Nga Red VARAKU

Rama, përmes një stili Oruellian, u kërkon shqiptarëve të mos u besojnë “gojëve të liga“, realitetit të shëmtuar që ata shikojnë dhe dëgjojnë çdo ditë me sytë dhe veshët e tyre, por të kenë besim vetëm tek ai, tek dashuria e madhe që ai ka për ta. Pra, i kërkon shqiptarëve të heqin dorë nga vetja dhe t’i besojnë atij verbërisht dhe një pjesë e madhe e mbështetësve të tij e bëjnë me shumë devotshmëri dhe besnikëri.

Stephanie A. Sarkis në një artikull në Psychology Today, shkruan për një taktikë që liderë të tillë përdorin për të manipuluar viktimat e tyre, të cilën e quan “gaslighting.” Gaslighting është një taktikë, që përdoret nga një person ose një grup personash për të pasur më shumë pushtet. Kjo taktikë shkon deri aty saqë e bën viktimën të dyshojë realitetin e tij. Sipas saj “Gaslighting” është një teknikë që përdoret gjerësisht nga abuzuesit, diktatorët, narcizët dhe udhëheqës të kulteve të ndryshme për të manipuluar dhe bërë trushpëlarjen e ndjekësve dhe mbështetësve të tyre.

Ata, të cilët përdorin “Gaslighting” si teknikë për të manipuluar mbështetësit e tyre, janë kryesisht mjeshtra të manipulimit. Ata kanë edhe një dhunti të jashtëzakonshme për të gjetur dhe identifikuar ndjekës besnikë dhe mbështetës injorantë, fanatikë, të cilët janë gati të bëjnë gjithçka për udhëheqësit e tyre.

Pretendimi që Rama është i vetmi kryeministër që ndryshe flet dhe ndryshe vepron, është jo vetëm jorealist, por edhe i pavërtetë. Të gjithë kryeministrat pa dallim gënjejnë, por dallimi i Ramës me të tjerët është se ai e ka bërë rrenën dhe mashtrimin pjesë integrale të qeverisjes dhe propagandës së tij, gjë që arriti kulmin e absurdit së fundmi, kur deklaroi hapjen e negociatave ndërkohë që Bashkimi Evropian ia kishte përplasur dyert në fytyrë.
“Propaganda, në terma të thjeshtë, është përhapja e disa ideve ose fakteve me qëllim avancimin e një kauze qeverisëse ose dëmtimin e një kauze opozitare”. Nëse argumentojmë që gënjeshtrat e tij janë vetëm pjesë e propagandës së tij, në fakt nuk kemi bërë asgjë. Sepse mbështetësit e tij as që ia venë re fare faktin që ai gënjen. Gënjeshtrat e tij nuk bezdisin më askënd, qofshin këta edhe përfaqësues të lartë të hierarkisë socialiste, të cilët as nuk shqetësohen më për të justifikuar gënjeshtrat e tij, sado të banale qofshin ato.

Pra, nuk mjafton ekspozimi, demaskimi dhe denoncimi i rrenave, siç po bën opozita në çdo dalje. Në luftën kundër rrenave të Ramës, duhet bërë edhe një ndërgjegjësim popullor në lidhje me taktikat që Rama përdor për të shpëlarë trush popullin. Në luftën kundër propagandës, duhet përdorur edhe ajo që ndryshe quhet kundërpropaganda.

Kundërpropaganda synon që në mënyrë të shpejtë t’i përgjigjet propagandës politike me efikasitet. Fokusi i kundërpropagandës nuk janë fjalët, por veprimet dhe efektet e këtyre veprimeve , sepse veprimet për një kryeministër si Rama, thonë më shumë se fjalët. Për ilustrim, në lidhje me eksodin e dytë të shqiptarëve, kundërpropaganda më e mirë do të ishte vendosja e fokusit te fakti që qeveria është aq e pandjeshme, sa po ndan dhe shkatërron familjet shqiptare, sesa tek fakti që puna e keqe e qeverisë po detyron shqiptarët të largohen. Kjo do ta bënte shumë herë më të ndjeshëm fenomenin, sepse shqetësimi do të ishte familja, dhe jo puna e qeverisë. Ose problemi i hashashit: do të ishte shumë herë më efikas për ndërgjegjësimin e shoqërisë, nëse nuk do të trajtohej si problem bandash, por si dëm i madh dhe i parikuperueshëm i hashashit dhe i këtij modeli te fëmijët tanë nëpër shkolla. Duke prekur fenomene si fëmijët, shkolla, familja do të rritej ndjeshmëria ndaj problemeve politike etj.

Pra, ajo që vihet re është mungesa e një strategjie të kundërpropagandës nga ana e opozitës. Raste si ato që përmendëm gjejmë pafund në shëndetësi, arsim, rend, drejtësi etj.
Shqetësimi kryesor i opozitës nuk duhet të jetë më denoncimi apo ekspozimi i mashtrimeve dhe gënjeshtrave të tij, shqetësimi i saj duhet të jetë kundërpropaganda ndaj këtyre mashtrimeve. Ajo duhet të ketë një reagim të shpejtë për t’iu kundërvënë propagandës Orëelliane të Ramës, në mënyrë që jo vetëm të demaskojë mashtrimet e qeverisë, por edhe të rifitojë besimin e njerëzve. Ekspozimi i gënjeshtrave, sigurisht që është një taktikë e rëndësishme, por kundërpropaganda është një taktikë akoma më e rëndësishme, sepse ka më shumë efikasitet në zgjimin e ndjeshmërisë aq të munguar.

Facebook Comments