Nga Gerina MULLAJ

Për momentin ndodhem në parlament me njerëz që kush e di ç’thonë por tek veshët e mi vijnë veç këngët e Rita Orës, si një kumbim i zorshëm që përzjehet me imazhin përballë. Ç’do Rita në parlament, se kuptoj. Deputët turfullojnë nga vapa, mërzia dhe kollarot që shtrëngojnë me forcë rreth fytit a thua se kanë frikë mos ju dalë pushteti prej aty. Ç’është kjo mesele mo burr’… ja u rrok a s’ja u rrok rradakja këtyre se duhet të heshtin kur këndon Rita? Shyqyr janë këto gratë si të urta që s’bëjnë gër-vër. Po si erdhe këtu moj Ritë? Ah po, harrova që kam vënë kufjet. Jo se më pëlqen dhe aq, por të paktën kur tradhëtoj vendin e parlamentin supozoj ta tradhëtoj me një këngëtare shqiptare që të ndjehem më pak fajtor.

Nga lëvizjet e deputetëve duket se po zhvillohet ndonjë temë me goxha peshë por unë s’po ja var torbën tani këtyre zagarëve. Kam merakun e sirianëve. Hanë bukë? Flenë mjaftueshëm? Janë lodhur? Shqipëria që po ndërtoj është tamam për shpirt-sfiliturit, ata që ikin dhe ata që vijnë. T’ju jap dhe shtetësinë shpejt e shpejt që të kompesoj këta timët, kokëqypat, që po ikin. Me këtë rast më marrin me sy të mirë edhe ndërkombëtarët. Apo mos t’ju jap shtëtësi? Do pyes Majkon për këtë. Atë kam më të urtin e më të bindurin. Veç ndonjëherë edhe ai bën rebelin si për të shkundur nga vetja petkun e nënshtrimit. Tamam siç bëri herën e fundit, teatër për teatrin.

Them të buzëqesh tani që të duket sikur s’ma ndjen për tërsëllemën që po gatuhet në sallë. Unë që ja dal të tërheq vëmendjen e gjithë botës me atletet e mia, me pamundësinë për të tërhequr vemendje me ndonjë mënyrë tjetër të merituar. E prapë së prapë ja dal, se pak guxojnë të zëvëndësojnë nevojën e dëshpëruar për vemendje me guximin për ta fituar atë përmes show-ve.Ta dinin këta të mitë me sa zili mi shikon Macron ateletet, turfullon nga inati, se ai e di që nuk mund të jetë dot si unë, një përzjerje kozmike mes guximit, cekësisë dhe vetëadhurimit. Apo të fërkoj mjekrën? Çfarë të bëj që të duket sikur nuk ma ndjen për ç’flitet këtu? Po e hedh vështrimin ashtu kot. Ja Spiropali që e ka mendjen tek telefoni. Më mirë të kisha vënë ndonjë tjetër në vend të saj, ndonjë që mi lëpin duart më pak. Po më plasariten duart me kaq shumë lëpirje. Në fakt vetë e kam fajin, produktet e mia janë të gjithë. I kam mësuar se pa servilosje s’ka pushtet, dhe tani populli ngatërron suksesin me meritën. Kujtojnë se suksesi arrihet me meritë. Me servilosje arrihet. Po ç’janë gjithë këto gra këtu xhanëm? Unë i kam futur të gjitha? Ç’mu desh. Kaq shumë gra përkthehen në parfumra toksike. Kundërmojnë.

Si nuk më rastisi në kabinet ndonjë grua si presidentja e Kroacisë, ndonjë që rrezaton modesti dhe pozitivitet. Janë bërë të gjitha si unë, e disa më keq se unë, fodulle e megalomane a thua se janë mbesat e Ismail Qemalit. Në të vërtete servilet e rilindjes janë.

Do rri edhe pesë minuta e do ja mbath, po më përzjehen zorrët. Nuk e di nëse vjen nga mungesa e ushqimit apo mungesa e interesit për të dëgjuar këta spitullaqët.

Për çfarë të jetë duke fol Luli tani? Eshtë i pashëm dreqi në sfond me këngët e Ritës, kur flet e prish punën. Nga pozicioni i duarve të tij duket sikur po flet për nevojën e kapjes së peshkut të madh. Po e thonë të gjithë. Kapni peshkun e madh. Ç’të kapin këta rrugaçët o burr’? Më vjen t’ju lëshoj një shpërfillje të thekur gjithë këtyre që pretendojnë të kapin me shpirt ndër dhëmbë peshkun e madh. Po ta shohin hollë-hollë këta të trashët, e kam fjalën për popullin se populli ha çdo lloj cironke që i vjen në breg, një ndër të cilat është thashethemi se punët do i ecin mbarë Shqipërisë vetëm nëse kapim peshkun e madh, do kuptojnë se peshku i madh është bërë i tillë për shkakun e tyre. Po ç’peshk zeza duan këta? Kapen pas fijeve të fundit të shpresës se peshqit do kapen.

Një burrë i vuajtur e i hajthëm i ra në të me diçka që më tha: “Ore kryeministër, ç’është kjo hata me peshkun e madh? Ç’është kjo marrëzi e padëgjuar. Dëgjoj njerëz që duan të kapet peshku i madh. Po si ta kapim? Janë në vete këta? Si të kërkojmë ne populli që të kapet peshku i madh kur ne vetë e kemi rritur atë. Ç’është kjo çmenduri. Ne mezi e rritëm dhe e dhjamosem, përmes taksave tona dhe tani duam ta kapim. Oh, çështë kjo mendjemarrje që ka pushtuar këtë vend? Ne lamë rrugë të pashtruara, lamë spitale e shkolla të pandërtuara, lamë të na vendosin taksë edhe për të bërë dashuri me gruan, vetëm e vetëm që të rritet peshku. Dhe shyqyr Zotit tani është bërë për mashalla. Ndërsa këta të krrisurit kërkojnë ta kapin? Në barkun e këtij peshku ndodhet djersa, gjaku e koha jonë, e tani seç na dalin ca vetingdashës që duan të kapin krijesat që mezi i kemi rritur.”

Ja kështu më tha një shpirt-gjorë. Dhe shumë mirë e tha. Ndërkaq këta të sallës gumëzhijnë e shpërthejnë në bulurima për kapjen e gjallesave barkmëdha të cilat mezi janë rritur me sakrifica e mundim nga populli. Janë në vete?

Të vendos prapë kufjet apo të iki fare nga parlamenti? Më mirë po iki.

Facebook Comments