Nga Red VARAKU

Shqipëria po merr me shpejtësi trajtat dhe formën e një shteti të falimentuar. Triniteti i korrupsionit , pandëshkueshmërisë dhe dhunës është kthyer në mallkimin më të madh për vendin tonë. Korrupsioni nuk është më thjesht një transaksion ekonomik midis njerëzve, por është kthyer në një sëmundje morale e cila po degjeneron raportet njerëzore dhe shoqërore. Ndërsa institucionet demokratike janë kthyer në mekanizma dhune dhe represioni ndaj qytetarëve të braktisur dhe krejt të pambrojtur.

Nëpërmjet dhunës administrative , një formë moderne represioni, qeveria ushtron në mënyrë të pamëshirshme pushtetin e saj mbi këdo që shfaq rezistencë ndaj këtij rrënimi .Shqiptarët ndjehen çdo ditë e më shumë të braktisur , të izoluar, të poshtëruar dhe të fyer. Ata po detyrohen të braktisin gjërat e tyre më të shenjta nga dhuna dhe padrejtësia e pushtetit.

Sistemi është kapur nëpërmjet “një grushti të fshehur dhe të ngadaltë shteti,” metastazat e të cilit kanë prekur çdo qelizë të shtetit dhe shoqërisë. Me kapjen e reformës në drejtësi gjasat janë që gjërat të përkeqësohen edhe më tej ,për shkak të dëbimit nga sistemi të të gjithë atyre ,që konsiderohen si pengesa.

Kolapsi i legjislativit dhe egzekutivit po shoqërohet me falimentimin e sistemit të drejtësisë dhe gjygjësorit. Rrënimi i këtij të fundit është oguri më i zi për shtetin e së drejtës. Ky model i gjygjësorit që po instalohet me djallëzi ,do të vazhdojë ta ketë ndikimin e tij negativ dekada më pas.

Rilindja dalëngadalë i është përveshur punës për të asgjësuar edhe procesin politik. Tashmë përfaqësuesit politik dhe shtetëror në të gjitha qytetet e Shqipërisë janë kthyer ekskluzivisht në noterë servilë të vendimeve që marrin grupet kriminale, në të gjitha qytetet përfshi këtu edhe zemrën e Shqipërisë , Tiranën. Ndërsa drejtuesit e institucioneve dhe qeverisë nuk bëjnë gjë tjetër veçse noterizojnë vendimet “ politike” që merren në drekat e shtrenjta nëpër rezervate luksoze.

Mekanizmi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është dëmtuar rëndë. Sistemi politik është asgjësuar totalisht. Sepse në secilën lagje dhe bashki nuk vendos më vota e lirë por vullneti i këtyre padronëve të rinj. Shkurt, politika është kthyer tërësisht në antipolitikë. Mundësia për ta ndryshuar me votë sot është zero.

Por, regjime injorante si ky ,betejën më të ashpër dhe më të rëndësishme e kanë me institucionet e pavaruara. Pikërisht në asgjësimin e pavarësisë së tyre ata shfaqin talentin e tyre gjenial. Sepse janë pikërisht këto institucione ,që më së pari e ndjejnë sëmundjen dhe janë ato që shfaqin rezistencë dhe përpiqen ta frenojnë marrinë e pushtetit. Sepse sado anemike qofshin këto institucione , ato përbëjnë një kërcënim serioz për çdo regjim. Kjo shpjegon sulmin e organizuar mbi drejtësinë, si pararoja e rrezikut për kleptokratët.

Sapo sistemi pastrohet nga ata të cilët i bëjnë rezistencë, tirania dhe brutaliteti kalcifikohen dhe bëhen të rrezikshme. Sepse mekanizmat e brendshëm ,të cilët e parandalojnë këtë ,ndalojnë së funksionuari . Ato janë pothuajse inegzistentë. Ky proces i rrënimit përfundimtar të institucioneve kryhet në mënyrë të organizuar dhe mjaft efikase.

Ai realizohet në mënyrë sistematike dhe të koordinuar nga të gjithë aktorët, por në mënyrë të veçantë nga vetë kryeministri, gati çdo ditë nëpërmjet deklaratave ,të cilat linçojnë cilindo që guxon t’i kundërvihet dhunës shtetërore. Është momenti kur shteti kthehet në përbindësh për qytetarin, momenti kur ai kthehet në armikun e tij më të madh.

Emërimet nëpër institucionet shtetërore janë kryekëput nepotike dhe politike. Por, farsa më e madhe po luhet me reformën në drejtësi. Nëpërmjet vetingut po emërohen shërbëtorë të verbër të kryeministrit,që prej kohës që ai ishte kryetar i bashkisë së Tiranës duke larguar kështu nga sistemi ata pak njerëz me integritet ,të cilët mund ta frenojnë sadopak rrënimin e institucioneve të pavarura.

Sulmi mbi arsimin është gjithashtu një nga dëmet e mëdha që po i i bëhet demokracisë. Largimi i specialistëve të arsimit dhe zëvendësimi i tyre me partiakë me diploma të blera ka sjellë një kaos të vërtetë në sistemin tonë arsimor duke dëmtuar rëndë procesin e edukimit. Ajo që e mban në këmbë një sistem demokratik është pikërisht një qytetar i arsimuar dhe i edukuar. Pa një qytetar të tillë të edukuar, demokracia është realisht e pamundur.

Ndërsa për sa i përket marrëdhënieve me jashtë ,me partnerët tanë ,ndodhemi në momentin më të keq në këto vite tranzicion. Refuzimi që iu bë Shqipërisë për hapjen e negociatave është lajmi më i keq që na ka ardhur ndonjëherë nga partnerët tanë. Lidhjet e tradicionale dhe strategjike janë dobësuar dhe e dhanë efektin me krizën e parë që u shfaq në horizont.

Në bujqësi qeveria ka hequr dorë nga subvencionet direkte për fermerët dhe me një te rënë të lapsit, ka përjashtuar nga mundësia e financimit shumicën e fermerëve, duke i shkatërruar kështu ata që çdo ditë derdhin djersën e tyre. Nga mosfunksionimi i sistemit tonelata prodhime vendase po hidhen rrugëve duke sjellë kështu një dëm të parikuperueshëm për bujqësinë.

Ekonomia ndodhet në ditën e saj më të keqe. Ajo po shkon me rrapullimë drejt falimentimit të plotë. Krony-izmi dhe sjellja anti-treg e qeverisë është kthyer në gangrenë të sistemit. Sulmi ndaj biznesit ka shkatërruar zemrën e biznesit dhe e ka kthyer atë në zagarin më besnik të kryeministrit. Eliminimi i konkurencës së ndershme po çon drejt falimentit me qindra biznese.

Media është sigurisht ndër përgjegjëset më të mëdha për këtë situatë. Ajo është kthyer në shërbëtore të sistemit dhe e ka realizuar qëllimin e saj: e ka bërë politikën të pamundur për tu kuptuar nga populli i thjeshtë. Ajo e ka futur dialektikën politike në hudhinë e tribalizmit politik dhe e paraqet politikën si një lojë intriguese me maska, si në ato ballot me maska të aristokratëve. Edhe pse në dukje serioze ,ajo është kthyer në një instrument ,që i jep zë vetëm thashethemeve të elitës por nuk adreson asnjëherë problemet reale me të cilat po përballet Shqipëria.
Ajo i ka dhënë politikës formën e një kulti ,ritualet e të cilit më pas dekonstruktohen nëpër studiot luksoze televizive nga gazetarë që paguhen me shuma totalisht të pajustifikueshme për një vend të varfër si Shqipëria, të cilët kanë hequr dorë nga gazetaria dhe janë kthyer në “piarë” të inxhinjerimit politik.

Qeverisja është shndërruar në një vjedhje të organizuar me ligj. Kjo gjë ka gërryer dhe tronditur themelet e demokracisë. Sistemi ynë politik është vënë i tëri në shërbim të interesave të oligarkëve, politikanëve të korruptuar dhe kriminelëve, duke na rikthyer në vitet e errëta të kolektivitetit të sëmurë të para viteve ’90, kur qytetarët kishin zero mundësi për të përmirësuar qeverisjen.

Ashtu si edhe atëherë, kemi të bëjmë pikërisht me të kundërtën e demokracisë, një lloj “totalitarizmi demokratik” allà kinez, ku institucionet nuk bëjnë gjë tjetër veçse maskojnë kolapsin e plotë të institucioneve demokratike si dhe mbrojnë elitën e korruptuar, e cila përmes intrigash dhe manipulimesh, qëndron në krye të sistemit, të cilin po e udhëheq dhe drejton drejt një humnere morale ,politike dhe financiare nga ku do të duhen dekada për të dalë.

Facebook Comments