Nga Red VARAKU

Një luftë e re klasash po shfaqet në horizontin e trazuar të shoqërisë shqiptare, një luftë e pamëshirshme por e pashpallur, midis Elitës së Vërtetë shqiptare dhe Elitës së Rilindur Majtiste të ardhur në pushtet pas zgjedhjeve të vitit 2013.

Jo më larg se pesë vjet më parë rikthimi i këtij fenomeni as që mund të mendohej, sepse të gjithë ishin të bindur se Lufta e klasave ishte tashmë një fenomen i tejkaluar në shoqërinë postkomuniste shqiptare. Ekziston një teori e cila shpjegon arsyet se pse po ndodh kjo gjë. Shpjegon se pse liderë populistë si Edi Rama, me një platformë raciste si Rilindja, gëzojnë një mbështetje të konsiderueshme në popull.

Teoria e James Burnham mbi Elitat, ndër të cilat spikat koncepti i “Elitës Menaxheriale”, përpiqet të shpjegojë këtë konflikt të ri klasor. James Burnham ishte filozof dhe teoricien politik. Ai ishte një aktivist radikal në vitet 1930, dhe një nga Liderët e Lëvizjes Trockiste në SHBA. Më vonë ai do të braktiste Marksizmin dhe të Majtën dhe do t’i bashkohej të djathtës duke u shndërruar në një intelektual publik të Lëvizjes Konservatore Amerikane. Duke qenë një njohës mjaft i mirë i të majtës Marksiste, Burnham mendonte se në vendet Perëndimore po ndodhte një proces. Sipas tij një elitë e re po krijohej. Ajo po zëvëndësonte elitën e vjetër borgjeze dhe aristokrate. Këtë Elitë të re ai do ta pagëzonte me emrin ‘Elita Menaxheriale ‘ në librin e tij më të rëndësishëm ‘Revolucioni Menaxherial’, i botuar në vitin 1941. George Orwell, duke iu referuar tezës së Burnham, shkruan se ‘Kapitalizmi sa vjen e po bëhet më i dobët dhe ai po ja lë vendin nje Elite të Re, e cila nuk është as kapitaliste dhe as demokratike’. Udhëheqësit e vërtetë të kësaj Elite te re, shkruan Orwell, janë ata të cilët kontrollojnë në mënyrë efektive shpërndarjen e të mirave materiale dhe financiare. Këta njerëz do të eliminojnë klasën e vjetër kapitaliste, do të shtypin klasën punëtore dhe do të ndërtojnë një sistem, i cili do të kontrollojë gjithçka me qëllim që të ruajë të gjitha privilegjet për vete.

Burimi i vërtetë i forcës së saj do të vijë nga një masë gjysëm skllevërish injorantë dhe pa identitet, të cilët kanë një adhurim gati iracional dhe të pashpjegueshëm për Udhëheqjen, sepse te kjo Udhëheqje ata shohin edhe “Shpëtimtarin edhe Ndëshkuesin” e tyre.

Rilindja është bërë pëfaqësuesja tipike e asaj që Burnham e quajti “Elita Menaxheriale”. Ajo e di mirë se çfarë duhet të bëjë për të plaçkitur dhe dhunuar qytetarët prandaj sapo erdhi në pushtet rindezi pikërisht këtë luftë klasash. Përmes kësaj lufte ajo synon të kontrollojë dhe nënshtrojë të gjithë popullin, por veçanërisht Elitën e Vërtetë Shqiptare. Kjo luftë e Re klasash e cila shfrytëzon urrejtjen primitive të masave popullore është tezë shumë e ngjashme me atë, që u perdor gjatë dhe pas instalimit të Regjimit komunist ne Shqiperi edhe nga Enver Hoxha. Është identikr e njëjta skemë që përdorën Komunistët për të përmbysur dhe shkatërruar Aristokracinë dhe borgjezine e ndertuar para dhe gjatë Monarkisë së Mbretit Zog.

Vetëm se këtë herë skema quhet Rilindje! Rilindja në fakt nuk është gjë tjetër veçse një Rikthim tek ideja e Partisë -Shtet. Nënshtrimi dhe gjunjëzimi i popullit, si dhe përndjekja dhe persekutimi i Elitës aktuale është dhe një nga prioritetet e doktrinës së Klasës së Rilindur. Për këtë qëllim Udhëheqja ka ndërtuar një aparat i cili kujdeset që ta realizojë në mënyrë sistematike çdo ditë, çdo javë, çdo muaj me të gjitha format.

Ajo nuk lë rast pa lëshuar kamzhikun mbi përfaqësuesit e kësaj Elite, të cilët i sheh edhe si kërcënimin e saj më të madh, sepse mendon se ata janë aq të lirë dhe të pavarur, qoftë shpirtërisht, qoftë ekonomikisht dhe financiarisht, sa nuk i mban dot nën kontroll. Ajo po rikthen të gjitha barrierat që dikur e pengonin një individ të lirë të ngjiste shkallët e hierarkisë shoqërore. Barriera politike dhe financiare, por edhe që kanë lidhje me origjinën, familjen dhe përkatësinë kulturore.

Kjo dhunë dhe ky presion, në thelb synon të paralizojë dhe neutralizojë vetë idenë e Lirisë dhe Kapitalizmit. Biznesmenët qē shohim në krah të pushtetit sot nuk janë më të tillë. Ata nuk janë më përfaqësues të kapitalizmit të vërtetë. Ata janë bërë një me një shtet që vjedh dhe grabit çdo ditë qytetarët e tij dhe pasuritë kombëtare të Shqipërisë.

Facebook Comments