Nga Gerina MULLAJ

Pres me padurim të vijë e hëna për të parë njeriun që më frymëzon në ekran, përmes të cilit shpërndahet bashkë me rrezatimin në dhomë, shkëlqimi i tij. Shkëlqimtar është vërtetë, mënyra si lëviz në skenë, si kruan kokën, si nervozohet, si buzëqesh, si e bind veten se është i madh, si kujton se na bind neve se është i madh.

Për gjithë këto e për më tepër ai e meriton të mos dalë vetëm të hënën, por edhe të martën. Edhe të martë ai është aty, hokatar, qëndrestar, ironizues, ndërsa mençuria i rrjedh nëpër vena teksa flet e teksa i kërcen pështyma pupthi në ajer. Lum si ajri. Vishet bukur dhe, sigurisht, përfytyroj se përreth tij shpërndahet një aromë e mirë bajamesh, tamam si aroma e këndshme e famës së tij. Madhështia e tij s’ka se si të mos i bindet një rregulli të thjesht të arsyes, sipas të cilit për të qëndruar në lartësinë e kapur duhet dalë në ekran edhe të mërkurën, madje edhe të enjten.

Ai ruan zhdërvjelltësinë e një personazhi publik i cili nuk ka durimin të mos jetë i gjithëgjendshëm, gjithkund, gjithmonë. Zgjohem në mëngjes e s’mund të rrëfej sa e vështirë është të shkoj në punë pa parë atë, madje, qëkur më mbiu logjika në kokë kam kuptuar se as gjumi nuk më merr pa mbërthyer qoftë edhe një herë sytë si gozhdë para ekranit.

Të premten është dita e tij e fundit në ekran, sytë i janë rënduar, përplas qerpikët me përtesën e një njeriu të lodhur e megjithëkëtë vazhdon qëndron bukuran si Helena e Trojës për hir të audiencës së tij. Përgjatë kësaj dite ndjehet thekshëm dembelizmi i cili pasohet me përgatitjen e udhëtimeve të fundjavës. Por, befas ndodh diçka, ai nuk niset për shkak se nuk është aq i lajthitur sa të mos dalë edhe të shtunën. Nuk është as i pamend sa të lejojë që t’ja zënë të tjerët hapësirën, mund të ndodhë që padashje, duke lëshuar terren të vezullojë ndonjë tjetër më i mirë, dhe kjo do ishte fatale.

Kryetari nuk ka dhënë ende urdhër se ka ardhur koha që koha e tij të mbarojë. Jo. Eshtë ende herët, ai ka shumë pak vjet në ekran, vetëm 30 vjet dhe duhet të vazhdojë të qëndrojë aty edhe për 30 të tjera. Duhet të qëndrojë edhe se na frymëzon me disa mësime të vyera: na mëson lajmin e mirë se nuk qënka e vështirë për të hyrë në botën e televizionit, madje qenka shumë e thjesht: çdokush që kërkon suksesin symbyllazi mjafton të flejë. Të flejë me të ose me kryetarin e tij. Suksesi arrihet duke fjetur me njerëz të suksesshëm.

Vjen e diela dhe ai më del sërish. Më del në ëndërr.

Facebook Comments