Nga Indrit VOKSHI

Erion Veliaj qenka zhgënjyer pse presidenti e ktheu ligjin për teatrin. Ai shkruan se presidentët dhe të tjerët edhe më parë janë bërë palë për të penguar zhvillimin.

Lexo Erion!

Nuk e di a e beson vërtet se njerëzit do ta besojnë se të gjithë janë kundër zhvillimit, kurse ti je zhvillimi. Unë mendoj se e beson, përderisa të ka ecur disi kjo lloj propagande. Mirëpo nuk të ecën më, sepse këto kohë keni dalë aq lakuriq, aq hapur iu është zbuluar korrupsioni dhe skemat e pastrimit, saqë edhe vetë votuesit e Partisë Socialiste e pranojnë se po vidhni shfrenuar, megjithëse i mban pa folur idea “po kujt t’ia japim votën, Saliut”. Antipatia për kundërshtarin ua mban heshtur votuesit, se korrupsionin dhe pangopësinë, mashtrimin dhe poshtërsinë tuaj, e pranojnë hapur edhe ata.

Erion, pasi u vra në punë në landfillin e bashkisë Ardit Gjoklaj 17 vjeç, ti u fotografove duke drekuar me prokurorin e Tiranës Petri Fusha që çështja të mbyllej; administratori, punëtorët, të gjithë ata që kishin shkelur rregullat dhe ti vetë, duhet të shpëtonit nga përgjegjësia. Dhe shpëtuat. Ushtruat presion tek pronarët e medias për të shkarkuar gazetarët të cilët donin të transmetonin një dokumentar mbi ketë çështje. Kjo është qytetaria?

Pastaj për arsye krejt rastësore dhe zhvillimore, me konkurencë si europianët dhe jo si shqiptarët, ashtu posi, ndërtimin e sheshit e mori Firma Fusha, firma e vëllait të prokurorit Petrit Fusha, atij që të mbylli çështjen ty.

A do na thuash se kjo ishte rastësi? Edhe e thua, se ne e dimë çfarë je i aftë të thuash.

Tjetra!

Ke shkruar se ka 40 vjet që Tirana pret një teatër të ri. Po, mund ta kenë pritur tash 40 vjet edhe pse ne nuk e dimë. Mirëpo nëse është pritur 40 vjet ndërtimi i një teatri të ri, kjo nuk dmth se njerëzit për 40 vjet kanë pritur shembjen e teatrit të sotëm. Kjo nuk dmth se tash 40 vjet njerëzit presin që t’i grabiten teatrit 9000 metra tokë dhe të ndërtohen aty 6 kulla. Kjo ishte krejt e papritur, nuk e pritën. Mos manipulo, se nuk të ecën.

Dhe kur përmend se “ata nuk duan modernitetin”, tregon se edhe aftësia e vetme që ke pasur, aftësia për të mashtruar, tashmë të ka avulluar. Të është dobësuar imuniteti si mashtrues dhe rinia e Shqipërisë të referohet si simboli i qesharakes dhe fallcitetit. Ti e di ketë por nuk ke çfarë bën pasi nuk je i stërvitur për të mos qenë fallco dhe mashtrues, nuk është sporti yt. Prandaj vazhdon ende me mashtrimin.

Sepse, që ta dish ti që thua se pala tjetër janë kundër modernitetit, nuk ndodh askund në rruzullin tokësor që moderniteti dhe trashgimia historike të mos pajtohen mes vedit. Çdo qytet dhe kryeqytet, ka arritur t’i pajtojë, ta integrojë të renë, pa prishur të vjetrën. Po të mendohej kështu siç e mendon ti, as Londra, as Roma, as Parisi, as Vjena, nuk do t’i kishin sot ato qendrat dhe monumentet historike ku njerëzit shkojnë për turizëm. Do t’i kishin shembur në emër të modernitetit. Dëshiron të kujtohesh si promovues i modernitetit? Ndërtojeni diku tjetër teatrin e ri. Por ti nuk do të kujtohesh si i tillë, ti pranon të kujtohesh si shkatërrues i trashgimisë kombëtare, sepse fitimi është i madh. Oreksi për fitim në 6 kulla, shfuqizon gjithçka tjetër. Pra nuk mund t’i pajtosh modernitetin me vlerat historike, sepse janë 200 miliin euro në mes që nuk i lënë të pajtohen.

Dhe meqë ke përmendur “gjenaratën tonë”, ti je shembulli më i shëmtuar i gjenaratës tonë. Je shembulli më i keq dhe i degraduar i të riut shqiptar të viteve 2000; servil, themeluesi i industrisë së manipulimit publik, je ai që përdor fëmijët si aksesorë të daljes në media, je i riu i rritur në prehërin e ambasadorëve, pasuruar me paratë e tyre qysh në moshën 24 vjeç dhe i ikur nga Mjafti duke zhdukur 5 milion dollarë me historinë e kompjuterit. Sot na përmend qytetarinë dhe zhvillimin.

Erion, njerëzit sot ndoshta nuk shohin shpresë tek asnjëra palë politike ndaj nuk nisen për të të nxjerrë nga zyra bashkë me fotografë e çfarë mban me vete por, kjo nuk do të thotë se të besojnë ty. Janë thjesht të mërzitur e të hutuar.

Njerëzit e dinë që ti nuk je as qytetaria, as zhvillimi, as moderniteti edhe pse paburrnia dhe mashtrimi yt mund të quhen disi fenomen modern, pasi s’ka mundësi të kenë ndodhur më parë në histori që të mund të quhen historike.

Ti je ai që ndërton 10 metra kënd lojërash dhe sapo ikën prej inagurimit, grabit 1000 metra hapsirë diku tjetër. Je ai që të gjithë planin rregullues të Tiranës e ke vënë në dispozicion të pronarëve të medias dhe ata të transmetojnë ty duke skuqur vezë për të moshuarit, pak para se të shkosh e t’iu grabisësh një tjetër gjë.

Prandaj, hesht. Hesht se u detyruan ta kalojnë në parlament ligjin vetëm që mos të të njollosej ty më shumë imazhi duke e prishur me bashki, se mesa duket duan të të rikandidojnë. Hesht dhe mos ua kujto njerëzve se ti je ndër ata që po marrin para prej shkatërrimit të Tiranës, kryeqytetit të shqiptarëve. Lërna t’ua kujtojmë ne.

Facebook Comments