Nga Fitim ZEKTHI

Për shkak se gjuha dhe imazhi i vdekjes mendohej se dëmtonin sensin e lumturisë së pafundme që qytetarët përjetonin në komunizëm, regjimi totalitar në Gjermaninë Lindore vendosi të zëvendësojë fjalën “arkivol”. Në vend të saj, zyrtarët futën fjalën “mobilje e tokës”. Në të njëjtën mënyrë, zyra që merrej me rregullimin dhe celebrimin e funeraleve u quajt “Departamenti i Gëzimit dhe Pikëllimit”, që tingëllonte poetike. Kryeministri Rama dhe njerëzit e tij të propagandës në qeveri dhe media po bëjnë të njëjtën gjë në lidhje me vendimin e Bashkimit Europian për të mos hapur negociatat.

Bashkimi Europian vendosi që çështja e hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë të shtyhet për vitin tjetër. Për të dyja këto vende, në mënyrë që të hapen negociatat vitin tjetër, duhet të plotësohen disa kushte. Për Maqedoninë është kusht implementimi i marrëveshjes së emrit me Greqinë, ndërsa për Shqipërinë është kusht lufta ndaj krimit, trafikut, drogës dhe reforma në drejtësi. Pra, Bashkimi Europian mendon se Shqipëria ka probleme të mëdha me krimin e organizuar, trafikun e drogës dhe paaftësinë e institucioneve dhe qeverisë për të qenë në luftë me krimin dhe lidhjet e tij me politikën.

Këto kushte për Shqipërinë janë përsëritur vit pas viti dhe fakti që vijojnë të jenë po njësoj përcaktuese, tregon se gjendja është po njësoj. Nga ana tjetër, kjo tregon edhe se gjendja do të jetë njësoj, duke qenë se qeveria sillet dhe flet po njësoj, e trajton përgjegjësinë e saj po njësoj, fajëson të tjerët po njësoj dhe flet për suksese po njësoj. Kështu Kryeministri, në mënyrë identike me atë që bënte regjimi komunist në Gjermaninë Lindore, tha se “Shqipëria ia doli të marrë datën për hyrjen në portin e Europës së Bashkuar. Rezultatet e reformave tona bënë që dhe më skeptikët të njohin Meritën e Shqipërisë e të Maqedonisë. Një betejë tejet e vështirë u fitua, lufta vijon”.

Pra, fjala arkivol u zëvendësua me fjalën mobilje toke, moshapja e negociatave u zëvendësua me “Shqipëria ia doli të marrë datën për hyrjen në portin e Europës së Bashkuar. Ashtu siç Zyra e Funeraleve u quajt “Departamenti i Gëzimit dhe Pikëllimit”, po ashtu edhe dështimi i qeverisë u quajt “një betejë e vështirë u fitua”. Më 17 prill të këtij viti, Kryeministri doli para popullit në një fjalim të gjatë, ku lajmëroi me tone triumfaliste se hapja e negociatave ndodhi, se Komisioni Europian kishte rekomanduar hapjen e negociatave.

Ai tha “Jam shumë krenar, sepse ia dolëm këtij provimi të vështirë. I dhamë Shqipërisë një staturë të re në arenën ndërkombëtare dhe dolëm nga një tjetër udhëkryq mes së shkuarës dhe të ardhmes”. Ai tha më pas se stacioni i radhës tashmë ishte anëtarësimi. Pra, negociatat sipas tij ishin hapur. Kryeministri në atë fjalim tha se, “Europa nuk bën dhurata dhe Brukseli është një makineri e pamëshirshme, që sheh dhe njeh vetëm meritat. Vendimi është njohja e meritave tona në fushën e reformave dhe me luftë të vërtetë kundër armiqve të shoqërisë dhe shtetit, krimit dhe korrupsionit”.

Pra, për Ramën nuk mund të kishte më kushte që negociatat të hapeshin, sepse qeveria e tij iu ishte imponuar vendimmarrësve të BE-së me “luftën e saj të vërtetë kundër armiqve të shoqërisë, shtetit dhe korrupsionit”. Për Ramën, “Brukseli ishte një makineri e pamëshirshme, që sheh dhe njeh vetëm meritat” dhe kështu që negociatat u hapën nga kjo luftë e madhe e Ramës kundër krimit, nga merita e madhe e tij dhe qeverisë që kishin plotësuar këtë kusht vendimtar.

Po të jetë siç thotë Rama, pra që Brukseli është një makinë e pamëshirshme që vendos mbi meritat, atëherë qeveria shqiptare ka dështuar. Duke qenë se Rama tha në 17 prill se reformat dhe lufta e vërtetë ndaj krimit sollën hapjen e negociatave, atëherë është mungesa e mungesa e luftës ndaj krimit dhe korrupsionit që solli moshapjen e negociatave. Në 17 prill, si në çdo fjalim, Kryeministri sulmoi egërsisht opozitën duke thënë se ajo “la kockat për të penguar hapjen e negociatave”, teksa Partia Socialiste ishte përpjekur “me mish e me shpirt për këtë ditë” të hapjes së negociatave.

George Orwell ka shpjeguar në mënyrë të papërsëritshme gjuhën totalitare, makineritë e propagandës, shtrembërimin e plotë të së vërtetës, emërtimin e Zyrës së Funeraleve si “Zyrë Gëzimi dhe Pikëllimi”, emërtimin e skllavërisë si liri, të skamjes si pasuri, të përçudnimit si çlirim etj.. Ai thotë se mungesa e sinqeritetit gjithsesi e zbulon gjuhën që gënjen, që mashtron. “Kur ka një hendek mes së vërtetës dhe asaj që deklaron dikush, instinktivisht gjuha e tij bëhet e bezdisshme, e ngarkuar me metafora dhe shprehje të kota, bëhet si një butak që lëshon bojë (ka parasysh kandilin e detit që lëshon një bojë blu kur noton)”.

Kështu edhe gjuha e Ramës. Ai tha menjëherë sapo hapja e negociatave nuk u bë dhe u shty me kushte për vitin që vjen : “Pas 72 orësh mes dallgëve të brendshme të BE-së Shqipëria, ia doli të marrë datën për hyrjen në portin e Europës së Bashkuar. Rezultatet e reformave tona bënë që dhe më skeptikët të njohin Meritën e Shqipërisë e të Maqedonisë. Një betejë tejet e vështirë u fitua, lufta vijon”. Gjithkush i sheh metaforat e kota “dallgë të brendshme të BE-së”, “port i Europës së Bashkuar”, “betejë e vështirë”, “lufta u fitua”. Pra, gati gjysma e tekstit me dy rreshta janë metafora kot. Nuk po marrim në analizë këtu fjalimin e 17 prillit se është edhe më rëndë.

Shkurt, negociatat me Bashkimin Europian nuk janë hapur dhe shpresa se kjo qeveri mund të bëjë reformat, të luftojë kundër korrupsionit, trafikut, lidhjes së krimit me politikën është e pakuptimtë. Ajo ka pesë vite në pushtet dhe qeverisja nga viti në vit nuk ka ardhur duke u përmirësuar.

Vetë qeveria dhe Kryeministri janë në kaos. Aktiviteti kryesor i tyre është gjetja e fjalëve, shprehjeve dhe mënyrës (takimet përditë live për bashkëqeverisje dhe llogaridhënien para njerëzve janë aktiviteti kryesor publik i qeverisë) për të emërtuar dështimet si suksese, për të bërë të mundur mosdëmtimin e “sensit të pafundmë të lumturisë”, në të cilin jetojnë njerëzit si pasojë e “reformave të mëdha të Rilindjes”. Sido që të jetë, gjendja është keq dhe do të vijë një moment që do të bëhet e pakontrollueshme edhe nga Rama. Sjellje të tilla vijnë dhe bëhen të pakontrollueshme edhe nga regjime si ai i Enver Hoxhës apo Erik Honekerit. Propaganda ka limite.

Reklama

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here