Nga Indrit VOKSHI

Cilat janë fjalët që janë dëbuar nga fjalori publik-politik e si rrjedhojë janë hequr si prioritete?

Fjalët “votë e lirë”, “ekonomi e tregut”, “ndarje e pushteteve”, “respektim dhe pavarësi e institucioneve”, “liri e demokraci”, “rritje pagash”, “investime publike”.

Këto fjalë janë zëvëndësuar me “shtet”, “disiplinë”, “rregull”, “pastrim”, “operacion kirurgjik kundër të keqes” e të ngjashme – të gjitha këto fjalë i përkasin ligjërimit diktatorial. Kjo sepse përmes tyre, politikani që i thotë e pozicionon veten si “lider suprem”, mbi kushtetutën, mbi ligjet, mbi të drejtën.

Sipas politikanit në fjalë, kushtetuta ka dështuar, ligjet kanë dështuar, institucionet kanë dështuar, prandaj duhet ai tashmë t’i rregullojë punët me mënyrat e veta. Mirëpo e vërteta është se kushtetuta nuk ka dështuar, thjesht njerëzit nuk e kanë respektuar, pra kanë dështuar njerëzit në zbatimin e kushtetutës, jo kushtetuta. Kështu që nëse synon drejtësi, s’ke pse del mbi kushtetutë, thjesht zbatoje atë, mos bëj si ata që nuk e zbatuan. Kaq.

Mirëpo politikanë të tillë nuk besojnë tek kushtetutat të cilat shpallin e sanksionojnë drejtësi e liri, as tek institucionet. Dështimi i kushtetutës dhe i institucioneve të saj është pretekst për t’i shkatërruar, si kushtetutën, si institucionet.

Kjo sepse për këta politikanë ka diçka më të lartë se kushtetuta, më të lartë se e drejta dhe liria. E kjo diçka është revolucioni, progresi. Para revolucionit dhe progresit nuk pyesin as për liri as për drejtësi. Se nëse për ne të tjerët qëllimi janë liria e drejtësia dhe institucionalizmi si mbrojtës i tyre, për këta nuk është qëllim liria, as drejtësia. Është progresi, revolucioni. Dhe progresi edhe ta cënon lirinë, lejohet cënimi i lirisë dhe drejtësisë për hir të progresit.

Pse i vriste Enver Hoxha njerëzit padrejtësisht? Se ata vërtet nuk e kishin shkelur të drejtën ama kishin shkelur rregullat e revolucionit dhe progresit.

Kështu edhe Erion Veliaj dje, akuzoi duke thënë se janë një palë që nuk duan modernitetin. Pra moderniteti si burim i të drejtës, nëse je modern ke të drejtë, nëse nuk e do modernen por synon të ruash historinë, nuk je me të drejtën. Nuk guxoi të thoshte se ka të drejtë pasi po respekton kushtetutën dhe ligjet. Tha se ka të drejtë pasi po respekton modernitetin. Dhe nëse dikur shkaku madhor për ta shkelur të drejtën quhej “revolucion” apo “progres”, sot po quhet “modernitet”. Janë e njejta gjë thjesht e shprehur me terma të ndryshme sipas kohës.

Këta janë politikanët që kanë ardhur në sundimin e Shqipërisë, ky është mentaliteti i tyre, këto janë interesat e tyre. Mos mendoni se ka gjë rastësore. Janë thjesht komunistët e rinj, totalitarët e rinj të cilët nuk përdorin më fjalën revolucion ngaqë ngjan e vjetër, ndaj e kanë zëvëndësuar me “progres” dhe “moderne”. Ndërsa mentaliteti është i njejtë; ka gjithmonë diçka më madhore se kushtetuta, liria, drejtësia, institucionet që i shtyn ata t’ua shkelin të drejtën dhe lirinë.

Facebook Comments