Nga Erl KODRA

1.Nejse. Vetëm po më dhemb pak më shumë se çduhet pafuqia ime dhe e Robert Ndrenikës. Por edhe e Bujar Asqeriut.

Shpesh mendoj se cilat janë arsyet që, ta zëmë, Fusha ShPK ka kaq sukses dhe i ecën kaq mirë biznesi. Si ka mundësi që kjo Kompani fiton punë publike pa hesap. Nuk gjej asnjë arsye, ndaj nuk më shqitet mendimi se Fushajt duhet të jenë ata, të përzgjedhurit nga Këshilli i Lashtë i Mjeshtrave. Nuk gjej shpjegim tjetër të arsyeshëm.

Nuk arrij të kuptoj oratorinë e Erion Veliajt dhe brillancën e Kryeministrit Edi Rama. Njëri biri i një kapterri dhe tjetri biri i një xhahili. Por ata aty janë, duke përndritur këtë vend me vepra madhështore publike prej betoni dhe xhami. Ata vazhdojnë të fshijnë nga faqja e dheut ndërtesa, hapësira publike dhe stadiume duke mbjellur Kulla. Me sa duket unë jam krejt i paditur. Me siguri mendja ime nuk e rrokë dotë atë dimensionin e ndërlikuar kimik që ndodh në zanatin e vjetër të atyre që ndërtojnë duke shembur të vjetrën.

Unë e kam të vështirë të gjej një shpjegim të arsyeshëm se pse ndjehem kaq i pafuqishëm dhe i dobët. Si ka mundësi që Fati më ka rezervuar këtë trishtim, ndërsa shoh se si “një jetë e re po lulëzon gërmadhash”? Ka mundësi që unë nuk kuptoj shumë nga kjo botë, sidomos nga forca e parasë? Fundja, pse duhet të ndjejë dhimbje për një ndërtesë të vjetër, qoftë kjo edhe ndërtesa e Teatrit Kombëtar. Ndërtesat shemben. Njerëzit vdesin. Le të vdesë edhe Teatri, sepse unë jam veçse një qenie nostalgjike dhe poet që nuk kupton nga stili i jetës në Kulla prej Betoni.

Nejse. Vetëm po më dhemb pak më shumë se çduhet pafuqia ime dhe e Robert Ndrenikës. Por edhe e Bujar Asqeriut. Për më tepër, po më shkatërron fare kjo heshtje. Sidomos e atyre që i kuptojnë të gjitha “shakatë”. Arikitektë, urbanistë, ekonomistë, financier, pedagogë, doktorë, profesorë, poetë, shkrimtarë, gjygjtarë, prokurorë, konstitucionalistë, avokatë; të gjithë heshtin.

Vetëm Edi Rama vazhdon punën duke shembur gjithçka që ka lidhje me kombëtaren; Stadiumin Kombëtar, Teatrin Kombëtar, Gjykatën Kushtetuese Kombëtare. Heshtje. Unë ndjehem keq. Edi vazhdon punën.

2.Laokonti

Nga Ismail KADARE

Më shihni tek mbytem nga gjarpërinjtë
në muze të Louvrit në Madrid, Në New York
Para syve tuaj e aparate turistësh.
Qindra vjet kam që vuaj
nga që s’flas dot
Si të flas?
A mundet një nofull mermeri
të lëvizë një grimë, të korrigjojë diçka?
vini re syte e mi, te zgavrat e thella
një enigmë, si amebë të tharë atje ka.

Një të fshehtë të madhe ndrydh brënda gjoksit
para syve tuaj, në Paris, në Madrid.
Ah, do të doja dyfish të m’i shtonit,
veç sekretin e madhë të shkarkoja një ditë.

Tek më vini rrotull, unë them me vete
kaq të verbër të jeni sa të mos të ndjeni këtë,
që ky ngërç e ky ankth në qënien time
s’êshtë nga gjarpërinjtë, por nga një tjetër gjë?

Mijëra herë në mijra net e ditë
të vërtetën e frikshme përsëris pa pushim.
Me shpresën e marrë se nga kjo përsëritje
ndoshta mermeri peson një ndryshim.

Po s’ndërron ai kurrë.
Art i skulpturës
gënjeshtrën mbi të ka ngrirë përgjithnjë.
I mbërthyer në dëshminë e saj të rreme,
të vërtetën kujtoj e qaj për të.

Si çdo gjë e tmerrshme është i thjesht sekreti,
që brënda boshllëku i gjoksit mban.
Afroni, pra, kokat të dëgjoni të vërtetën,
mua s’më mbytën gjarpërinjtë por trojanët më vranë.

O, sikur të mundja gjithçka të tregoja.
Si do të ngrinit para meje si gur,
por une i dënuar mes rropamës suaj
moskokëçarëse
monologun të thurr

Ju e dini se përpara Trojës ahere,
kali i drunjtë, dhuratë e grekëve u shfaq.
Ky kalë në dy grupe i ndau trojanët:
ta pranonin atë, ose ta flaknin sakaq.
Pajtim me armikun, ulërinin tradhtarët
mjaft më me luftë, zjarr edhe helme.
Erdhi koha që shpatat ti kthejmë në parmenda
armiqte ne miq erdh koha të kthejmë.

Në mbledhje të gjatë “pro” dhe “kundra” kalit,
unë “kundra”, kryesova me tërbim.
Dhe juve ju kam thënë atëhere se hyjnit
gjarpërinjtë më dërguan si ndërshkim.

Ç’përralla kalamajsh, ç’trillim për budallenjtë
unë gjarpërinjtë do t’i mbrapsja me një shkelm.
Po ç’ti bëj fushatës së tradhëtarëve kundër meje
shantazheve, letrave anonime plot helm.

Ditë e natë e me javë polemika vazhdonte,
nga shtresat e mesme e gjer në qeveri.
Ishte vjeshtë.
Nën qiellin e hirnosur me erë
kali i drunjtë përjashta priste në shi.

Atë kalë unë i pari e kisha goditur,
ndaj,e dija, ate s’do të ma falnin përjetë.
Më në fund “vijë e butë” fiton mbi të “ashprën”,
dhe ne “kokëfortët” na vunë në arrest.

Në burg, me gotën e ujit, në mesnatë
helmin na dhanë ata të pijmë
ata qe ulërinin kundër dhunës e shpatës
Që dinin të kafshonin tamam si gjarpërinjtë.

Në mëngjez që pagdhirë në breg të detit
ma hodhën kufomën drejt mbi zhavor.
Rapsodet anembanë përhapën
version fals të gjarpërinjve hyjnorë.

Ky ishte mbarimi i polemikës për kalin,
ju e dini me Trojën se ç’ndodhi pastaj.
Tre mijë vjet rrjesht,
nga muzeu në muzera,
unë hamalli i mermertë, gënjeshtrën mbaj.

Tre mijë vjet…Akoma zjarret e Trojes
si floknaje e kuqe më rrinë në sy.
Po më i tmerrshëm se zjarret, kumet e vomet
ishte fundi fare,
kur u bë qetesi.

Troje e braktisur.
Gërmadhë
Hi i ftohtë
dhe poshtë ne të vdekurit shtrirë rresht.
Dhe papritur, në muzg sipër tokës se mardhur
u ndje diçka që atë çante përmes.

Ç’ishte kjo gërvimë kështu, kjo jehonë?
Vumë veshin. Kuptuam, grekët e ligj
përmbi qëndrën e qytetit me parmëndë lëronin
për të thënë se Troja përjetë vdiq.

Ja më në fund dhe parmënda e tyre.
Ah,plugu i saj si na çante më dysh!
Nga tradhëtia e Trojës, nga gjithë dhembjet,
ky kafshim i parmëndës më i hidhur ish.

T’i kthejmë shpatat më në fund në parmenda.
Kështu thërrisnin atëhere ata.
Midis fjalëve tuaja, si mallkim, si gjëmë
veshët me kapën edhe këtë hata.

Më kanë lodhur më shumë, besomëni, ca fjalë,
se kjo peshë e neveritshme gjarpërinjsh.
Ju, që gjer në hënë kini shkuar, si vallë
s’depërtoni dot deri në gjoksin tim?

Gumëzhina juaj si zhaurimë deti
më vjen nga çdo anë më përplaset në vesh,
nga copëra bisedash shumëgjuhëshe rreth meje
shqetësimet e mëdha të botës marr vesh.

Dëgjoj emra shtetesh të reja që kanë dalë,
emra kombesh e popujsh të rinj dëgjoj,
veç ai, i vjetri, i tmerrshmi kalë,
ashtu si atëhere ka mbetur njëlloj.

Prej patkonjve të tij unë rrënqethem akoma
dhe kështu në mermer i mbrojtur siç jam,
kurse ju, të panjohurit, ju prej mishi dhe kocke
vërtiteni mospërfillës nga salla në sallë.

Vërtiteni,
flisni për teatrin e për plazhet,
për gjithfare motorësh e gjithfarë qeverish,
pa ju shkuar mëndja që ai mund të shfaqet
në një ditë të rëndomtë, nje mëngjes me shi.

Ashtu si atehëre….
po mjaft,
u lodha.
Nga vërtitja juaj po më erren sytë,
nga rropama juaj veshët më gjëmojnë
në muze të Londrës në Louvre e Madrid,
në pafshi ndonjë ditë të bëhem copëra
nga marazi, siç thonë, të plas, t’ia bëj “krak”
jo kujtimet e Trojës, as gjarpërinjtë monstra,
po indiferenca juaj
do të bëhet shkak.

*Titulli i redaksisë

Facebook Comments