Nga Red VARAKU

Erjon Veliaj nuk duhet kurrsesi të nënvlerësohet. Do të ishte një gabim fatal . E kanë bërë shumë në partinë socialiste ,por është i njohur fundi i tyre. Rrënimi i dinastisë së moderuar në Partinë Socialiste ,përfshi edhe Sajmir Tahirin, është një arritje e madhe e tij ,që asesi nuk i duhet mohuar. Senatorët më të vjetër të Partisë të cilët ai bashkë me G-99 e tij i rrëzoi nga froni , akoma edhe sot e kësaj dite , nuk e kanë kuptuar se si një njeri që erdhi duke luftuar vetë partinë socialiste ,sot është kandidati i vetëm për drejtimin e saj.

Ai është një personazh mjaft i dinak, i zgjuar dhe tërheqës dhe me një talent të rrallë ,sepse ai di të mashtrojë në mënyrë të shkëlqyer dhe në politikë ky është çelësi i suksesit ndërsa një nga dhuntitë e tij më të mëdha është aftësia që ai ka për të maskuar qëllimet e tij pra është tejet i vështirë për tu lexuar, sepse nuk i shfaq kurrë mendimet dhe emocionet e tij. Ai zotëron aftësi politike të jashtëzakonshme ndër më të spikaturat është aftësia e tij të të bëjë të besosh që është me ty, në anën tënde, kur ndërkohë po punon me gjithçka kundër teje dhe kjo është një cilësi , që jo të gjithë e posedojnë. Ky është edhe shkaku ,që nuk i duhet besuar kurrë asaj që ai thotë ,por duhet hetuar me kujdes gjithçka që ai bën.

Erjon Veliaj nuk është socialist. Edhe pse i konvertuar, ai është një progresist sekular i të majtës ekstreme. Mund të duket i moderuar për syrin e pastërvitur, por ai po drejton me dorë të hekurt si askush më parë bashkinë e Tiranës. Nëse vëreni me kujdes të gjitha vendimet e marra nga ai si kryetar i bashkisë së Tiranës janë vendime arbitrare, të pakonsultuara dhe në shpërfillje të plotë të mendimit alternativ. Rasti i Teatrit Kombëtar është ilustrimi më i qartë i arbitraritetit me të cilin ai qeveris. Ai nuk është si Edi Rama. Tjetër gjë është modeli që ai ndjek dhe adhuron. Ai nuk është si Edi Rama edhe për faktin që di ta fshehë me elegancë narcizizmin dhe nevojën egzistenciale që ka për pushtet. Por edhe pse nuk të jep idenë që vuan për pushtet, ai ka treguar që është në gjendje të bëjë gjithçka për të.

Detyra e rikthimit të tij në Tiranë është ndryshimi i gjithçkaje , por kryesisht çmontimi përfundimtar i të djathtës dhe vetë idesë së kapitalizmit ,të cilin ai dhe ideologjia që ai përfaqëson , e konsideron si armik kryesor të së majtës ekstreme ,bir i denjë i së cilës edhe është. Sigurisht, që ai i mban të fshehura këto dhe nuk mund t’i shpallë hapur qëllimet e tij, përndryshe ky do të ishte edhe fundi i tij. Forca e tij qëndron tek besnikëria që ka ndaj të majtës ekstreme dhe tek urrejtja për kapitalizmin dhe lirinë ekonomike. Vizioni i tij është ndryshimi i sistemit të shpërndarjes të të ardhurave, duke goditur fort kapitalizmin dhe kapitalistët e vërtetë dhe duke risjellë barazinë e mallkuar të komunizmit.Për këtë e këshillojnë plot pathos dhe vrer edhe miqtë e tij më të afërt , të cilët janë kryesisht njerëz të ekstremit të majtë.

Asnjëherë nuk e ka konsideruar veten si kryetar bashkie i Tiranës , por si sundues i saj me atribute ekskluzive. Arroganca e tij është shumë më ekstreme se ajo e vetë Ramës. Ky është kryetari i parë i bashkisë së Tiranës për të cilin punon e gjithë Shqipëria. Ky është kryetari i parë i bashkisë së Tiranës që në njërën anë ka përbuzjen ndaj kundërshtarëve të tij dhe nga ana tjetër kamzhikun kundër tyre. Por ky është edhe kryetari i parë që nuk është parë kurrë të marrë përgjegjësi ose të kërkojë falje. Për të fajin e ka ose paraardhësi i tij , ose pasardhësi i tij, por kurrsesi ai vetë.

Shpenzimet e deritanishme nga bashkia e Tiranës janë tejet anormale dhe të papërgjegjshme për një shtet të varfër si Shqipëria. Po shpenzohen miliona dollarë të shqiptarëve nga qeveria , nga xhepat e shqiptarëve. Por nëpërmjet këtyre milionave ai blen dhe paguan shërbimin e aktorëve më të rëndësishëm ekonomikë dhe politikë, që do ta ndihmojnë në rikandidimin dhe rizgjedhjen e tij si kryetar bashkie.
Nëpërmjet këtyre favoreve dhe milionave ,ai po kalcifikon pozicionin e tij si kryetar i ardhshëm i partisë socialiste dhe kryeminister i ardhshëm i të gjithë shqiptarëve.

Por sigurisht që kjo shkon në faturën e të gjithë secilit prej nesh. Pra ne po paguajmë me gjak sot ,për një kryeministër si Veliaj nesër. Media e kapur prej tij po e mbështet sepse është pjesë e axhendës Veliaj . Ajo po i jep një mbështetje pa rezerva në këmbim të trojeve për ndërtim të favoreve që burojnë nga pushteti. Por fatura për këtë po i vjen çdo ditë shqiptarëve në forma nga më absurdet dhe ndër to gllabërimi i hapësirave të gjelbra të Tiranës. Zgjedhjet lokale janë afër dhe bashkia e Tiranës është kali më i rëndësishëm i betejës për Ramën dhe partinë socialiste ndaj ai po investon të gjitha paratë e shqiptarëve në mënyrë që Veliaj të fitojë. Këtë Veliaj e di mirë dhe po e shfrytëzon në favor të rritjes së përkrahjes së tij brenda partisë.

Ajo për të cilën nuk duhet të ketë asnjë dyshim është fakti që me Ramën dhe Veliajn në Shqipëri po ndodh një revolucion “i heshtur” i majtë nëpërmjet një grushti të ngadaltë shteti. Kemi një rikthim masiv tek idetë e të majtës dhe një ringjallje të së majtës dhe përkrahësve të saj në çdo skutë. Një riaktivizim të familjeve që shkatërruan Shqipërinë gjatë regjimit komunist çka është edhe oguri më i zi. Është koha që të gjithë patriotët të nisin seriozisht rezistencën dhe të rimarrin me urgjencë fatin e Shqipërisë në duart e tyre përndryshe nëse nuk e bëjnë tani, nesër do të jetë shumë vonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here