Nga Fitim ZEKTHI

Për shumëkënd duket i pamendueshëm angazhimi pazakontë i Qeverisë, grupit parlamentar të PS, Bashkisë së Tiranës, pjesës dërrmuese të mediave, analistëve, portaleve etj., për të çuar përpara vendimin për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe për të ndërtuar në atë vend një teatër të ri dhe gjashtë kulla. Parlamenti, si asnjëherë në historinë e tij, miratoi një ligj që parashikon prishjen e Teatrit, dhënien e një pjese të pronës publike një kompanie, ndërtimin nga kompania të gjashtë kullave dhe të një godine të re teatri, duke e shkatërruar plotësisht qendrën e Tiranës. Kryetari i Bashkisë ka tre muaj që bën lojëra nga më të ligat duke u tallur me aktorët që protestojnë, duke i marrë në takime, duke nxjerrë tinëzisht foto, duke i blerë, duke i shantazhuar, duke i bërë qesharakë, duke i përçarë, në mënyrë që protesta të jetë pa asnjë rëndësi.

Kryetari i Qeverisë tha se aktorët nuk kanë punë fare me projektin. Të dy bashkë, Kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë, iu turrën opozitës, e cila kundërshton që nga fillimi prishjen e Teatrit si një përpjekje korruptive që shkatërron qendrën e qytetit. Opozita u sulmua si e paaftë, fëminore, dhe pengues e zhvillimit. Pati dhe ka edhe zëra që, burojnë gjarpërisht nga Qeveria dhe përhapen si të pavarur, se opozita është pjesë e marrëveshjes për prishjen e Teatrit për të zhvlerësuar çdo gjë që thotë opozita.

Regjisori Rainer Fassbinder ka pavdekësuar në një film korrupsionin e thellë që mund të kaplojë një shoqëri kur interesat e biznesit kanë nën kontroll politikën, ligjin, mediat etj. Në filmin “Lola”, ai flet për një qytet të vogël në Gjermaninë e pasluftës së Dytë Botërore, Coburg, por duket sikur flet për Tiranën dhe Shqipërinë e sotme. Në këtë qytet gjendet një bordello. Në të shkojnë shumë burra të rëndësishëm të qytetit. Në të shkon Kryetari i Bashkisë, shefi i Policisë, gazetarë, njerëz të administratës, një revolucionar që punon në bordello si muzikant dhe njerëz të thjeshtë. Në shumicën e rasteve këta burra takohen me njëri-tjetrin në banjën e bordellos, ku duket se bashkë me duart lajnë edhe “turpin” që u zbuluan se shkonin aty. Bordelloja është në pronësinë e ndërtuesit më të madh të qytetit.

Tërë jeta ekonomike e politike e qytetit rrotullohet rreth ndërtimeve të tij. Ndërtesat bëhen gjithnjë e më të larta, parqet gjithnjë e më të ngushtë. Kryetari i Bashkisë flet për zhvillim dhe lulëzim të qytetit, ndërkohë që ai shkatërrohet përditë. Biznesmeni ndërtues, por edhe njerëz të tjerë të rëndësishëm të administratës apo pushtetit, ka qenë dikur i varfër dhe e përshkruan veten si “proletar”, duke justifikuar kështu pangopësinë e tij për para, alkool, ushqim apo seks. Nga qeveria qendrore vjen një kontrollor i ndershëm që kërkon të vendosë rregull. Ai kqyr krejt dokumentet dhe bën një dosje të madhe me parregullsitë që gjen. Shkon te gazetari, por atij asgjë nuk i duket skandaloze, pasi parregullsitë vërtet janë shumë, por janë të vogla. Ndërtuesi ka menduar me kohë për gazetarin. Sigurisht, që ndërtuesi është kujdesur të ujdisë mirë edhe shkresat. Kontrollori pezullon lejet e ndërtimit të një projekti shumë fitimprurës. Për këtë, fiton inatin e kryendërtuesit, Kryetarit të Bashkisë, shefit të Policisë etj. Edhe revolucionari zemërohet madje, sepse ai kërkon revolucion dhe jo ndalimin e një projekti.

Ka një ngërç të vërtetë, një pezulli të ankthshme, derisa kontrollori i ndershëm bie në dashuri me kryekurvën e bordellos, e cila është dashnorja e ndërtuesit të madh. Dashnorja e ndërtuesit shtiret si tjetërkush për t’ia fituar zemrën zyrtarit. Kontrollori fejohet me kryekurvën e bordellos. Në fund, revolucionari, që punon në bordello, e merr kontrollorin në bordello ku ai sheh kryekurvën që punon dhe këndon aty. Zyrtari bie në dëshpërim, por në fund vendos të martohet. Ndërtuesi më pas merr lejen e ndërtimit të projektit të madh të pezulluar dhe bëhet dëshmitar i parë në martesën e çiftit në kishë. Si dhuratë për dasmë, ai i jep çiftit të drejtën të marrin gjithë të ardhurat e bordellos. E menjëherë pas dasme, ndërkohë që zyrtari shkon të inspektojë sheshin e ndërtimit, kryendërtuesi e merr në shtrat nusen e sapomartuar me fustan të bardhë.

Në shumë aspekte, Shqipëria sot është ky qytet në Gjermani. Ndërtuesit dhe biznese të tjera të rëndësishme marrin leje për kulla, shkatërrojnë ato pak metra lulishte, prishin ato pak godina të vjetra, prishin stadiumin, teatrin, kinematë. Kryetari i qeverisë dhe ai i bashkisë, qeveritarët e lartë jo vetëm i miratojnë, por flasin për zhvillim të qytetit në lartësi, për krijim hapësirash të reja, për ndërtim teatrosh dhe stadiumesh të reja. Gjyqtari dhe prokurori i legjitimojnë këto leje. Gjyqtarët nuk dinë ku janë, Gjykata Kushteteuse nuk ekziston, Prokurori i Përgjithshëm është emëruar nga kryeministri si i përkohshëm. Ministri i Brendshëm, shefi i Policisë, jo vetëm që nuk bën zë, por ndihmon (sidomos në mbjelljen e hashashit, ndihmën ndaj trafikantëve, mbrojtjen e vëllait të dënuar për trafik etj.) Shumica e gazetarëve, analistëve dhe pronarëve të mediave, bash si në filmin “Lola” nuk shohin ndonjë skandal. Shumë media vrapuan të japin lajmin se, nga tërmeti i para disa ditëve u dëmtuar godina e Teatrit Kombëtar për të treguar se godina është e vjetruar dhe duhet prishur. Lajmi qe i rrejshëm. Shumë media vrapojë të marrin në intervista njerëz apo aktorë që mbrojnë Bashkinë dhe prishjen e Teatrit Kombëtar. Më e rënda, shumë media akuzuan si të korruptuar apo të dënuar dy nga njerëzit kryesorë të protestës, regjisorët Robert Budina dhe Kastriot Çipi. Sa për bordellon, dihet që ajo ekziston. Ndoshta janë shumë të tilla. Takohen edhe atje me siguri njerëzit e pushtetit. Padyshim që është edhe Lola. Dhe ajo nuk është një.

Tërë jeta ekonomike, por edhe politike e Shqipërisë, rrotullohet tek ajo që bëjnë këto biznese të mëdha të lidhura me qeverinë, te ndërtuesit, te tregtarët e mëdhenj dhe (ndryshe nga qyteti gjerman) trafikantët e hashashit dhe kokainës. Këta bëjnë ligjet, këta mbajnë në këmbë qeverinë, këta prodhojnë lajmin që duan në media, këta fshehin atë që duan dhe zbulojnë atë që duan, këta “financojnë” projektin që duan, këta i turren opozitës, apo financojnë sulmet ndaj saj, duke bërë atë fajtore për gjendjen e keqe…

Dhe kështu që Teatri do të prishet dhe kullat do të ndërtohen. Do të kemi dasmë si ajo e Lolës, me siguri.

Facebook Comments