Nga Red VARAKU

Kriza politike shqiptare është së pari krizë mendimi, që vjen si pasojë e mungesës së një elementi shumë të rëndësishëm për një shoqëri, mungesa e një intelektuali kritik dhe skeptik, kundërshtues të autoritarizmit, luftëtar të lirisë, kujdestar dhe ruajtës hyjnor të Humanizmit si vlerë. Në shoqërinë tonë thuajse nuk ekzistojnë ata intelektualë që përbëjnë dhe ngjizin ndërgjegjen dhe vizionin e kombit tonë, si te shumë kombe të tjerë; një pasojë e dretpërdrejtë e genocidit komunist i cili nuk i kurseu ata dhe as familjet e tyre.

Ata kanë qenë dhe janë vazhdimisht objekt i persekutimit sepse ata përbëjnë kornizën morale të shoqërisë. Dy janë gjërat më të shenjta dhe të panegociueshme për ta: e Vërteta dhe Liria dhe, pikërisht për shkak të besnikërisë ndaj të vërtetës dhe nevojës për liri, ata përballen shpesh me persekutimet më të egra, sepse regjimet urrejnë të vërtetën dhe shpesh përpiqen ta manipulojnë atë, sepse ata janë pasqyra ku reflektohet shëmtia e tyre.

Nje regjim totalitar i urren edhe për faktin se ata janë frymëzues të lirisë, dashurisë për të vërtetën dhe respektit për njeriun, gjë që kërcënon dhe rrezikon realisht pozitat e një regjimi. Një intelektual është ndërgjegja e kohës së tij. Ai beson në një shoqëri të drejtë dhe përpiqet gjatë gjithë jetës për këtë, edhe pse ai e ka të qartë që kjo kërkon sakrifica të mëdha. Por, ai beson se vetëm e vërteta e bën njeriun të lirë. Max Ëeber shkruan se “intelektual është ai që kundërshton të keqen me çdo mjet”.

Në Shqipëri ka dominuar jetën shoqërore një lloj ‘intelektuali’ tjetër. Një lloj që, jo vetëm “nuk lufton të keqen me çdo mjet”, por kthehet në mbrojtës fanatik të të keqes, të cilit do t’i referohem si “njeriu me shkollë”. Një lloj krimbi konformist i cili, në vend që ta kundërshtojë pushtetin konformohet dhe shërben si noter i krimeve të pushtetit. Kjo është mbase trashëgimia më e keqe që na la pas regjimi komunist.

Është e vërtetë që ky lloj krimbi konformist sjell ide, inovacione, të cilat deri diku përmirësojnë jetën nga pikëpamja e mirëqenies materiale, por ata janë mallkimi për shpirtin e një populli. Këta krimba janë të gjallë, plot energji dhe optimistë, ata nuk merakosen dhe aq për dinjitetin e askujt, aq më pak të dinjitetin e tyre. E Vërteta dhe Liria janë si monedha të cilat i shkëmbejnë për bukën e përditshme, mirëqenien materiale. “Njerëzit me shkollë”, duke qenë se janë frikacakë të lindur, për shkak të besnikërisë dhe vartësisë që kanë ndaj suksesit dhe pushtetit, konformohen dhe për shkak të frikës nga humbja e privilegjeve që burojnë nga pushteti, bëjnë kompromis edhe me diktatorët më të pamëshirshëm dhe më gjakatarë, sepse për ta një dorë që nuk e kafshon dot, duhet ta puthësh.

Regjimi inkurajonte dijen shkencore dhe rolin e “Intelektualit” në fakt, ia dha “njeriut me shkollë”, i cili thjesht kishte krijuar një fizionomi mesatare dhe mediokre në shkencë. Një armatë e tërë “njerëzish me shkollë”, që u shndërruan në gardianët më gjakatarë të injorancës dhe regjimit, të cilët shërbenin edhe në skutat më të largëta të vendit. Ishin njëkohësisht edhe antarë të forumeve më të larta të Partisë. Traditë që, fatkeqësisht, vijon edhe sot e kësaj dite. Garda e “njerëzve me shkollë” aktivizohet sa herë që regjimi ka nevojë për të, edhe sot e kësaj dite për të legjitimuar masakrën e radhës.

Dominimi i skenës politike akoma nga ky model, në fakt tregon edhe varfërinë intelektuale, shkretëtirën morale ku ndodhet shoqëria shqiptare si pasojë e mungesës së një vizioni kombëtar, e një narrative të re kombëtare. Një shoqëri që ka hequr dorë plotësisht nga vlerat e brendshme njerëzore, sepse “njerëzit me shkollë” kanë tradhtuar misionin e tyre. Ata janë shndërruar në “kafshë politike” mediokre, që përllogarit me gjakftohtësi interesat dhe është gati të shkelë të gjitha parimet njerëzore, të tradhtojë kauza dhe njerëz, me qëllim që të ketë sukses ekonomik dhe shoqëror. Ata janë “gjithmonë gati”!

Facebook Comments