Nga Muho ASLLANI

Gramozi ishte mësues e më pas drejtor i shkollës së mesme bujqësore në Progonat të Tepelenës. Nga drejtor i shkollës së mesme e zgjodhën anëtar të Byrosë së Partisë të kooperativës bujqësore. Në 1984 kemi shkuar me Ramiz Alinë në Progonat ku u bë një miting shumë i madh, filloi një shi shumë i madh dhe askush nuk e hapi çadrën. Në Shkodër apo në Durrës, po të niste shiu në miting, hapnin të gjithë çadrën. Ishte një tur që bëri Ramizi në të gjithë vendin, sepse duket që Enver Hoxha kërkonte të ndërtonte zëvendësin e tij duke i dhënë rol udhëheqësi.

Filloi Gramozi fjalën e tij, por u sikletos shumë se shiu i kishte ngjit letrat dhe s’po e linte ta lexonte. Unë i afrohem dhe i them: Kalo në fund! Ai me shumë mjeshtri bëri një përmbledhje dhe e mbylli me shumë logjikë për dy minuta. Kur shkuam te shtëpia e Partisë në Tepelenë, i thashë shokut Ramiz që ju ta diskutoni me udhëheqjen që disa kuadro të rinj dhe të shkathët, por dhe të zgjuar si ky drejtori i shkollës së Progonatit, të merren në Komitetin Qendror, të mbahen dhe të punojnë për 5-6 muaj, të mësohen me punët e Partisë, të çohen dhe të deleguar nëpër rrethe dhe pastaj këta të çohen sekretarë të parë partie në rrethe.

Sekretari aktual i Tepelenës burrë i mirë është, i thashë Ramizit, por nuk ka xixa (i thosha unë impulseve), është pak i fjetur dhe na duhen të rinj si ky Gramozi. Kështu u bë, propozimi im u bisedua dhe me shokun Enver dhe u morën disa elementë që u evidentuan në turin që Ramizi bëri nëpër Shqipëri. Më pas, Gramozi u emërua Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë në Tepelenë e më pas ministër i Brendshëm. Gramozi u tregua trim dhe i pastër në detyrat që ka mbuluar. Në gjyqin e 2 prillit 1990 në Shkodër, Sekretari i Parë ishte Xhemal Dymylja dhe në sallën e gjyqit i gjuajtën me këpucë. Kryetari i seancës ishte një nga Tropoja dhe ai nuk ndërhyri ndaj këtij veprimi, më pas e bënë kryetar gjykate në Tiranë.

Kur nisi të depononte Gramozi në sallën e gjyqit, njëri nga salla filloi të bërtiste dhe shante. Gramozi i tha trupit gjykues,- mua më keni thirrur si dëshmitar, jo si të pandehur, prandaj mbyllja gojën atij atje në sallë se nuk lejoj njeri të më fyejë. Pistoletën e kishte me vete se ishte ministër i Brendshëm. Kam bindjen se Partinë Socialiste nuk e ka drejtuar as Fatosi dhe as Edi Rama, por Gramoz Ruçi. Partia Socialiste është vazhdim i Partisë së Punës, por dhe partitë e tjera, udhëheqësit e tyre ose kanë qenë anëtarë të Partisë së Punës ose kanë pasur familjarët e tyre në atë parti. Të gjithë nga Partia e Punës kanë dalë.

Facebook Comments