinte regjimi i Millosheviqit të bënte për vete vetëm 5% të popullatës shqiptare (100.000 banorë), të sajonte një regjim kukull si gjithëkund në botë, nuk do të kishte NATO në këto hapësira, as procese demokratizuese në këtë pjesë të Ballkanit. Flaka në kullat e Jasharajve, vdekja e një familje të tërë në esencë dogji shtyllat e një rendi të ri, të egër jodemokratik sllav në këto hapësira dhe hapi shtegun për një proces që do të sjellë vlera të njëmenda njerëzore, politike, ekonomike në këto hapësira. Tash e tutje të gjithë ata që do të vijnë pas tij do të micërojnë nga sakrifica e tij dhe të theomahëve të tjerë shqiptarë.
Për të qenë sfidues i një formati të këtillë mitik si Adem Jashari, duhet të kesh, siç do të thoshte Erich Fromm, etikën e qenies.
Adem Jashari e kishte qenien etike.

28/11/2004

Facebook Comments