Nga Alfred LELA

Një kronikë e Top Channel, dje në lajmet e mesditës, sipas së cilës shefja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, u kish kërkuar prokurorëve që, dosjet e ‘peshqve të mëdhenj’ të kalonin, detyrimisht, nga tryeza e saj e punës, të kujtonte një shprehje popullore. E gjetët! ‘Peshku në det, tigani në zjarr’.

Me pak ironi, por pa e tepruar, duhet thënë se shprehja meriton të përmbyset në rastin e prokurores së Krimeve të Rënda dhe të bëhet ‘peshku në tigan, Donika në det’.

Ka dy probleme, në fakt, me këtë lajm, i cili duhet lexuar i përmbysur, pra duhet parë se mbi ç’logjikë i qëndrojnë këmbët. Siç duhet bërë e njëjta gjë me të gjitha gjërat që kriojnë paradoks, pra kundërshtojnë veten.

I pari problem ka të bëjë me një shkelje të vetë kryeprokurores. Sipas ligjit të ri për Prokurorinë, pjesë e paketës së reformës në drejtësi, prokurorët janë të pavarur në hetimet që fillojnë dhe kanë në proces, dhe kjo është bërë me qëllimin që të parandalohen ndërhyrjet politike nëpërmjet urdhrave që shefat i marrin nga lart dhe i qarkullojnë poshtë.

Urdhri i zonjës Prela bën saktësisht të kundërtën, duke e minuar dyfish besimin, si të prokurorëve, ashtu të publikut. Dyfish, sepse prokurorët, ashtu si zyrtarët e tjerë të sistemit të drejtësisë, janë duke kaluar një periudhë aspak të lehtë vëmendjeje dhe presioni. Trupa e drejtësisë i është nënshtruar procesit të vettingut dhe, Arta Marku e Donika Prela kanë ardhur në krye të institucioneve që drejtojnë nën ‘bekimin’ e këtij katarthisi, edhe pse ato vetë, deri më tani, nuk i janë nënshtruar vettingut.

Urdhri i Prelës ngre një dyshim thelbësor në këtë fazë të vettingut dhe të pritjes së asaj që është quajtur ‘drejtësia e re’. A do jenë prokurorët autonomë/ të pavarur apo do të marrin ata sërish urdhra politikë?

Ciladoqoftë përgjigjia, pas kësaj, dyshimi do të ngelet.

Çka përbën problemin e dytë me urdhrin e Prelës, nuk ndërpritet dhe as nuk kundërshtohet ndokund me termat ligjorë, drejtësinë apo prerogativa të tjera të juridikes. I përket një konsiderate morale apo etike. Jo në kuptimin e mirë/ e keqe, por një kategorie tjetër, që mund të përkufizohhet si dallimi ndërmjet seriozes/qesharakes.

Donika Prela, Arta Marku apo kushdo zonjë a zotëri tjetër në sistem, juridik apo politik qoftë, bëhen qesharakë, krejt e kundërta e seriozes, kur ende operojnë me frazën ‘peshqit e mëdhenj’. Ata duhet të jenë inteligjentë dhe seriozë për të kuptuar se shprehja, e lëshuar në eterin mediatik nga Ambasadori amerikan, Lu, është një soundbite, pra një efekt i qëllimtë që ka synim kapjen e vëmendjes nëpërmjet një fraze që mbetet në kujtesë me anë të tingullit dhe përsëritjes.

Si e tillë, pra si komunikim i një efekti, ajo mund të përdoret për konsum publik. Me kalimin e kohës, nëse simbolika e përdorur për të ndërtuar një aksion politik nuk e sheh apo nuk takohet kund me veprimin që sugjeron, pra kapjen e ‘peshqve të mëdhenj’, ajo kthehet në shaka. Butt of jokes, siç i thonë në anët dhe gjuhën e z. Lu.

Drejtësia, dënimi i kriminelëve, sidomos atyre të lidhur me pushtetin apo atyre ne pushtet, është një gjë serioze, një direktivë kombëtare. Zonjat Marku dhe Prela i kanë instrumentet për të dëshmuar seriozitet, pikërisht duke e kapur dhe na e treguar një peshk apo disa peshq të mëdhenj.

Mbi kurrizin e mëndafshtë të një figure letrare të Ambasadorit amerikan ‘lundrohet’ aq gjatë sa mbi kurrizin e një peshku. Veç në rastin, fatlum për njeriun, kur kemi të bëjmë me një delfin. Këtu vjen edhe pjesa përmbyllëse e shakasë për zonjën Prela: duhen peshkaqenë dhe jo delfinë për të dhënë shembullin e kapjes së ‘peshqve të mëdhenj’.

Facebook Comments