Nga Habjon HASANI

Mënyra se si Edi Rama vendosi të realizonte projektin e kullave te Teatri, nuk cënon thjesht trashëgiminë kulturore apo pronën publike, trajektorja që zgjodhi Rama e ka çuar lojën në një nivel më kritik, pasi Edi Rama na ka dhënë provën e pakundërshtueshme se ka gjunjëzuar sistemin Kushtetues të vendit.

Edi Rama ka neutralizuar çdo mundësi dhe çdo faktor që mund t’i rezistojë atij nga brenda kornizës së institucioneve Kushtetuese të vendit.

Le të përpiqemi ta kuptojmë sipas hallkave atë që ka ndodhur dhe atë që pritet të ndodhë.

Hapi i parë ishte hartimi i një projektligji special në favorin ekskluziv të një kompanie biznesi për ndërtim kullash. Akt i fortë agresioni për zhvatjen dhe tjetërsimin e pronës publike nëpërmjet forcës së mandateve.
Hapi i dytë ishte miratimi në Kuvend i këtij ligji special agresiv me 75 mandate.
Hapi i tretë do jetë qëndrimi i Presidentit të Republikës për dekretimin ose jo, të këtij ligji special.
Hapi i katërt do duhej të ishte Gjykata Kushtetuese…por a kemi ne një të tillë? Jo, nuk kemi Gjykatë Kushtetuese funksionale.

Pikërisht te neutralizimi i Gjykatës Kushtetuese qëndron dhe garancia e Ramës, sepse nuk ka më asnjë problem që ai të qeverisë me ligje speciale antikushtetuese, për sa kohë që nuk ekziston Gjykata Kushtetuese për ta ndalur.

Gjykata Kushtetuese është siguresa e garancisë për publikun dhe sistemin, pasi roli i Presidentit është simbolik, ai mund të mos e dekretojë ligjin special të Ramës, por ky akt i Presidentit vetëm sa do zgjasë me një javë procesin formal legal, asnjë pasojë tjetër nuk sjell.

Agresioni i Ramës shfaqet tre dimensional në këtë rast:

-Ai ka asgjësuar Gjykatën Kushtetuese.
-Ka nisur të qeverisë me ligje speciale antikushtetuese.
-Ka lënë të vetmen mundësi rezistence, aktet simbolike, siç mund të jetë mos-dekretimi nga ana e Presidentit.

Por ndonëse Rama duket shumë i fuqishëm aktualisht, ndonëse duket sikur i ka nxjerrë të gjithë jashtë loje në kuptimin e kompetencave dhe fuqisë ligjore, ai padashur i ka dhënë opozitës avantazhe të jashtëzakonshme me këtë që ka bërë.

Ai nuk e komplekson dot më opozitën me vettingun. Teatri ja shkërrmoqi alibinë e vettingut.

Sepse nëpërmjet ligjit special për kullat e Teatrit, Edi Rama ka kryer aktin tashmë, ai ka dhënë provën arbitrare se grabit dhunshëm me ligje speciale antikushtetuese.

Opozita ka provën në dorë dhe kaq mjafton që kauza e saj të mos jenë thjeshtë kullat dhe milionat e krimit e të drogës, por kauza bazike të jetë Gjykata Kushtetuese e vendit dhe asgjësimi i siguresës së garancive nga Edi Rama.

Tashmë që ekziston dhe prova flagrante e grabitjes me forcën e mandateve, nuk duhet ndonjë mund i madh për të sensibilizuar dhe partnerët ndërkombëtarë me ndikim, sepse nuk është ndonjë skemë e sofistikuar kjo, është tepër primitive madje.

Nëse Edi Rama ofron sot alibinë idiote se Gjykata Kushtetuese nuk mund të ekzistojë ca kohë, meqenëse duhet të mbarojë procesi i vettingut, atëherë opozita le t’i përgjigjet me një skemë kushtëzuese alternative.

Le të kushtëzojë Ramën duke kërkuar që dekretet e Presidentit të kenë fuqi të plotë bllokuese deri në momentin kur të rikonfigurohet Gjykata Kushtetuese dhe kur kjo gjykatë të nisë nga puna normalisht.

Gjykata Kushtetuese nuk është zyrë e lejeve të ndërtimit por është garanci e themelit, ndaj dhe për sa kohë që vettingu i famshëm e paralizon këtë garanci, është krejt legjitime që opozita të kërkojë zgjidhje kushtetuese të ndërmjetme, të cilat riparojnë garancitë që i zhbëri vettingu, nuk cënojnë procesin e vettingut dhe i heqin Ramës mundësinë që pas ca javësh të vijojë të njëjtën skemë të grabitjes me ligje speciale antikushtetuese.

Rama është i evidentuar tashmë si një grabitës agresiv me ‘kulla në xhep’ dhe opozita ka gjithë të drejtën që të kushtëzojë politikisht dhe të lobojë fort ndërkombëtarisht duke vënë kujën për asgjësimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të kërkojë imponimin e dispozitave garantuese deri në momentin kur Gjykata Kushtetuese fillon nga puna.

Edi Rama ka përpara dhe tre vite mandat qeverisje, ndërsa ne nuk kemi asnjë afat se kur do ja nisë sërish nga puna Gjykata Kushtetuese.

Është vetvrasje që të lejosh dhe tre vite të tjera këtë kryeministër të qeverisë me ligje speciale antikushtetuese që i harton dhe i miraton brenda javës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here